E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Pas 23 qershorit, kryeministër një dhëndër Tirone

Pandeli Majko, në fjalën e mbajtur në prezantimin e kandidatëve për deputetët të Partisë Socialiste në Tiranë, tha se, “pas 23 qershorit ju premtojmë një “dhëndër Tirone” për kryeministër”, shkruan shekulli.

Ja një pjesë e fjalës së tij:

Tirana nuk është “kafshatë” e lehtë për politikën. Tirana është si shpirti i trazuar i shqiptarit ku flenë bashkë zhgënjimi dhe ëndrra për të nesërmen. Në emër të ëndrrës ne socialistët do të trokasim tek dera dhe tek zemra e Tiranës.

Sot Tirana nuk është thjesht qyteti me emrin kryeqytet. Tirana është kryeqendra më e madhe që shqiptarët kanë prodhuar në ekzistencën e tyre si komb.

Tirana është kryeqyteti i bashkëjetesës fetare.

Tirana është kryeqyteti i studentëve, i rinisë, i shpresave dhe kërkesës për më shumë.

Në Tiranë fillon Shqipëria dhe shqiptaria që po troket në shekullin e ri drejt familjes sonë europiane.

Jam i nderuar të kandidoj në Tiranë, në kryeqytetin e kombit tim. Të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste, janë këtu sot, si garanci se fitorja e 23 qershorit do të fillojë nga Tirana.

Pas 23 qershorit ju premtojmë një “dhëndër Tirone” për kryeministër.

Koha vrapon drejt nesh dhe ne po marshojmë drejt saj. Pas 23 qershorit, do të sjellim në qeverisjen e vendit një djalë që lindi dhe rriti Tirana. Ai është Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›