Ikja e deputetëve nga seanca i lë pyjet e Kosovës pa kujdes

Për mungesë kuorumi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të votojë rekomandimet e Komisionit parlamentar për pylltari dhe zhvillim rural, pas një debati në të cilin u ngritën shqetësime për gjendjen e pyjeve në Kosovë. Nait Hasani, kryetar i këtij komisioni, theksoi se gjatë vitit të kaluar është konstatuar se pyjet e Kosovës janë në rrezik të përhershëm të dëmtimit dhe shkatërrimit, shkaku i mosfunksionimit të duhur të menaxhmentit dhe për mungesë të kapaciteteve për mbrojtje në nivel të duhur. Ai ka vlerësuar se pyjet po dëmtohen nga papërgjegjësia dhe abuzimi me kompetencat për menaxhimin e tyre, duke krijuar ndërvarësi dhe konflikte interesi.
Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci ka thënë se përkushtim i ministrisë është ruajtja dhe kultivimi i pyjeve. Stavileci tha se kjo gjendje e keqe e pyjeve vjen si pasojë e shkatërrimit nga prerësit ilegalë. Ai shfaqi pakënaqësinë e tij për dënimet e ulëta gjyqësore për dëmtuesit e pyjeve, për të cilat tha se janë shumë të buta.
Rekomandimet e komisionit ishin që Qeveria e Kosovës të bëjë një vlerësim të dëmeve të pyjeve për vitin 2012, sikur edhe kërkoi nga Qeveria që të ngre kapacitete për menaxhimin e pyjeve, si dhe formimi i një task force, që do të merrej me mbrojtjen e pyjeve, pastaj të bëhet menaxhimi i situatave emergjente në rast të zjarreve, të parandalohet prerja ilegale, si dhe të hartohet një reformë për pylltarinë, që do të ketë për synim menaxhimin e pyjeve./Indeksonline/