E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti në Shkup ratifikoi marrëveshjen për kufirin me Kosovën.



Parlamenti në Shkup miratoi pas debatesh të ashpra ligjin me të cilin ratifikon marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës. Opozita maqedonase, LSDM dhe PLD, akuzoi qeverinë se me këtë marrëveshje, Kosovës i jepej një pjesë e territorit të Maqedonisë. Sipas tyre, një gjë e tillë është antikushtetuese dhe ata paralajmëruan se do të kërkojnë verifikim në Gjykatën Kushtetuese. Siç bëhet e ditur, për shkak të "nivelizimit të kufirit në terren", në disa zona, vija kufitare ka lëvizur rreth 150 metra në anë të Kosovës dhe Maqedonisë. Por akuzat e opozitës u mohuan nga zyrtarët e lartë qeveritarë, si ministri i Jashtëm Antonia Milloshovski dhe Kryeministri Nikolla Gruevski. Sipas tyre, marrëveshja "sjell stabilitet në rajon" dhe se "asnjë milimetër nuk është dhënë nga toka e Maqedonisë". Partitë shqiptare BDI dhe DR mbështetën marrëveshjen, duke thënë se ajo do të krijojë mundësi për zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Parlamenti miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit, pasi më herët atë e kishte miratuar qeveria. Me përmbylljen e të gjitha procedurave, konsiderohet se çështja e kufirit me Kosovën është e mbyllur, çka i hap rrugën vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Paralajmërohet se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›