E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Referendum për ndryshimet kushtetuese

Pandeli Majko, një prej figurave më të njohura të selisë rozë, vlerëson se ndryshimet në kushtetutë kërkojnë një debat të gjerë dhe bisedime mes të dy palëve. Por aty ku nuk gjendet gjuha e përbashkët, mund të përdoret referendumi si një mekanizëm jo i debatit politik, por si një proces ku qytetarit i jepet e drejta për të vendosur për çështje të rëndësishme.

Zoti Majko, java që shkoi ishte e mbushur plot me zhvillime për Kosovën. Patëm mjaft incidente në dy pikat doganore në veri të Kosovës. Kryeministri Thaçi ka paralajmëruar edhe operacione të reja në veri të Kosovës. Cili është vlerësimi juaj për gjithë këto zhvillime atje?

Mendoj që situata në Kosovë mund të konsiderohet se ka hyrë në një fazë delikate, pasi ajo është detyruar të ndjekë në të njëjtën kohë një linjë dialogu, që bëhet nën ombrellën europiane dhe në të njëjtën kohë ta quajmë kështu, të bëj operacione të një natyre që kanë të bëjnë me kontrollin e plotë të kufijve të saj. Mendoj se ecja në këto shina do ta vendosë në një lloj ambiguiteti, por gjithsesi është për t’u përshëndetur fakti që Qeveria e Kosovës, në këtë moment kaq delikat, nuk lejoi që çështja e veriut të Kosovës të futej në një mënyrë apo tjetër në një axhendë si një histori, e cila në thelb do t’i përshtatej strategjisë së Beogradit, për ta kthyer Kosovën në një shtet eksperimental. Në këtë koncept, mendoj se edhe vendimmarrja KFOR-it dhe më pas edhe EULEX, për ta parë veriun si një histori, e cila nuk mund të mbyllet me kaq, në të vërtetë mendoj se duhet të kemi të bëjmë me një zhvillim që vetëm sa ka filluar dhe që duhet ndjekur me shumë kujdes. Serbët në thelb janë duke ndjekur një diplomaci dhe strategji, përsa i përket situatës rajonale, e cila duhet marrë jashtëzakonisht seriozisht. Me Bosnjën ata kanë ndjekur një politikë duke e definuar atë si një shtet të paplotësuar, të pambaruar, kurse me Kosovën duan ta kristalizojnë si një konflikt të pambaruar. Në gjithë këtë histori duket sikur kemi një përsëritje të paktit të Brest-Litovskit. Në fakt, marrëveshja për shtetin e Kosovës, marrëveshja për ndarjen e Ballkanit, marrëveshja për një histori tani më të përfunduar, të mbyllur, të asaj që quhet e kufizave të brendshëm të Bashkimit Europian të nesërm, që do të shtrihet edhe në Ballkan, nuk është një pakt Brest-Litovskit, por është një histori e mbyllur dhe që nuk mund të rishikohet më. Edhe sikur të ketë politikanë të çmendur të standardit të Esat Pashë Toptanit në Kosovë, është e pamundur që sot të diskutohet ndryshimi i kufijve në Kosovë dhe më gjerë. Nëse do hapej, atëherë do të kishim një histori pa fund të lëvizjeve dhe ndryshimeve të cilat do të sillnin një destabilitet në një shkallë më të gjerë. Sot Beogradi, duke konfirmuar politikën e tij, gjithsesi është e kuptueshme që do të sjellë irritime të natyrave të ndryshme në shoqërinë kosovare. Ajo për të cilën ndjehem i shqetësuar, padyshim është mënyra sesi shqiptarët e Kosovës do të shohin sjelljen e ndërkombëtarëve dhe veçanërisht të europianëve, në marrëdhënie me ta dhe në marrëdhënie me serbët. Sigurisht që ngjall dyshime fakti që në një kohë që kërkohet heqja e imunitetit nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, në një mënyrë apo në një tjetër shqiptarët mund të jenë të shqetësuar për një lloj imuniteti që mund t’i vihet paligjshmërive që ndodhin në veri të Kosovës. Të mos harrojmë që snajperi që goditi policin e Kosovës, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, pra dëshmorin e Kosovës, në të vërtetë ishte një snajper dhe nuk ishte një njeri emocional, por ishte një njeri i organizuar, që qëlloi me urdhër mbi forcat policore të Kosovës. Ndaj besoj se kjo, e bashkalidhur me një deklarim shumë të çuditshëm dhe që duhet marrë shumë seriozisht, siç është deklarimi i Presidentit të Serbisë Tadiç, se Serbia nuk duhet të bjerë në kurthin e viteve ‘90, besoj se duhet të na bëjë që të reflektojmë. Në qoftë se ajo që ka ndodhur me serbët dhe Serbinë, duke zhvilluar masakra jo vetëm karshi shqiptarëve, por edhe karshi boshnjakëve dhe kroatëve, ishte thjesht një kurth dhe jo një politikë e një njeriu, apo të një grupi njerëzish që shkuan në Gjykatën Ndërkombëtare. Besoj se kjo është për t’u parë. Nëse ata e konsiderojnë këtë një kurth, kjo është për të ardhur vërtetë keq. Ajo që po ndodh sot në Kosovë duhet të shqetësojë të gjithë opinionin politik shqiptar dhe për fat të mirë, situata po shikohet me një optikë të ndryshme, jo vetëm nga ky opinion, por edhe nga ndërkombëtarët. Vendosja e trupave të NATO-s në veri të Kosovës dhe trajtimi me shumë rigorozitet i vendosjes së një stabiliteti dhe institucioneve të qeverisë së shtetit të Kosovës në veri, është ndoshta hapi më i rëndësishëm, pas aktit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Po të kthehemi te zhvillimet e brendshme, pas zgjedhjeve të 8 Majit është folur për një reformë kushtetuese, reformë në ligjin zgjedhor dhe pse jo dhe reforme parlamentare. Në gjykimin tuaj, cilat do të ishin ato amendamente që mund të siguronin një demokraci funksionale dhe zgjedhje më të mira?

Kur një opozitë diskuton me mazhorancën ofertën për të ndryshuar Kushtetutën, apo ligjin themelor të shtetit, mendoj se kjo duhet marrë si një shenjë nga më pozitivet të një kursi politik, që opozita merr përsipër t’i ofrojë kompromis mazhorancës për të ndryshuar ligjin themelor, që në thelb mund të konsiderohet kompromisi maksimal. Kjo ndodh në situata, të cilat mund të konsiderohen fillimi i një kapitulli të ri. Në kontekstin e asaj që ka ndodhur dhe më parë, mos prisni që opozita të lëvizë me shpejtësi në atë që quhet kërkesë e Partisë Demokratike, për të miratuar në bllok disa ligje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit europian. Opozita ka interesat e veta në një proces politik, që do të zhvillohet nga shtatori në vazhdim. Por ajo që dua të theksoj është fakti se ja vlen të kujtojmë se edhe faktori ndërkombëtar, por edhe Partia Demokratike dhe në një mënyrë të caktuar edhe Partia Socialiste, e kanë diskutuar çështjen e imunitetit të deputetit. Një çështje që kërkon ndryshim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Nuk mendoj se ndryshimet e Kushtetutës duhen bërë me letra bakalli, ashtu siç ndodhi herën e fundit. Mendoj se duhet të ulemi përballë njëri-tjetrit dhe sidomos përballë opinionit publik, që ndjehet shumë i shqetësuar për mënyrën sesi komportohet politika shqiptare në marrëdhëniet me interesat që ata duan që kjo politikë të mbulojë. Ne na duhet që me seriozitet të ulemi përballë njeri-tjetrit dhe të diskutojmë dhe pastaj se për çfarë bihet dakort dhe për çfarë jo, kjo është një histori që nuk ka nevojë të diskutohet me konferenca shtypi. Ka njerëz të mençur, si në të majtë dhe në të djathtë, të cilët po të ulen mendoj se krahas së çështjes së imunitetit mund të nxjerrin dhe disa konkluzione të tjera që do të jenë të nevojshme, të kuptueshme dhe të arsyeshme dhe në fund të fundit, aty ku do të ketë dallime ne kemi dhe historinë e një referendumi, i cili pa u politizuar mund t’i ofrojë publikut një pjesëmarrje për të diskutuar një ligj që është ligji themelor i shtetit shqiptar. Ai vërtetë diskutohet dhe votohet nga politikanët, por nuk është pronë e politikanëve.

Pra referendumi mund të jetë një mundësi që PS mund ta mbështesë?

Referendumi është një histori, e cila nuk duhet parë si një mekanizëm politik, por duhet parë si një ofertë që politika ia ofron publikut shqiptar. Diskutimet dhe vendimmarrjet e rëndësishme nuk janë pjesë e asaj që i takon vetëm politikës. Ka shumë gjëra që shumë shtresa të shoqërisë shqiptare i ndjejnë në një lloj distance, për mënyrën sesi politika i diskuton interesat e tyre dhe interesat e vendit. Kjo ka sjellë që në disa raste tezat e anti-politikës të jenë më të forta sesa ato të politikës. Mendoj se kjo duhet të sjellë një reflektim dhe të mos vazhdojë një kalçifikim i një historie të vjetër marrëdhëniesh midis palëve, të cilat vetëm konsumojnë nervat e opinionit publik.

Kryetari i partisë, zoti Rama ka shpallur një kurs të ri politik. Sipas jush, çfarë duhet të ketë ky kurs politik në mënyrë që në 2013 PS ta shohë veten në qeverisje?

Ne do të kemi Kongresin e partisë të radhës, i cili padiskutim do të diskutojë me seriozitet një varg problematikash dhe mënyrën sesi ne do ti përgjigjemi brenda të mundshmes asaj që po ndodh, jo vetëm në opozitë, por në gjithë shoqërinë shqiptare. Do të jetë një kongres që do të përcaktojë shumë nga ato të cilat në një mënyrë apo në një tjetër, që në këtë kohë pushimesh njerëzit janë dhe nuk janë të interesuar t’i dëgjojnë nga goja e politikanëve. Ajo që doja të theksoja është fakti i seriozitetit me të cilin ne e kemi marrë një histori ndryshimesh, të cilat nuk fillojnë dhe nuk do të mbarojnë në këtë kongres.

Lidhur me Tiranën, pas 11 vjetësh ajo nuk qeveriset më nga PS. Në krye të saj ka ardhur zoti Basha, ndërkohë që edhe në këshillin bashkiak, PS është në opozitë. Cili duhet të jetë raporti i PS-së në këtë institucion me kryetarin e ri të bashkisë. Kujtojmë që për gati dy vjet kishim bllokim të këshillit...

Nuk besoj se do ketë përsëritje të historive që ne kemi mësuar rëndom t’i shikojmë nga opozita e dikurshme në këshillin e bashkisë së Tiranës. Nuk kemi pse në Bashkinë e Tiranës të bëjmë gjëra, të cilat nuk na kanë pëlqyer kur i ka bërë opozita e dikurshme e Partisë Demokratike. Natyrisht ne tani do të shikojmë një mazhorancë që do këndojë këngën “dallëndyshe ktheje ndryshe”, në sensin që do kërkojë një sjellje që s’e ka bërë vetë. Por besoj se fitorja e PS-së në qytetet, sidomos në qendrat kryesore të Shqipërisë, dhe këtu unë përfshi edhe Tiranën, në thelb na ka dhënë një peshë të madhe të asaj që quhet vota e qytetarisë. Këtu unë nuk dua të shmang votën që marrim nga fshati, por dua të sensibilizojë atë që ka të bëjë me një kërkesë të madhe që kanë njerëzit për normalitet dhe qytetari të prodhuar nga politika. Nuk besoj se keni për të parë gjëra që dikur i ka bërë PD, t’i kthejë në të njëjtën monedhë PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›