E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Kongresi të nxjerrë arsyet pse nuk fituam zgjedhjet

 

Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, kërkoi dje nxjerrjen e përgjegjësive për humbjen e PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Në fjalën e hapjes së Kongresit të jashtëzakonshëm, zyrtari i lartë i PS-së tha se, “pres që gjithsecili nga ne të flasë dhe të analizojë sepse ne nuk mundëm të përballojmë dhe fitojmë këtë sfidë, pres të identifikojmë të gjithë së bashku se çfarë nuk funksionoi siç duhet në makinën tonë elektorale që nuk mundi të përballojë arrogancë e një pushteti arrogant. Pres që të gjithë së bashku të identifikojmë sepse nuk mundëm të përkthejmë në votë e të numërojmë si votë vendimin e shqiptarëve përpara kutisë së votimit që pushteti të shkonte majtas”. Kryetari i Asamblesë së PS-së hodhi akuza të ashpra ndaj Partisë Demokratike dhe kryeministrit Sali Berisha, por nuk harroi pa përmendur edhe LSI-në. Sipas tij, duhet t’i jepet përgjigje edhe faktit që votat e partisë së Metës mbajtën në pushtet kryeministrin Berisha. Sipas tij, vendi nuk qeveriset nga një qeveri normale, por është marrë peng nga një grup kriminal, i cili po vjedh çdo gjë që i del përpara. “Është marrë sërish peng vendi nga një kaskë mediokrësh dhe një grup kriminal që pushtetin e kanë të lidhur me babëzinë, që vodhën çka mundën e çka deshën, e që po përgatiten të vjedhin çka mbetur nga ky vend”, vijoi më tej Ruçi. “Pres që të gjithë së bashku të gjejmë njëra pas tjetrës ato pjesë të mozaikut të përgjigjeve për pyetjen që rezultoi fatale: pse votat e majta që shkuan për LSI, u trafikuan si drogë ilegale për të mbajtur në këmbë dhe zgjuar pushtetin legjitim të mbretit edhe qesharak, edhe lakuriq”, vijoi më tej Ruçi. Në lidhje me garën për kryetar të PS-së, Ruçi nënvizoi se fatin e drejtimit të PS-së e ka në dorë vetëm anëtarësia e PS-së. “Fatin e drejtimit të PS e ka vetëm një trup, dhe kjo është anëtarësia socialiste. Pasi ajo të flasë të gjithë duhet të heshtim, për t’ju përkushtuar punës, për të cilën jemi mandatar apo do të mandatohemi politikisht”, theksoi Ruçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›