Majko: Rrezikojmë anëtarësimin. Mediu: Duhet konsulta me NATO-n
Një përpjekje e vazhdueshme e mazhorancës për të miratuar ligjin e Shërbimit Informativ mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë vendin. I kthyer tashmë në një provë force për Kryeministrin, drafti në fjalë po sjell para opinionit publik shqiptar të gjithë arsenalin e analizës dhe deklarimeve politike që po paralajmërojnë edhe mundësinë e pezullimit të anëtarësisë së Shqipërisë në Aleancë. “Opozita në këto momente po kërkon të respektohet marrëveshja e anëtarësimit në NATO, që do të thotë se Shqipëria çështjen e sovranitetit të sigurisë e ka ndarë me NATO-n dhe konsulta me NATO-n për ligjin për SHISH-in mbetet esenciale dhe e pazëvendësueshme. Kemi të bëjmë me një problem jo më teknik, por politik, dhe nga ato që di unë, mund të diskutohet statusi i anëtarit të NATO-s”, u shpreh dje deputeti socialist, ish-ministër i Mbrojtjes, Pandeli Majko. Të njëjtin mesazh ka përcjellë edhe kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, i cili ka mbuluar edhe ai detyrën e ministrit të Mbrojtjes. “Unë mendoj që NOS patjetër që duhet të japë vlerësimin e vet. Unë uroj që të jetë bërë konsulta dhe nëse jo, uroj të bëhet ajo që është e domosdoshme... në reformën e inteligjencës dhe në reformën e Forcave të Armatosura, në mënyrë permanente dhe si e tillë besoj se padyshim zëri i SHBA në këtë proces ka një vlerë të jashtëzakonshme”, tha ai. Dy ish-ministrat e Mbrojtjes kanë bërë të njohur pasojat e kësaj loje që po merr përmasa të tjera që mund të kërkojë kohë të riparohet.
#