E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Ina Ramës: Kujdes me të burgosurit

Pushimet verore kanë sjellë në vëmendje urdhrat për të burgosurit që mbarojnë dënimin

Problemet me të burgosurit të cilëve u mbaron dënimi gjatë pushimeve verore, kohë kur prokurorët dhe gjykatësit janë me leje të zakonshme, e kanë detyruar Kryeprokuroren Ina Rama të urdhërojë institucionet e akuzës në të gjithë vendin që të marrin masa. Vitet e kaluara, shumë të dënuar të cilëve u mbaronte dënimi gjatë muajit gusht, kanë vuajtur disa ditë burg më tepër, pasi në institucionet e akuzës dhe të gjykatës nuk kishte administratë për të kryer procedurat e urdhrave të ekzekutimit. “Faji” në këto raste u adresohej tre institucioneve: burgut, prokurorisë dhe gjykatës. Institucioni i vuajtjes së dënimit “akuzohej” se nuk kishte kryer në kohë procedurat për njoftimin e rastit në kohë, organi i akuzës nuk kryente me shpejtësi urdhrin e lirimit dhe togat e zeza donin kohë për shqyrtimin e kësaj kërkese me të gjitha materialet e duhura. Për rrjedhojë, dhjetëra të burgosur prisnin që burokracitë e drejtësisë të përfundonin dhe më pas të ritakonin familjarët e tyre. Dikush mori guximin që të denoncojë apo të kërkojë dëmshpërblim për ditët që qëndroi më tepër në burg, megjithëse këto kërkesa dhe ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh.

Tashmë, një zgjidhje është marrë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, për sa i përket organit të akuzës. Në çdo prokurori do të ketë një personel që do të qëndrojë në detyrë edhe gjatë muajit gusht, kur zakonisht kryhet leja vjetore. Prokurorët dhe hetuesit që kanë marrë lejen e zakonshme para këtij muajit do të jenë të detyruar të presin çdo kërkesë për lirim nga burgu në një kohë rekord. Gjithashtu, administrata e çdo prokurorie do të funksionojë normalisht, pasi vonesa më e vogël për dërgimin e një urdhri të ekzekutimit do të quhet shpërdorim detyre. Stafi i çdo institucioni të akuzës do të vijojë me një personel që do të quhet “të gatshëm” dhe në rast të ndonjë ngjarjeje ku duhet prania e një prokurori, do të dërgohet prokurori i gatshëm. Në Prokurorinë e Tiranës, çdo linjë që mbulon komisariatet do të ketë një prokuror të gatshëm, plus edhe një prokuror pranë njësisë Task Forcë, të cilët do të merren me kallëzimet apo arrestimet e personave në këtë fushë. Në sektorin e ekzekutimeve penale do të jetë edhe një prokuror që do të ketë në çdo kohë kontakte me gjykatën për urdhrat e ekzekutimeve.

Pra, në pamje të parë duket se masat në organin qendror të akuzës janë marrë për parandalimin e precedentëve, kur të burgosurit kanë qëndruar më tepër në burg. Por, problemi mund të qëndrojë te gjykata. Shumë të dënuar për krime të lehta, vjedhje apo plagosje të lehta, si dhe falsifikime, megjithëse kanë apeluar vendimin e tyre, u mbaron dënimi gjatë muajit gusht. Dhe për këtë ata duhet të kërkojnë në gjykatë urdhrin e ekzekutimit. Janë të shumta rastet kur dënimet e lehta mbarojnë pa u gjykuar çështja në Gjykatën e Apelit dhe në këtë rast procedurat kalojnë në shumë “duar”. Prokurori llogarit kohën e dënimit dhe gjykata duhet të marrë kontakte me Gjykatën e Apelit, nëse është gjykuar një çështje e tillë. Dhe në fund, duke marrë një konfirmim nga burgu përkatës për ndonjë dënim tjetër ndaj këtij kërkuesi, lëshohet edhe urdhri i ekzekutimit, për lirimin e të burgosurit. Kjo procedurë duket e zbatueshme në “letër”, por precedentët e viteve të kaluara kanë bërë që shumë persona të presin këto burokraci të drejtësisë shqiptare dhe pasojat kanë qenë shumë të rënda, duke mbajtur “peng” individë të caktuar në burg, megjithëse u kishte mbaruar dënimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›