PD: Çdo germë e ligjit të SHISH, OK me NATO-n dhe BE-në

Partia Demokratike hodhi poshtë dje të gjitha akuzat ndaj amendamenteve që i janë bërë ligjit të Shërbimit Informativ Shqiptar. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, në një deklaratë për mediat, akuzoi ashpër Edi Ramën për akuzat ndaj këtij ligji, që sipas saj është i standardeve më të mira të vendetave të NATO-s dhe Bashkimit Europian. “Për sa i përket komenteve mbi Ligjin e SHISH, të cilat Rama i bën pa e lexuar ligjin, Partia Demokratike qartëson se çdo germë, çdo fjalë e çdo fjali rreth këtij ligji është marrë dhe pasqyron standardet më të mira të vendeve të NATO-s dhe BE-së”, theksoi Mëhilli në deklaratën e saj për shtyp. Sipas zëdhënëses së PD-së, nëse Partia Socialiste është me të vërtetë e interesuar për të diskutuar në lidhje me këtë çështje, le të dërgojë deputetët në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për ta parë këtë nismë nga afër. “Njëkohësisht Partia Demokratike e fton Ramën të dërgojë anëtarët e tij në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ku do të diskutohet ligji dhe të paraqesë atje të gjitha vërejtjet që ka, por është e sigurt se s’ka për të pasur asnjë vërejtje”, deklaroi në fjalën e saj Mëhilli. Ky qëndrim i mazhorancës ndaj amendamenteve të bëra për ligjin e SHISH, kundërshton edhe deklaratën e ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, i cili i konsideroi këto ndryshime si të dëmshme për pavarësinë e institucionit të SHISH. Nga ana tjetër, po në të njëjtën deklaratë, Mëhilli deklaroi se përsëri Edi Rama, me anë të trillimeve të ulëta, po kërkon t’i kundërvihet politikave sociale të qeverisë. “Sot, përsëri Edvin Kristaq Kriza, me shpifje e trillime të ulëta u përpoq t’i kundërvihej politikave sociale të qeverisë, rritjes së rrogave dhe pensioneve, rritjes së punësimit, rritjes së investimeve”, theksoi zëdhënësja e PD-së. Ajo theksoi se Rama po sillet si një fundamentalist, në një kohë që sulmon institucione të rëndësishme të vendit, siç është ai i statistikave zyrtare. “Ndërsa dje, si një fundamentalist i vërtetë sulmoi Institutin e Statistikave, të dhënat e të cilit kanë marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga institucionet më serioze ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo dhe nga institucione të tjera nga e mbarë bota”, vijoi Mëhilli. Po kështu, zëdhënësja e PD-së theksoi se Rama përsëri u ngrit kundër investimeve të mëdha të qeverisë, si autostrada Qafë Plloçë–Qukës dhe Boshtit të Jugut, sepse ai e di mirë se këto investime rrënojnë të ardhmen e tij politike të bazuar në kriza imagjinare.
#