E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko i kërkon Prokurorisë të rinisë hetimet

Autori i Lajmit: red.
Ish-ministri i Mbrojtjes në vitin 2004 gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, aktualisht deputet i kësaj partie, Pandeli Majko, i ka dërguar letër kryeprokurores ku i kërkon hapjen e hetimeve për tragjedinë e 9 janarit. Në letrën e tij, Majko shprehet se është në mbështetje të familjarëve të viktimave që të verifikohet çdo lloj aludimi i bërë si më parë ashtu edhe sot për periudhën që unë kam drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes për këtë çështje. Reagimi i Majkos ka ardhur pas disa akuzave të hedhura publikisht ndaj tij. Në letrën e tij ai ka shprehur keqardhje për viktimat dhe familjarët e tyre dhe kërkon që organi i akuzës të vërë përpara përgjegjësisë autorët e vërtetë të ngjarjes.
Letra e Majkos
Nisur nga disa deklarime politikanësh, por edhe në mbështetje të bashkëfamiljarëve të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në tragjedinë e 9 janarit 2004, në mbështetje të të gjitha procedurave ligjore në fuqi, do t u lutesha për rihapjen e hetimeve lidhur me këtë çështje. Ju drejtohem juve, që nga ana e institucionit tuaj të verifikohet çdo lloj aludimi i bërë si më parë ashtu edhe sot për periudhën që unë kam drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes për këtë çështje. Ndërkaq edhe shumë akuza janë hedhur në ngarkim të dikasterit që ai ka drejtuar, një ndër të cilat është edhe për punën e dobët që ka bërë dikasteri i tij si dhe shumë ministri të tjera në gjetjen e viktimave. Gjithashtu, edhe familjarët e viktimave kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në drejtim të ministrisë së drejtuar prej Majkos. Sipas akuzave, Majko nuk ka urdhëruar Flotën për të vepruar si dhe është neglizhuar tragjedia për shkak të urdhrave të dhëna.
Akuzat ndaj ish-ministrit
Informacioni ekzistonte që në orën 19: 48 të datës 9 janar nga telefonatat e para. "Në telefon dëgjoheshin të thirrura njerëzish dhe zhurma e dallgëve të detit". Si mund të pretendohet se kemi vepruar shpejt kur vetëm një anije me numër 215 ka mbërritur në rajon në orën 00: 50 dhe pas 40 minutash ka kërkuar të kthehet në Sazan për furnizim. Ndërkohë, dy anijeve të tjera, 216 dhe 217 u është dhënë kushtrimi në orën 01: 20, pra më se 7 orë pas fillimit të tragjedisë dhe kanë dalë nga Pashalimani në orën 05: 17 dhe 05 25 ose 11 orë e gjysmë me vonesë. Kompletimi i Gatishmërisë Luftarake ka qenë nën 30 % kur kërkesa për kompletim sipas dokumenteve të gjendjes operacionale duhej të ishte mbi 70 për qind dhe për anijet e Rojes Bregdetare duhej të ishte 100 %. Të dhënat e shërbimit sinoptik për datën 9 janar 2004 janë jozyrtare dhe të falsifikuara. Ata nuk përputhen me krahasimin e dokumenteve të miratuara nga Ministria e Mbrojtjes. Në parashikimin e motit të marrë nga Radio "SPLIT", megjithëse bëhet fjalë për erë të fortë e të pjesshme në orën 18: 00, më pas ajo parashikohet në rënie. Por edhe në këto kushte, rreth 10 anije të Flotës Detare mund të kryenin detyra, por ato ishin të pafurnizuara me naftë dhe jashtë gatishmërisë. Edhe në analizën e prokurorit Skënder Dauti vërtetohet se koha nuk ka qenë ajo e raportuara. Po të analizosh shprehjen "Në një gomone me kapacitet 6 persona u futën plot 39 klandestinë, gomonia u mbush me ujë etj.,etj." Pra 6-7 herë mbi kapacitetin e saj. Ka edhe një fakt tjetër të dokumentuar në raportin 36/1 datë 14 janar 2004, i cili vërteton se deti ishte 5 ballë. Në faqen 2 të këtij raporti njoftohet pikërisht se deti ishte 5 ballë. Kjo lejon anijet tona që të realizojnë detyrën, pasi lartësia e dallgës shkon nga 2,5 deri në 4 metër.

Ngjarja e 9 janarit ku humbën jetën 28 persona

Tragjedia e 9 janarit ndodhi në afërsi të Vlorës, kur 30 persona ishin duke udhëtuar me gomone drejt Italisë. Pikërisht mbrëmjen e asaj dite, ndodhi edhe tragjedia kur gomonia me 36 klandestinë, u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Por vetëm pak kohë pasi gomonia ishte nisur nga bregu kërkon ndihmë pasi për shkak të ngarkesës së madhe dhe detit tepër të trazuar ndodheshin në rrezik. Por edhe pse njoftuan autoritetet shqiptare, ndërhyrja ishte tepër e vonshme. Sipas dëshmive të klandestinëve të gomones, të marra nga policia, ata janë nisur natën e së enjtes, në datën 9 janar me det të mirë nga brigjet shqiptare, por kur kanë kaluar ujërat ndërkombëtare dhe janë futur në ato italiane, deti kishte qenë i trazuar. Pjesa më e madhe e personave që tentuan brigjet italiane ishin nga veriu i vendit, kryesisht nga Shkodra. Ngjarja e rëndë ndodhi për pasojë të detit të keq dhe për shkak se gomonia nuk arriti të përballonte udhëtimin. Klandestinët kishin paguar 1500 euro për udhëtimin e vdekjes. Mes tyre kishte gra e fëmijë. Sekserët dhe skafistët u kishin premtuar atyre se udhëtimi ishte i siguruar, pasi ishte rënë dakord me forcat e Guardia di Finanza që do t i shoqëronte deri në brigjet italiane. Për këtë ngjarje të rëndë u arrestuan 11 persona, mes tyre edhe ish-shefi i postës së policisë së Dhërmiut, Vladimir Kordhishta, i cili u la sërish i lirë. Nga përmbysja e dy gomoneve humbën jetën 28 njerëz të pafajshëm. Ndërkohë, pas tragjedisë, janë kryer veprime për ta fshehur të vërtetën e jo për ta zbardhur atë.

Gjykata dënon me dy shekuj burgim të akuzuarit

Për tragjedinë e 9 janarit Gjykata e Vlorës ka dënuar 10 persona. Ata akuzohen për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror. Por deri më sot gjykata nuk ka dhënë asnjë vendim për personat që organizuan në të vërtetë këtë tragjedi. Edhe pse vazhdimisht është asistuar për gjetjen dhe vënien përpara drejtësisë të personave që u shmangën nga kjo tragjedi, prokuroria asnjëherë nuk ka nisur hetimet për zyrtarët e implikuar. Edhe pse dëshmia e Sokol Bizhgës është marrë gjatë periudhës së hetimeve, Prokuroria asnjëherë nuk filloi zbardhjen e kësaj deklarate dhe ku mund të jetë zhdukur gomonia e dytë. Gjykata e Vlorës dënoi për tragjedinë shtetasin Viron Robaj për veprën penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror”, me 25 vjet burgim. Altin Beluli, për veprën penale të “Kalimit te paligjshëm të kufirit shtetëror” u dënua me 25 vjet burgim. Elton Tafili për veprën penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror” u dënua me 25 vjet burgim. Hysni Tafili për veprën penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror” u dënua me 20 vjet burgim. Nazmi Hyka, për veprën penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror” gjykata e dënoi me 25 vjet burgim. Cukall Delia për veprën penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror” u dënua me 25 vjet burgim. Zef Marku, për veprën penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror”, u dënua me 25 vjet burgim. Arten Rrokaj, për veprën penale të “Të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, mori dënimin e tij me 9 vjet burgim. Albert Alliu, për veprën penale “të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, mori dënimin e tij me 9 vjet burgim. Servet Besho, për veprën penale “Të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror” dhe në bazë të Nenit 298/2 dhe 25 të Kodit Penal mori dënimin e tij me periudhën e paraburgimit.

Të dënuarit
1. Viron Robaj 25 vjet
2. Altin Beluli 25 vjet
3. Elton Tafili 25 vjet
4. Hysni Tafili 20 vjet
5. Nazmi Hyka 25 vjet
6. Cukall Delia 25 vjet
7. Zef Marku 25 vjet
8. Arten Rrokaj 9 vjet
9. Albert Alliu 9 vjet
10.Servet Besho periudhën e paraburgimit Ky lajm është publikuar: 18/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›