E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i AEY, DASH: Withers nuk është implikuar, krenarë për qëndrimin e tij

Nga Armand Maho

Zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Robert Wood, tha dje se çështja e pretendimeve se ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers, është implikuar në fshehjen e origjinës së municioneve që tregtonte kompania AEY është mbyllur.

Sipas tij, nuk është gjetur asnjë element që e implikon ambasadën amerikane në Tiranë në këtë përpjekje.

Në një deklaratë të tij thuhet se Withers dhe stafi i tij punuan me saktësi, ashtu siç dhe Departamenti i Shtetit pret që ata të punojnë. Wood tha se Departamenti ishte krenar për shërbimin e tyre.

“Në qershor të vitit 2008, në media u shfaqën pretendime se ambasadori i ShBA, John Withers, dhe pesë anëtarë të tjerë të ekipit të ambasadës së ShBA në Tiranë, Shqipëri, në njëfarë mënyre ishin të përfshirë në përpjekje për të fshehur fakte lidhur me shitjen e municioneve me origjinë kineze për Departamentin e Mbrojtjes të ShBA në shkelje të ligjeve të ShBA.

Në atë kohë, çështja iu paraqit Inspektorit të Përgjithshëm për shqyrtim. Inspektori i Përgjithshëm ka shqyrtuar të gjitha faktet e vëna në dispozicion dhe nuk gjeti asgjë që mund të konfirmonte ndonjë pretendim penal apo lloji tjetër në lidhje me punonjësit e Departamentit të Shtetit. Departamenti i Drejtësisë ka informuar Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm që këta gjashtë punonjës të Departamentit të Shtetit në ambasadën në Tiranë nuk janë shënjestra apo subjekte hetimi.

Departamenti mirëpret deklaratat e bëra nga Departamenti i Drejtësisë dhe Inspektori i Përgjithshëm dhe e konsideron këtë çështje të mbyllur. Ambasadori Withers dhe ekipi i tij punuan saktësisht në atë mënyrë siç do të prisnim të punonin. Jemi krenarë dhe mirënjohës për shërbimin e tyre”, - thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Pas këtij përfundimi ka reaguar dhe ambasadori Withers. Në një deklaratë shpërndarë për mediet ai ka vlerësuar stafin, ndërsa ka theksuar se e dinte që shqyrtimi i drejtë i fakteve do çonte tek e vërteta.

“Jam mirënjohës që Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Mbrojtjes tani i konsiderojnë pretendimet kundër meje dhe zyrtarëve të tjerë në ambasadën në Tiranë të mbyllura. Këta zyrtarë - Stiven Kristina, Patrik Leonard, Paula Thide, Viktor Majev, dhe Robert Njusëm - janë ndër diplomatët më të shkëlqyer që kam njohur. Siç thashë vitin e kaluar, “një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta.”

Jam i kënaqur që e vërteta tani është e qartë dhe që këtyre zyrtarëve të shkëlqyer u janë njohur kontributet ndaj shërbimit të vendit tonë”, - tha Withers.

Withers: S’kam aprovuar asnjë nga sugjerimet e “çuditshme” të Mediut

Nga Paul Richter dhe Tom Hamburger, “Los Angeles Times”

14.07.2008

Një hetim federal me prioritet të lartë për mashtrim me prokurimet ushtarake në Afganistan u detyrua të ndërrojë drejtim për shkak të dyshimeve të një paneli të Kongresit se një diplomat i lartë i SHBA është përpjekur të fshehë skemën.

Megjithëse akuzat ndaj ambasadorit duket se janë vështirë për t’u vërtetuar, prokurorët po përpiqen të zbulojnë ndikimin e tij në një çështje që konsiderohet të jetë një nga abuzimet më serioze me prokurimet në vite.

Në qendër të kësaj çështjeje është një tregtar armësh nga Majami, i cili i shiti armë ushtrisë afgane përmes një kontrate 298 milionë dollarë me Pentagonin. Hetuesit kanë zbuluar prova se kontraktuesi ka blerë miliona armë kineze të vjetra dhe fishekë për automatikë të depozituara në Shqipëri gjatë Luftës së Ftohtë, pastaj i ripaketoi ato dhe i nisi në Afganistan.

Hetimi u komplikua, kur kryetari i Komisionit të Reformës Qeveritare dhe Mbikëqyrjes i Kongresit, Henry A. Waxman, tha se paneli i tij dëgjoi nga një dëshmitar muajin e kaluar se një diplomat amerikan mund të ketë luajtur një rol kyç në dhënien e ndihmës për fshehur provat e mashtrimit.

Në një letër për Sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice, Waxman thoshte se John L. Withers II, ambasadori amerikan në Shqipëri, kishte aprovuar një plan për fshehjen e origjinës kineze të municionit për në Afganistan.

Prokurori i SHBA që ndjek çështjen, në nxitim për t’iu dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura nga dyshimet e Waxman-it, ndërmori hapin e pazakonshëm javën e shkuar dhe kërkoi të merrte në pyetje, në Majami, ku një juri e lartë merr dëshmitë, Withers dhe pesë zyrtarë të tjerë të lartë nga ambasada e SHBA në Tiranë.

Pikëpyetje të rëndësishme në lidhje me dyshimet e Waxman-it u shfaqën javën e kaluar, kur Withers foli për herë të parë në disa intervistime nga “The Los Angeles Times”, duke mohuar përfshirjen e ambasadës në fshehjen e provave dhe duke insistuar se zyrtarët atje bashkëpunuan nga afër me hetuesit për të siguruar prova për prokurorinë.

Versioni i Withers-it është mbështetur nga të paktën katër zyrtarë të tjerë të SHBA. Jo vetëm kaq, një hetues i krimeve që punonte me çështjen e vlerësoi stafin e ambasadës për “mbështetje të jashtëzakonshme”, sipas një e-mail-i për Departamentin e Mbrojtjes, më 28 nëntor 2007, që gazeta e ka parë.

“Ne e ndihmuam hetimin e ishim krenarë për këtë dhe jo e kundërta”, - tha Withers, një veteran i shërbimit diplomatik për 24 vjet. Withers-it i është dhënë leje nga zyrtarët e Departamentit të Shtetit që të flasë publikisht, me kusht që të flasë si individ dhe jo si përfaqësues i qeverisë amerikane apo Departamentit të Shtetit.

Zhvillimet e kanë shtuar tensionin mes zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe komisionit të Waxman-it, një panel agresiv që e ka vënë në pozicion të vështirë shpesh administratën e Bushit. Withers dhe përkrahësit e tij thonë se paneli u nxitua në këtë çështje duke publikuar dyshime të gabuara.

Vendimi i Withers për të folur publikisht ka mundësi ta rrisë tensionin dhe përbën një rast të rrallë, kur një diplomat karriere kundërshton personalisht dhe publikisht një ligjbërës të nivelit të lartë.

Të shtunën, ai i shkroi Waxman-it dhe i kërkoi një takim për të “përgënjeshtruar akuzat e pathemelta të bëra ndaj një grupi zyrtarësh publikë të përkushtuar dhe të shkëlqyer.”

Ai tha se konkluzionet e Waxman-it ishin “tërësisht të pabaza”.

Hetuesit mendojnë se AEY blinte fishekë kinezë, pasi ia ripaketonte një nënkontraktor shqiptar dhe pastaj i niste për në Afganistan. Municioni ishte pjesë e një mali të tërë me municion të vjetruar dhe skaduar, të depozituar në Shqipëri.

Ngjarjet që tërhoqën vëmendjen e Waxman-it ndodhën më 19 nëntor, kur, thonë zyrtarët amerikanë, hetimi i Pentagonit ishte thuajse i përfunduar. Rrëfime të ndryshme për atë ndodhi atë natë janë burimi i kundërshtive në lidhje me rolin e Withers.

Withers tha se ai mori një mesazh se Fatmir Mediu, i alarmuar, asokohe ministër i Mbrojtjes, donte ta takonte.

I trembur se ministri i Mbrojtjes kishte lajme të këqija në lidhje me terrorizmin apo ndonjë problem të ngjashëm, Withers pranoi ta takonte së bashku me zyrtarë të tjerë amerikanë. Takimi zgjati nga ora 11 e darkës deri në mesnatë.

“Mediu iu tha zyrtarëve amerikanë se ishte i shqetësuar nga një telefonatë e një gazetari të “New York Times”-it, i cili e kishte pyetur për problemet e tij me ligjin në të shkuarën, korrupsion të mundshëm dhe i kishte kërkuar të vizitonte të nesërmen një magazinë municioni afër aeroportit nën kontrollin e ministrisë”, - tha Withers.

Reparti pranë aeroportit ishte edhe vendi, ku AEY bënte ripaketimin, i cili kishte qenë pjesë e hetimit të SHBA, por asokohe ishte mbyllur.

Mediu iu lut Withers-it që të ndihmonte për të parandaluar një artikull dëmtues. Withers tha se Mediu, i emocionuar, sugjeroi gjëra “të çuditshme”, si moslejimin e hyrjes së gazetarit dhe ripaketimin e municionit për të fshehur origjinën e tij kineze.

Withers tha se ai dhe zyrtarët e tjerë të SHBA nuk dhanë shenjë aprovimi për idetë e tij, vetëm sugjeruan që Mediu ta kundërshtonte artikullin pas botimit.

Një punonjës i ambasadës, i pranishëm në takim, i pa gjërat ndryshe dhe kjo tërhoqi vëmendjen e Waxman-it.

Majori Larry Harrison, ndihmës i Departamentit të Mbrojtjes në ambasadë, tha në një memo të brendshme që e zotëron Komisioni, se ai besonte që ambasadori e kishte aprovuar vendimin e Mediut atë natë për të urdhëruar heqjen e shenjave kineze nga municioni.

Harrison akuzonte gjithashtu në memo se zyrtarët nuk i pranuan sugjerimet e tij për t’i dhënë informacion komisionit të Waxman-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›