E Diel, 1 Nëntor 2026

PS propozon: Karta falas për ata që nuk kanë pasaportë

Nga

Partia Socialiste përmes kryetarit të saj, Edi Rama, paraqiti dje një projektligj që synon t’i japë zgjidhje situatës së pajisjes me karta identiteti para zgjedhjeve.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Rama tha se situata shqetësuese ka bërë që PS të paraqesë një nismë të tillë ligjore.

Sipas tij, dështimi i zgjedhjeve do ishte tragjik për Shqipërinë.

“Ne sot jemi shumë të shqetësuar për numrin zyrtar jashtëzakonisht të madh të qytetarëve pa pasaportë në raport me kohën jashtëzakonisht të shkurtër që ka mbetur për pajisjen e tyre me kartë identiteti, pa llogaritur faktin që sipas të dhënave tona ky numër është edhe më i madh.

Ne sot jemi shumë të shqetësuar për vetë fatin e zgjedhjeve të ardhshme, të cilat, pa ndryshimin e kushteve të sotme, rrezikojnë të kthehen në një tjetër ngjarje dramatike për demokracinë shqiptare, ku qindra-mijëra njerëzve u hiqet praktikisht e drejta kushtetuese për të votuar”, - tha Rama.

Më pas ai paraqiti propozimin e tij për dhënien e kartave falas atyre kategorive që nuk mund ta përballojnë atë dhe që nuk kanë pasaportë. Rama tha se, kush aplikon para zgjedhjeve, do e marrë dokumentin falas.

“Ja pse u shtrojmë sot, të gjitha palëve në Kuvendin e Shqipërisë, një propozim konkret që mendojmë se duhet të kthehet në ligj një orë e më parë për të shpëtuar zgjedhjet dhe nderin e vendit tonë, duke u dhënë të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që s’kanë pasaportë mundësinë e aplikimit, pavarësisht nëse gjendje e tyre ekonomike nuk ua lejon. Këta shtetas duhet ta marrin kartën falas, nëse aplikojnë përpara 28 qershorit”, - tha Rama.

Sipas kryetarit të PS, aplikimet e atyre personave që kanë pasaportë duhet të ndërpriten dhe e gjithë puna duhet të përqendrohet te kategoria tjetër.

“Theksojmë se aplikimet e të gjithë shtetasve me pasaportë duhet të ndërpriten deri më 28 qershor dhe një fushatë intensive sensibilizuese duhet të fillojë për të çuar në sportelet e aplikimit të gjithë zgjedhësit pa pasaportë, të cilët janë qartësisht pjesa më e varfër e shoqërisë shqiptare dhe për të cilët dhënia e kartës falas përpara 28 qershorit është e vetmja mundësi për të garantuar të drejtën e tyre kushtetuese të votës”, - tha Rama.

Berisha: Nuk japim karta falas, nuk janë vetëm për votime, janë letra identiteti

Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se nuk ka ndërmend që të shpërndajë karta identiteti falas, ndërsa shtoi se procesi i pajisjes me dokumente identitetit po ecën me ritmet e duhura. Ai e quajti qëndrimin e opozitës zhurmë që synon nxirjen e procesit.

“Ky proces po ecën me ritme, të cilat kanë arritur rreth 12 mijë aplikime në ditë. Deri tani, janë 277 mijë aplikime, janë mbi 125 mijë karta të prodhuara për Tiranën, të shpërndara në qendrat e minibashkive.

Me gjithë zhurmën e pabazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshme në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët evropianë, pra me gjithë fushatën nxirëse, siç ju e shihni, 277 mijë qytetarët kanë aplikuar për karta.

Nga kontingjenti prej 700 mijë qytetarësh që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë”, - tha Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

Kryeministri tha se masat e marra për uljen e çmimit të kartave për disa kategori kanë dhënë efekt.

“Ata, të cilët iu ranë borive se procesi po dështon dhe nuk po ecën, e marrin përgjigjen me statistika. Masat që mori qeveria për uljen nën kosto të çmimit të kartave, për buxhetorët me 20 për qind, për pensionistët me 35 për qind, për studentët dhe ata që marrin ndihmë ekonomike me 46 për qind, kanë pasur efektin e vet shumë pozitiv.

Shfrytëzoj edhe njëherë këtë moment për t’iu bërë thirrje qytetarëve që të paraqiten në zyrat përkatëse për të tërhequr kartat e prodhuara”, - u shpreh kryeministri.

Duke komentuar propozimin e PS, Berisha tha se nuk do të shpërndajë karta falas, sepse ato nuk janë vetëm karta votimi, por janë letra identiteti.

“Natyrisht, përpjekjet për t’i shndërruar këto në karta votimi, ashtu siç ndodhi në vitin 1997, që u shpërndanë falas dhe shumica e tyre përfunduan në lumin Lanë, janë përpjekje për të bllokuar procesin, janë përpjekje dhe kërkesa se si të zhvlerësosh totalisht procesin dhe t’i shndërrosh këto karta në ato lloj kartash votimi. Por ato nuk janë thjesht karta votimi, por janë letra identiteti, me të cilat, në një të ardhme jo të largët, do të mundet të udhëtohet, sepse janë të pajisura me dy çipe, pra janë të standardeve më të mira”, - tha Berisha.

“Opozita le të jetë e qetë, por edhe shqiptarët duhet ta dinë, se këto zgjedhje do të kenë infrastrukturën më të mirë teknike se çdo proces zgjedhor tjetër në historinë e këtij vendi. Listat paraprake të votuesve janë publikuar, ndërkohë, ashtu siç ju e keni parë, bashkitë, komunat i kanë gjetur ato të përshtatshme. Natyrisht, çdo lloj vërejtjeje dhe objeksioni i tyre është i mundshëm elektronikisht për t’u zgjidhur me shpejtësi”, - përfundoi kryeministri.

Meta: ODIHR të propozojë konkretisht zgjidhje për situatën

Kryetari i LSI, Ilir Meta, tha pas takimit me përfaqësuesit e OSBE/ODIHR se duhet një zgjidhje e shpejtë për çështjen e kartave të identitetit. Ai tha se ODIHR mund të japë një propozim për këtë situatë.

Meta akuzoi dy partitë e mëdha për gjendjen.

“Ajo që dua të theksoj me shqetësim është pikërisht, që vonesa e jashtëzakonshme, që u bë për miratimin e Kodit Zgjedhor, thjesht për interesa të ngushta të lidershipeve të dy partive, ka sjellë tashmë një kolaps për sa i takon pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti. Koha që ka mbetur në dispozicion është tepër e ngushtë, më pak sesa dy-tre muaj, ndërkohë që bëhet fjalë për qindra e mijëra shqiptarë, që nuk kanë pasaporta e që duhet të pajisen me karta identiteti.

Besoj se demagogjia e zotit Berisha, jo vetëm që nuk është më e tolerueshme, por është një rrezik tepër serioz për garantimin e këtij standardi elementar që garanton, të paktën, pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë në votime. Për ne duhet një zgjidhje e shpejtë. Prej muajsh kemi thënë që zgjidhja është që qeveria të subvencionojë kartat e identitetit për qytetarët shqiptarë, sidomos për ato kategori dhe ato shtresa, të cilat jetojnë në kushte tepër kritike të varfërisë, si pasojë e shtrenjtimit të kostos së jetesës, dhe për të cilat pajisja me një kartë identiteti është shumë e kushtueshme dhe vetëm në këtë mënyrë do të ketë mundësi që të respektohet Kodi aktual. Pra, që qytetarët të votojnë ose me pasaporta, ose me karta identiteti”, - tha Meta.

“Ne prej kohësh kemi paralajmëruar mungesën e vullnetit politik të të dy palëve për zgjedhje të ndershme e të lira në Shqipëri. Kemi paralajmëruar që këto dy palë synojnë zgjedhje me marifete dhe jo zgjedhje me standarde, dhe nuk do të habiteshim për çdo lloj skenari që do të paraqitej në kurriz edhe të atyre pak standardeve, që kanë ngelur pa u shkelur deri tani. Mendojmë që duhet një zgjidhje dhe i kemi kërkuar edhe ODIHR, që përveç raportit, të propozojë dhe zgjidhje konkrete, përderisa OSBE ka dhënë garancitë dhe në atë Kod, pavarësisht nga cenimi i disa prej rekomandimeve të saj për zgjedhjet, që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - vijoi më tej kryetari i LSI.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›