Flamuri i shpjegon Aldos politikën e re në PD
Flamuri dje ishte në humor. E kishte kapur gazi që nga debati i një nate më parë tek emisioni “Opinion” dhe nuk i ikte e qeshura. - Ah, këta kopilët, mendojnë se është kollaj të bëhesh politikan. Po unë kam 14 vjet në oborr të PD dhe akoma s’ia kam marrë dorën. Këta mendojnë se futen në zyrë e bëhen politikanë. Unë flas dhjetë herë në ditë me atë burrin dhe nuk ndihem.
Pastaj qeshte me të madhe, se i kujtohej Gerti Bogdani si ngeli si tuhaf, kur i tha ajo çupa që kemi shkuar bashkë tek Edi Rama më 2005. Hahaha, qeshte me vete, dhe qeraste gjithë klubin te PD, kushdo që hynte.
- Çfarë ke Flamur që je në humor sot? - e pyeti Aldo Bumçi, i cili ka filluar shkon në PD, me shpresë se mos Flamuri i jep para kohe çelësat e degës së Tiranës.
- Po ç’të kem? - i tha Flamuri. - I pe ata mbrëmë në televizor, ata që duan të bëhen politikanë? Kujtojnë se është kollaj. Unë kam 14 vjet dhe nuk jap intervista dhe nuk dal në televizor. Pse nuk dal, nuk di të flas unë? Di, po nuk quhet, se flas si ai burri. Dhe kur ngre dorën, e ngre si ai burri, dhe kur ngre gishtin, e ngre si ai burri. Por ama e di këtë defekt dhe nuk dal. Ata as këtë s’dinë ta bëjnë e duan të dalin në televizor.
- Vërtet, - tha Aldo, - dhe unë kam filluar ta bëj pak atë me gisht, po e kam pak vështirë.
- Mos u mërzit, se të mësohet dora vetiu. Po s’ke faj, se tani kemi katër vjet pa mbledhje dhe s’ke ku e shikon. Unë e kam pasur në opozitë, se atëherë bënim mbledhje çdo muaj, se s’kishim ç’bënim. Po Gerti Bogdanin e pe si ngeli si guhak, kur i tha ajo goca që kemi shkuar bashkë tek Edi Rama? S’dinte ç’të thoshte. Hahaha, çfarë budallai!
- Po s’ka ndonjë gjë të keqe që ka shkuar tek Edi Rama. Dhe unë kam shkuar për punë te Fatos Nano, kur ishte kryeministër. I thashë më merr specialist për integrimin. “Mirë”, - tha. Më pa CV pastaj dhe tha “s’bën”, se demek babai im paska qenë burrë i keq, sipas tij. Njerëz që merren me biografi. Se për këtë ma anuloi.
- Pu pu, paske shpëtuar për qime, se s’do ishe bërë tani deputet i yni.
- Po s’ka gjë, do isha bërë i atyre. Unë thjesht të kontribuoj dua. Kush të ketë nevojë. Kështu që nuk e shikoj të keqe këtë që ka bërë Bogdani që ka shkuar me gruan në fillim tek Edi Rama.
- Po si mo s’e shikon të keqe, po paska aplikuar dhe për projekte në bashki.
- Po ç’të keqe ka, dhe unë kam aplikuar tek Ermelinda Meksi për projekte. Dhe kam marrë gjithë ato. Më thoshte Majlinda Bregu një ditë që “kam gjetur gjithë projektet që të ka financuar qeveria socialiste”. ǒtë keqe ka, ajo kohë ishte.
- Ore i ke mendtë ti, si s’ka të keqe. Ti mendon që emisionin e shikon vetëm vjehrri i Bogdanit që është socialist. Po e shikojnë dhe demokratë, çfarë t’u them unë atyre? Se te unë vijnë përplasen ata.
- Po ku e di unë i shkreti. Thuaju ajo kohë ishte. ǒfaj ka ai tani se dhe ju e teproni me këto gërmimet në biografi.
- Eh mixhë, këto që m’i the mua, mos i thuaj në takime këtë javë, sa të bëhen zgjedhjet në PD, se s’merr asnjë votë, t’i mori Besniku të gjitha. Se mjafton të thotë ai që ke kërkuar punë te Fatos Nano, ke marrë pará nga Ermelinda Meksi, dhe këto gjepurat që më the mua, dhe iku mixhë, u dogje. Del ndonjëri thotë që është dhe dhëndri i Zhulalit që na la ushtrinë më ‘97 rrugëve dhe aq duhet, se kështu merr kot kjo partia jonë ndonjëherë.
- Po më mirë është të mos merremi me biografi, - tha Aldo.
- Mirë do ishte, po ja që ai burri e ka qejf. Harron ti çfarë lexon në konferenca për shtyp, gjithë biografitë e botës. Kështu është kjo punë.
- Të drejtë ke, por ky debati politikanë të rinj, politikanë të vjetër duhet bërë me kujdes. Të thuhet për shembull që disa politikanë kanë lindur më herët, disa kanë lindur më vonë, por njësoj janë të gjithë. Se na futet përçarja në parti pastaj.
- Eh, atë e di unë, - tha Flamuri, - po te ne përçarja futet me urdhër. Ka rregulla këtu. Nuk na është futur ndonjëherë përçarja pa pasur mendjen. Po të dua unë, d.m.th., po u konsultova unë me atë burrin, vendosim që futet përçarja. P.sh., kur të futet përçarja për ty, do flas unë me atë burrin dhe ai do më thotë mua. “Ti Flamur s’më ke thënë që Aldo ka kërkue punë te Fatos Nano. Jo s’më ke thënë. Tani i gjeta dokumentet, m’i gjeti Gjergj Lezhja në arkiv. Jo, s’më ke thënë as që ka marrë pará nga Ermelinda, jo s’më ke thën녔 E kështu me radhë. S’të kam thënë, do t’i them unë, më fal. Dhe pastaj i jap urdhër rojës unë: “Mo ta shoh më këtu atë Aldon”. Kaq e ikën mixhë. Kjo quhet përçarje. Mos mendo që vjen vetë ajo.
Aldo u hutua aq shumë nga shpjegimi i përçarjes, sa nuk foli më asnjë fjalë. Kur doli te dera, ktheu dhe një herë kokën nga Flamuri dhe i hutuar siç ishte, i tha:
- Po nuk i gjeti ato letrat ai burri, fillon përçarja?
- Oh, mos vrit mendjen, se letrat i ka ai, po s’të ka në plan për përçarës. Kur t’i duhesh, të lajmëroj unë një ditë para.