E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko në panik, i shkruan Ina Ramës

Gjykata e Apelit në Vlorë rihap dosjen e tragjedisë së 9 janarit

Deputetët e Partisë Demokratike të rrethit Shkodër, i bënë thirrje dy ditë më parë organit të akuzës që të rinisë hetimet për këtë ngjarje të rëndë ku humbën jetën 29 shqiptarë nga qyteti verior. Ata kanë deklaruar se drejtësia janë dënuar vetëm shërbëtorët ndërsa shpërdoruesit e detyrës, përfaqësuesit shtetërore të asaj kohe, vazhdojnë jetën dhe karrierën politike. 

TIRANE - Ish-Ministri i Mbrojtjes, aktualisht deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko, ka demonstruar një akt tejet të vonuar trimërie. Pesë vjet pas ngjarjes tragjike Majko ka marrë dje guximin për t’i dërguar një letër dërguar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, duke kërkuar rihapjen e hetimeve për tragjedinë e 9 janarit 2004.
Në letrën e tij Majko shprehet se është në mbështetje të familjarëve të viktimave që të verifikohet “çdo lloj aludimi i bërë si më parë ashtu edhe sot për periudhën që unë kam drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes për këtë çështje”. Në letrën e tij dje Majko pretendon se akuzat ndaj tij janë thjesht aludime. Megjithatë nuk rezulton kështu nëse i referohesh raportit që ish-Zëvendëskomandanti i Flotës Detare të Vlorës, Bektash Petoshati, lexoi para Komisionit Parlamentar të Sigurisë në vitin 2006, pa praninë e mediave. Interesant është fakti se në konkluzionet përmbyllëse të këtij materiali konciz, ushtaraku i lartë pohon me fakte konkrete mbulimin e së vërtetës nga ana e strukturave përgjegjëse shtetërore të kohës, paaftësinë dhe largimin e përgjegjësisë nga vetja të ish-Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko, ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Pëllumb Qazimi si dhe heshtjen e ish-Presidentit Moisiu para një
situate të tillë.
Megjithatë kjo kërkesë e Pandeli Majkos vjen si “kofini pas të vjelit” pasi po dje paradite Gjykata e Apelit në Vlorë vendosi rihapjen e kësaj dosjeje. Ky organ ka vendosur në këtë mënyrë të marrë në mbrojtje kërkesat e grevistëve, të cilët janë familjarët e të humburve nga kjo tragjedi, për rihapjen e hetimeve të ngjarjes së rëndë e cila ndodhi 5 vjet më parë në ujërat e Adriatikut. Gjykata e Rrethit Vlorë ka pasur dhjetë të dënuar nga të cilët janë gjashtë me 25 vite heqje lirie dhe 5 prej tyre janë të dënuar në mungesë.
Mbrëmjen e 9 janarit të vitit 2004, 28 persona u nisën me një gomone për në Itali, por gjetën vdekjen në Karaburun, duke hapur plagë të thella në familjet që humbën të dashurit e tyre. Familjarë të tragjedisë së 9 Janarit, kërkojnë të zbardhet sa më shpjet kjo ngjarje. Ata i bëjnë apel shtetit për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të dalë e vërteta për tragjedinë e rëndë. Tragjedia ka shënuar 28 viktima, trupat e 8 prej të cilëve nuk janë gjetur. Vetëm një ditë më parë edhe deputetët e Partisë Demokratike të rrethit Shkodër, i bënë thirrje organit të akuzës që të rinisë hetimet për tragjedinë e 9 Janarit, ku humbën jetën 29 shqiptarë nga qyteti verior.
Deputetja Arenca Trashani deklaroi dy ditë më parë për mediat se sistemi i drejtësisë dhe Prokuroria, kanë qenë dhe mbeten një sistem i kalbur dhe i korruptuar. Ligjvënësja demokrate, bëri të ditur se nga drejtësia janë dënuar vetëm shërbëtorët ndërsa shpërdoruesit e detyrës, përfaqësuesit shtetërore të asaj kohe, vazhdojnë jetën dhe karrierën politike. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›