Majko sërish në grupin parlamentar
• Ish-kryetari i grupit parlamentar socialist, Pandeli Majko është rikthyer dje në mbledhjet e grupit parlamentar socialist. Majko mungonte nga mbledhjet e grupit që prej dorëheqjes së tij nga dy postet e larta që mbante në PS. Madje me humor, një pjesë e deputetëve socialistë e kanë justifikuar kthimin e tij në mbledhjet e grupit me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “U desh të shpallej Kosova e pavarur që të kthehej Pandi në mbledhjet e grupit”, janë shprehur me humor disa deputetë të grupit socialist. Në fakt, Majko mungon në mbledhjet e grupit që prej Kongresit të 9 prillit kur delegatët e kongresit hodhën poshtë me votim të hapur platformën “Ftesë për mirëkuptim”, të paraqitur prej tij, Petro Koçit dhe një grupi tjetër deputetësh. Të nesërmen e Kongresit të PS-së, në një konferencë për shtyp, Majko deklaroi dorëheqjen e tij, nga kreu i grupit dhe nga posti i sekretarit të Përgjithshëm. Në Kongresin e 9 prillit të PS-së, Majko gjatë fjalës hapëse të kongresit i bëri thirrje kryetarit Rama dhe mbështetësve të tij, që të tërhiqeshin nga reformimi i partisë, që synohej të bëhej duke ndërprerë mandatet e të zgjedhurve.