Vizat me Maqedoninë, sot firma mes Berishës e Gruevskit
• Shqipëria dhe Maqedonia do të nënshkruajnë sot marrëveshjen për heqjen e regjimit të vizave mes tyre.Adi ShkëmbiNënshkrimi do të bëhet gjatë paradites pas takimit të Kryeministrit Sali Berisha me homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski. Në këtë mënyrë pas shumë debatesh mediatike lidhur me ardhjen në Tiranë të kryeministrit maqedonas, firma që do të hidhet sot do të heqë përfundimisht vizat për kalimin e kufirit. Kreu i qeverisë maqedonase ka ardhur dje në Tiranë rreth orës 18 dhe së bashku me delegacionin që e shoqëron është akomoduar në hotel Sheraton. Gjatë ditës së sotme Gruevski pritet të ketë një axhendë tejet të ngjeshur, ku do të takojë krerët më të lartë të vendit. Kështu në orën 09:30 do të zhvillohet ceremonia e pritjes në kryeministri dhe në orën 09:40 do të ketë një takim kokë më kokë me Kryeministrin Berisha për 10 minuta. Në orën 10:00 do të zhvillohen edhe bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve, atij shqiptar dhe atij maqedonas, të cilat do të pasohen nga nënshkrimi i marrëveshjes së heqjes së vizave. Në orën 11:20 dy kryeministrat do t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve ku në qendër të vëmendjes pritet të jenë çështja e vizave dhe qëndrimi i Tiranës dhe Shkupit për pavarësinë e Kosovës. Në orën 12 kreu i qeverisë maqedonase do të takohet për 30 minuta me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe më pas do të marrë pjesë në drekën që do të shtrojë Kryeministri Berisha. Në orën 14:40 kreu i qeverisë maqedonase do të jetë në zyrën e Presidentit Bamir Topi dhe në orën 17:00 ai pritet të niset për në Maqedoni, për të mbyllur vizitën dyditore në Tiranë. MarrëveshjaMomenti më i rëndësishëm i vizitës së Gruevskit në Tiranë, pritet të jetë nënshkrimi i marrëveshjes që u jep të drejtë qytetarëve të dy vendeve të kalojnë kufirin pa vizë. Marrëveshja, e cila për pak mund të kishte ndikuar ndjeshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, nëse nuk do të kishte një tërheqje të Shkupit, u firmos nga ekspertët e të dyja palëve më 5 shkurt. Sipas Ligjit maqedonas, marrëveshja do të hyjë në fuqi menjëherë pasi Gruevski të hedhë firmën, ndërsa për Shqipërinë do të duhet që ajo të ratifikohet më parë në Parlament. Në ndryshim nga pak muaj më parë, ku shtetasit shqiptarë mund të merrnin një vizë në ambasadën në Tiranë ose në kufi (respektivisht me 5 dhe 10 euro), pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje do të duhet që në kufi të tregojnë vetëm pasaportën dhe mund të kalojnë në vendin tjetër. “Delegacionet diskutuan me hollësi dhe u morën vesh për një marrëveshje të re, e cila do të sigurojë një regjim të lirë pa viza dhe taksë hyrëse ndërmjet dy vendeve. Mbi bazën e këtij teksti për të cilin është rënë dakord, shtetasit e të dy vendeve do të mund të udhëtojnë dhe qëndrojnë lirisht në vendin tjetër për një periudhë kohore prej 90 ditësh, brenda një afati kohor prej 180 ditësh”, thuhet në deklaratën e përbashkët për shtyp pas raundit të dytë të bisedimeve mes dy palëve. Gjithashtu, në këtë marrëveshje janë parashikuar lehtësira akoma më të mëdha për banorët e zonave kufitare.BisedimetÇështja e regjimit të vizave mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë, u bë publike rreth muajit dhjetor të vitit të kaluar, kur u zhvillua edhe raundi i parë i bisedimeve në Tiranë mes ekspertëve. Bisedimet, të cilat duhet të arrinin në përcaktimin e një drafti lidhur me dokumentet që duhet të paraqesin për të kaluar kufirin. Pas këtij raundi të parë një tjetër raund do të zhvillohej në fund të janarit, por nga pala maqedonase u kërkua shtyrja për një javë. Shkupi vendosi që më 1 shkurt të përdorte regjimin e ri, i cili rriste burokracitë në kufij, por pas insistimit të Tiranës, vendimi u shty për 15 ditë. Ndërkohë në datën 5 shkurt u arrit edhe marrëveshja mes dy vendeve, ç’ka bëri të pavlefshëm ligjin “Për të huajt”, të miratuar rreth një vit më parë në Parlament. MarrëveshjaShtetasit e të dy vendeve do të mund të udhëtojnë dhe qëndrojnë lirisht në vendin tjetër për një periudhë kohore prej 90 ditësh, brenda një afati kohor prej 180 ditësh. Shtetasit e të dy vendeve nuk janë të detyruar të paguajnë asnjë tarifë për të hyrë në vendin tjetër. Dokumenti i vetëm i shtetasve të dy vendeve për të kaluar kufirin është pasaporta. Shtetasit që janë 20 km larg kufirit në të dyja vendet, mund të kalojnë në vendin tjetër me një dokument “leje kufitare” dhe të qëndrojnë deri në 7 ditë në vendin tjetër. Ky rregull për qytetarët në kufi është i vlefshëm vetëm nëse ata do të ushtrojnë aktivitet deri në 20 km largësi nga kufiri (nga të dyja anët).