E Diel, 1 Nëntor 2026

Majlinda Bregu: Largimi i Shaqirit sipas Kushtetutës, SHISH, agjenci e ekzekutivit

Gazeta Shqip

Këshilli i Ministrave, përmes zëdhënëses dhe njëherësh ministres së Integrimit, Majlinda Bregu reagoi ashpër ditën e sotme ndaj akuzave të ngritura nga PS lidhur me shkarkimin e kreut të SHISH, Bahri Shsqiri dhe emërimin në vend të tij të Visho Ajazit.

Bregu i konsideroi si mjerane dhe trillime deklaratat e përfaqësuesve të PS nëpër media lidhur më të ashtuquajtur uzurpim institucionesh, duke renditur një sërë rastesh dhe emrash për të treguar se PS ka emëruar në krye të institucioneve të rëndësishme shtetërore, figura partiake në kohën kur ishte në qeverisje. Ministrja e Intergrimit solli shembullin e Fatos Klosit, i cili u zgjodh nga PS në krye të SHISH, në kohën që sipas Bregut ishte një figurë tërësisht politike dhe i përfshirë në afera kriminale.

Stuhia histerike e Zotit Rama dhe shpurës së tij kulmuan pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, Bahri Shaqiri, i emëruar në janar të 2005 në këtë detyrë nga qeveria socialiste.
Zoti Rama që derdh lot, këto ditë, për largimin, në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, të zotit Shaqiri dhe emërimin në këtë detyrë të zotit Visho Ajazi, harron se në çdo vend të lirë të botës, Shërbimi Informativ është agjenci e ekzekutivit dhe jo pronë apo forum i ndonjë partie politike.

Zoti Rama dhe suita e tij mediatike bëhen qesharakë kur çirren dhe vajtojnë se u zëvendësua pas tetë vjetësh, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, ndërkohë që qeveritë socialiste, gjatë tetë viteve në pushtet, ndërruan tre drejtorë të këtij Shërbimi dhe nuk nguruan të vendosin në krye të tij, në emër të depolitizimit, anëtarin e kryesisë së PS-së, Fatos Klosin, të ndjekur nga shërbimet e vendit, për lidhje agjenturore me shërbime të huaja dhe të akuzuar botërisht si trafikant armësh, i shkarkuar nga Kryeministri Majko për kontrabandë, thuhet në deklaratën për shtyp të qeverisë.

Më tej, zëdhënësja e qeverisë ka vlerësuar kreun e ri të sapozgjedhur të SHISH, Visho Ajazi i cili sipas saj është një personalitet i shquar i vendit, jo partiak, me një karrierë akademike dhe zyrtare ndër më të shkëlqyerat.
Dekretimi nga ana e Presidentit të sapozgjedhur të Republikës, Bujar Nishani, i shkarkimit të kreut të SHISH, Bahri Shaqiri dhe emërimi në vend të tij i Visho Ajazit prej ditësh ka shkaktuar një stuhi politike dhe është interpretuar nga ana e PS, si një kapje e shtetit dhe institucioneve.
12 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)

Majlinda Bregu: Largimi i Shaqirit sipas Kushtetutës, SHISH, agjenci e ekzekutivit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›