Makiavelizmi i Metës dhe pragmatizmi i Blushit
"Makiavelizmi i Metës" dhe "Pragmatizmi i Blushit" janë dy koncepte të futura në politikën shqiptare nga dy figura të njohura politike: Ilir Meta dhe Ben Blushi. I pari e ka përdorur termin "Makiavelizëm" në shumë deklarata publike, pavarësisht kontekstit në të cilin ky koncept u përdor. Koncepti "pragmatizëm" ka të bëjë me deklaratën dhe strategjinë e socialistit Blushi për ta kthyer Partin Socialiste në një forcë politike pragmatiste. Po si përkufizohen këto dy koncepte dhe si janë ato të lidhura me individët që i kanë shprehur dhe politikën shqiptare si mbartëse të tyre.
"Makiavelizmi i Metës" është i lidhur ngushtë me veprën klasike të Nicolo Makiavelit, "Princi" (The Prince), i cili konsiderohet si një manual për "princin" për të fituar dhe mbajtur pushtetin dhe dominancën e tij mbi popullin. Makiavelizmi pretendon se një shoqëri nuk ka asnjë bazë morale, mbi të cilën të gjykojë diferencën midis përdorimit dhe përfitimit legjitim ose jolegjitim të pushtetit. Kjo bazohet në argumentin Makiavelist se, kush posedon pushtetin, rrjedhimisht posedon dhe autoritetin dhe të drejtën të komandojë. Për Makiavelin, morali dhe ligji nuk kanë vend në politikë apo në sjelljen e "princit".
Për Makiavelin, "princi" duhet të posedojë "virtytet" që do t'i bëjnë atij të mundur mbajtjen e pushtetit dhe ushtrimin e dominancës së tij mbi popullin e vet. Por "virtytet" nuk janë të njëjta me "virtytet" e sanksionuara nga shoqëria që udhëhiqet prej tij. "Virtytet" e "princit", madje, mbartin edhe vlera të kundërta nga ato të shoqërisë që mund të cilësohen edhe imorale, si mashtrimi, shitja, blerja, kurthet, klanizmi, klientelizmi, puçizmi, etj.
Me pak fjalë, Makiaveli thekson se ekzistojnë dy standarde vlerash dhe morali: (1) një standard i vendosur nga shoqëria dhe që normon aferat dhe marrëdhëniet midis individëve dhe grupeve shoqërore dhe që ruan stabilitetin shoqëror, dhe (2) një standard tjetër i vendosur posaçërisht për "princin" dhe nga "princi". Kjo ide e standardeve dyfishe u përqafua nga realistët si Ruso, Morgenthau, Waltz, dhe Mearsheimer, të cilët e konsideruan atë në vazhdimësi si "reason d'etat" ("reason of state") ose shqip si "arsyeja e shtetit". Ky koncept i formuluar nga realistët u jep të drejtë udhëheqësve të një shteti të veprojë bazuar në dy standarde: (1) Standardi i parë ka të bëjë me qeverisjen brenda shtetit bazuar në vlerat, moralet, dhe normat e vendosura nga shoqëria. (2) Standardi i dytë ka të bëj me moralin dhe normat për të qeverisur në arenën ndërkombëtare. Morali i standardit të dytë është mbështetja në forcat e veta për të mbijetuar në një sistem ndërkombëtar anarkik, e promovuar kjo më së shumti nga Mearsheimer.
Duke konsideruar lëvizjet politike të këtyre viteve të fundit, mund të them se Ilir Meta u ka qëndruar besnik shumë parimeve Makiaveliste të artikuluara dhe të shfaqura prej tij në arenën politike shqiptare. Meta beson se shoqëria shqiptare nuk ka një bazë morale mbi të cilin të gjykojë diferencën midis një veprimi apo pushtet legjitim dhe jolegjitim. Kjo gjë është e shprehur më së miri në koalicionin që ai realizoi me Sali Berishën dhe në ilegjitimitetin politik që ka Parlamenti i ri, për shkak se akoma nuk dihet se kush ka vjedhur dhe kujt i janë vjedhur mandate politike, përderisa ka kuti dhe mijëra fletë votimi të panumëruara ose me parregullsi të theksuara në numërim. Meta beson tek ideja se kush posedon pushtetin, rrjedhimisht posedon edhe autoritetin dhe të drejtën për të qeverisur. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Meta akuzoi Berishën për vrasje dhe vjedhje të votës së lirë dhe për ilegjitimitet të institucioneve politike. Por ky qëndrim ndryshoi, pasi atij iu ofrua pjesëmarrja në qeverisje. Ndaj, qëllimi dhe fokusimi i Metës është pushteti, marrja dhe mbajtja e atij pushteti, por jo legjitimiteti i tij.
Meta beson se "virtytet" janë ato tërësi vlerash që e ndihmojnë të marrë dhe të mbajë pushtetin, pavarësisht se ato mund të jenë ilegjitime apo imorale si shitja, blerja, klientelizmi, maskarallëku etj. Meta beson se ka dy standarde morale: një për Metën si "princ" dhe një standard tjetër që inkorporon vlerat, besimet, dhe normat e vendosura nga shoqëria shqiptare. Standardi i "princit Meta" ka lidhje me ardhjen dhe mbajtjen e pushtetit nga "princi". Standardi i dytë i vendosur nga shoqëria shqiptare ka të bëjë me atë tërësi vlerash, besimesh, dhe normash që rregullojnë marrëdhëniet midis individëve dhe grupimeve sociale, dhe që, rrjedhimisht, sigurojnë stabilitetin dhe jetëgjatësinë e kësaj shoqërie.
Nëse Ruso, Makiaveli, Morgenthau, Waltz, dhe Mearsheimer e konsiderojnë këtë standard dyfish si "reason d'etat" (arsyeja e shtetit), unë do e konsideroja këtë standard dyfish të Metës si "reason d'prince" (arsyeja e princit...Meta).
Por, të mendosh se pasja e pushtetit sjell legjitimitetin, autoritetin dhe të drejtën për të sunduar mbi një popull, kjo mund të konsiderohet shumë monstruoze, sidomos kur hedh sytë mbrapa në histori dhe kujton "princa" të tipit Hitler, Stalin, dhe Hoxha. A mundet populli shqiptar të legjitimonte dhe t'i jepte të drejtën diktatorit Hoxha, vetëm sepse ky i fundit kishte pushtetin, pavarësisht se ky pushtet ishte i lyer deri në gju me gjak dhe i bazuar në mashtrime, kurthe dhe intriga?? Normalisht, populli dhe shoqëria shqiptare kurrë nuk do ta përligjnin apo sanksiononin moralisht këtë soj pushteti. Po për Makiavelistët, pushteti enverist ishte legjitim dhe i moralshëm për vetë faktin se Hoxha kishte pushtetin.
Në vazhdim, Benedeto Croce e shikon makiavelizmin në dy lloj formash: "realist" dhe "pragmatist". Kjo ide na sjell neve tek "Pragmatizmi i Blushit". Pragmatizmi si koncept dhe teori ka marrë jetë nga mendimet e George Hegel-it dhe David Hume (babai i pozitivizmit) dhe është zhvilluar në detaje nga filozofët dhe psikologët amerikanë si Pierce, James dhe Dewey. Thelbi i teorisë së tyre pragmatiste është se e vërteta dhe kuptimi i saj cilësohet bazuar në pasojat dhe efektet që janë empirikisht të vërtetuara përmes testimit në jetën e përditshme. Për pragmatistët, ideali është i vërtetë vetëm atëherë kur ai funksionon në jetën e përditshme.
Por "Pragmatizmi i Blushit" nuk është pragmatizëm filozofik dhe psikologjik, por një pragmatizëm politik. Është ky pragmatizëm politik që i jep atij nuanca dhe karakteristika makiaveliste. Për Blushin nuk ka rëndësi nëse populli apo elektorati i majtë ka ideale, norma, apo morale. Për Blushin, morali dhe ideali testohen dhe vërtetohen vetëm në terren me ardhjen në pushtet të "princave". Për Blushin, veprimi i Metës për të sulmuar PS-në dhe të majtën dhe bashkimi i tij në qeveri me Berishën, mund të konsiderohet "pragmatizëm", pasi ardhja e Metës në pushtet vërteton idealin dhe moralin e vërtetë të LSI-së. Meta e konsideron këtë "makiavelizëm".
Gjithashtu, për Blushin nuk ka rëndësi vullneti i socialistëve apo gjendja e demokracisë në Shqipëri. Për Blushin ka rëndësi që një ditë ai të marrë fronin e "princit" e të vazhdojë adetin princëror për të pragmatizuar Partinë Socialiste. Për Blushin, një bashkim me Berishën mund të konsiderohej pragmatizëm, pasi ideali dhe morali i këtij bashkëpunimi do të justifikohej dhe vërtetohej me ardhjen në pushtet të "princave" të të dy krahëve. "Makiavelizmi i Metës" dhe "Pragmatizmi i Blushit" kanë të përbashkët idenë se të dy e konsiderojnë pushtetin si qëllim dhe se ç'do vlerë, ide, apo (i)moralitet shërben si mjet për arritjen e këtij qëllimi. Këto tërësi vlerash dhe idesh përbëjnë "virtytet" e "princave".
"Pragmatizmi i Blushit" do të thotë që "princat" e politikës Shqiptare kanë të drejtë të mashtrojnë një popull apo një elektorat dhe se kjo e drejtë përligjet nga ardhja e "princave" në pushtet. Të deklarosh se do ta kthesh Partinë Socialiste në një forcë politike pragmatiste, do të thotë që "princat" tjetër gjë do t'i deklarojnë dhe premtojnë popullit dhe elektoratit dhe tjetër gjë do të bëjnë në realitet, dhe kjo gjithmonë në funksion të ardhjes në pushtet të "princave".
Vlerësuar nga ky këndvështrim, "Makiavelizmi i Metës" dhe "Pragmatizmi i Blushit" mund të bashkohen një koncept të vetëm, të quajtur "Makiavelizmi i Metës dhe i Blushit". Por këtij soj makiavelizmi mund t'i bashkohet kushdo që si qëllim final ka pushtetin për se dhe jo pushtetin si mjet për të kontribuar në shoqërinë shqiptare për sa më shumë dashuri, lumturi, prosperitet dhe demokraci. Dhe e vërteta e hidhur e shoqërisë shqiptare është se që prej 20 vitesh qeveriset nga politikanë që si virtyt konsiderojnë babëzinë për pushtet, si moral konsiderojnë mashtrimin dhe ligësinë, dhe si ideologji konsiderojnë makiavelizmin.
"O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd! Bile edhe [naltmadhnia] flet në emrin tënd. Një njëri mund të mashtrojë një tjetër për një kohë. Mund të mashtrojë edhe një popull për një farë kohe. Por nuk mund të mashtrojë [kurrë] një popull të tërë për gjithë jetën!"