Ndërtimorja shemb 9 objekte në Elbasan
ELBASAN- Inspektoriati i Ndërtimit në Bashkinë e Elbasanit ka rrafshuar disa objekte në qendër të qytetit. Aksioni u përqendrua në rreth-rrotullimin në afërsi të Alba-Postës, pikërisht në vendin ku po ndërtohet një nga shatërvanët më të mëdhenj në këtë qytet. Ndryshe nga herët e tjera, operacioni i kryer nga fadromat e policisë ka hasur në rezistencën e pronarëve të lokaleve. Për këtë arsye është dashur ndërhyrja e policisë së rendit e cila ka vendosur rregull e qetësi për vazhdimin e mëtejshëm të këtij aksioni.
Sipas disa pronarëve, prishja e ndërtimeve është e padrejtë. Madje njëri prej tyre paraqiti edhe një vërtetim për të treguar se çështja është në proces gjyqësor në gjykatë dhe policia nuk ka të drejtë të prishë objektin. Por shefi i Ndërtimores, Aurel Kaja, u shpreh se prishja e ndërtimeve pa leje është bazuar në vendimin e këshillit bashkiak. "Pronarët e objekteve janë njoftuar komform të gjitha rregullave", tha ai. Më tej sqaroi se "prishja e tyre do të rrisë hapësirat e qarkullimit dhe u do t'iu çelë rrugën projekteve në dobi të komunitetit". Operacioni i sotëm rrafshoi 9 objekte biznesi që funksiononin si bar-kafe dhe dyqane. Burime të Ndërtimores pohuan se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të larguar nga sheshet dhe rrugët e qytetit ndërtimet e fundit pa leje.