Zjarri djeg tre shtëpi, dhjetëra të rrezikuara
LEZHË- Zjarri i fuqishëm që ra në fshatrat e Lezhës ka shkrumbuar tre shtëpi, ndërsa policia evakuoi banorët. Flakët nisen në male por janë përhapur me shpejtësi të madhe, të ndikuara nga era e fortë, duke depërtuar në fshatin Kaçinar të komunës Kolsh.
Forcat zjarrfikëse,shtabet e emergjencave civile dhe ushtria janë vënë në gadishmëri por terreni i vështirë malor ka vështirësuar ndjeshëm punën për të shuar zjarrin.
Përhapja e flakëve ka vijuar deri në afërsi të fshatit Manati dhe duket tepër e vështirë për tu vënë nën kontroll. Për këtë rast është kërkuar edhe mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes. Banorët e zonës nuk kanë hezituar të braktisin shtëpitë e tyre, të cilët janë drejtuar për tek të afërmve. Nga të dhënat që vinë si nga drejtuesit e pushtetit lokal por edhe ato të emergjencave civile deri tani është djegur një sipërfaqe prej 300 hektarë.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikës nga Lezha, Kurbini, Mirdita ndërsa në ndihmë janë paraqitur edhe përfaqësuesit e njësive vendore.
Banorët deklarojnë se kanë qenë të detyruar ti braktisur shtëpitë e tyre dhe për të lënë gjithçka në mëshirë të fatit .Ata shprehen se zjarri ka disa ditë që ka rënë në malet e Mirditës, por mos shuarja e tij ka bërë që të depërtojë deri në zonën e Lezhës. Sipas banorëve janë mbi 8 shtëpi të cilat mund të përpihen nga flakët nga momenti në moment dhe është tepër e vështirë për të penguar vërshimin e flakëve. Situata është monitoruar nga afër edhe nga kryetari i komunës Kolsh Andi Marku, i cili ka pranuar djegien e tre banesave dhe rrezikimin e disa të tjerave, por shprehet se janë angazhuar një numër i madh zjarrfikësish dhe punëtorësh të mirëmbajtjes së pyjeve,të cilët edhe po punojnë për shuarjen e flakëve.