'Lëvizja për mendim ndryshe' nis fushatën
TIRANË - 'Lëvizja për Mendim Ndryshe' e inicuar nga deputetët Ben Blushi dhe Arben Malaj ka mbledhur sot bazën socialiste të Tiranës, duke kërkuar maksimalizimin e përgjegjësive brenda të majtës për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ben Blushi, u shpreh në këtë takim se " jemi këtu në bazë të socialistëve sepse besojmë te e majta dhe te ndryshimi i Partisë Socialiste, larg strategjisë së bojkotit të parlamentit dhe për maksimalizimin e përgjegjësive brenda të majtës për të gjetur arsyet pse i humben zgjedhjet".
Me tej tha se "PS i humbi zgjedhjet jo vetëm për shkak të cilësisë së zgjedhjeve, pasi për to mendoj që ishte një shans i humbur për të bërë zgjedhje demokratike, por përgjegjësitë mbeten brenda PS-së e cila nuk i paraqiti shqiptarëve një program të qartë për ta votuar".
Sipas tij e vërteta e kutive të votimit mund të gjendet vetëm duke marrë pjesë në parlament.
Ai e quajti burracak Ramën që largohet duke lënë vendin pa opozitë, që do ta bënte komode në punën e saj çdo qeveri dhe çdo kryeministër.
Ndërsa Ylli Bufi duke folur më konkretisht për ndryshimet që duhet të bëjë PS-ja tha se "PS nuk mundi t'i fitonte zgjedhjet pasi ishte në garë pa kryetarin, pa një program të qartë dhe një vizion të duhur , e paprecedent deri tani në historinë e PS-së", shtoi ai.
Për deputetin Arben Malaj demokracia në PS është cënuar rëndë, mbledhjet e saj janë kthyer në hermetike dhe mendimi ndryshe për të ringritur PS-së po shtypet me solidarizim bolshevik nga Rama. "Ne jemi këtu për të theksuar se jemi kundër bojkotit të parlamentit si i vetmi institucion ku ne mund të bëjmë opozitë", vijoi Malaj.
Katërshja e PS, prezanton 'lëvizjen për mendim ndryshe'
dt 10 shtator
TIRANË- Socialistët që tentuan të kandidojnë për kryetar partie, tashmë shprehen se do të ngrenë një lëvizje që e kanë cilësuar 'për mendim ndryshe'. Nismëtarë janë, Arben Malaj, Ben Blushi, Andis Harasani, dhe Kastriot Islami. Arben Malaj doli dje në konferencë për shtyp ku u shpreh se "të premten do të kemi një takim me publikun, për të qartësuar të gjitha angazhimet që do të ketë kjo lëvizje, e cila nuk është një lëvizje e personalizuar, por është një përgjegjësi që duhet maksimizuar".
Sipas tij, Partia Socialiste duhet të plotësojë misionin e saj në opozitë dhe duhet të japë kontributet modernizuese në politikën shqiptare. Malaj tha se opozita bëhet më e fortë në Parlament, duke qartësuar se kjo katërshe është kundër bojkotit.
"Ne do të kishim një mundësi të plotë, të bënim një opozitë të plotë për qeverinë e krijuar pikërisht në parlament, aty ku kemi edhe mandatin tonë. Sapo të na jepet kjo mundësi, kjo opozitë do të jetë e plotë, e qartë për të gjitha rreziqet dhe për të gjitha defektet që kjo qeveri mund të sjellë në qeverisjen shqiptare", u shpreh Malaj. Ndërsa të plotë, platformën e tyre, katër kundërshtarët e kryetarit Rama në PS do ta servirin nesër.
Kujtojmë se Arben Malaj dhe Ben Blushi shpallën edhe kandidaturat për kryetar partie, para kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së. Me të paraqitur rezolutën e Blushit për zgjedhjet që mori vetëm 13 vota në kongresin me 150 delegatë, të dy lanë garën për kryetar partie.