E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makiazhi italian nuk e shpëtoi dot Kolonel Gedafin nga turpërimi

Dje për drekë në kryeqytetin e Italisë Romë kishim kolonel Gedafin, president i Libisë. Edhe pse titulli president, nuk i pëlqen atij vetë, ne do ta quajmë “Koloneli G”, duke e marrë termin hua nga Kadareja, me qëllimin e zbërthimit të jetës së tij (sa të mundemi) në këtë shkrim.

Na honeps fakti se kemi të bëjmë me një figurë që ngjason shumë me portretet e diktatorëve stalinistë në juglindjen e Evropës. Dje Koloneli G, erdhi pas shumë kohësh në Itali, me që nga mosha 6-vjeçare e më pas, ai e ka urryer deri në rrënjë gjithçka që ishte italiane. Sidomos atë minën italiane të kohës koloniale, që e plagosi në krah qysh i vogël dhe ku po në të njëjtin vend dy kushërinjtë e tij humbën jetën. Në rininë e tij shkeleshko, ai njihet gjatë frekuentimit të medreseve të ndryshme islamike në Libi me Gamal Naserin, i cili më pas do të jetë as më shumë e as më pak se president i Egjiptit, me të cilin ndanin idetë panarabike.

Dhe që do të kishin marrëdhenie frymëzimi të veçanta diktatoriale më të ardhur në pushtet. 

Ndodh që mbas përfundimit të një kursi ushtarak në Britani, ai kthehet më i egër se kurrë. Bashkë me disa oficerë të tjerë thurin komplotin e shfronëzimit kundër Mbretit Idris I. Libia shpallet Republikë më 1 shator të 1969-s. Si vijim të urrejtjes kapilare që ka për oksidentalët - e në veçanti për italianët - vendos konfiskimin e pasurive të 20 mijë italianëve në Libi, afërmendsh duke shtetëzuar kështu një pjesë të mirë të ekonomisë së vendit. Shumë italianë edhe sot e kësaj dite nuk ia kanë falur këtë gjë dhe pasi kanë kaluar gati 40 vjet. Dje ai shkeli Italinë. Po përse? Në Romë “Koloneli G” pritet ngrohtë nga kryeministri Silvio Berlusconi, i cili më shumë se gjithçka i intereson gazi dhe nafta nga Libia dhe si tjetër në këto raste frenimi i klandestinëve. Të kërkuar me ngulm nga partia e veriut “Lega Nord” që është në qeveri.

Por jo të gjithë e pritën më ngrohtësi kolonel Gedafin. Sidomos opozita e kryesuar nga Partia Demokratike. Dhe një pjesë e mirë e studentëve të La Sapienza-s të cilët e pritën me parullat “jemi të gjithë klandestinë”, duke i shfaquar në sy dhimbjen që kanë shumë panafakët afrikanë kur kalojnë në Libi.

Ai hyri në sallën e madhe të Universitetit të parë të Romës “La Sapienza”, me një kostum të bardhë lini dhe me një spicë jeshile të vënë në gjoks, si simbol i Afrikës, simbole që i kthehen si bumerang, po te kujtojme fatin e afrikanëve që kalojnë përditë kufirin e Xhamaharias Libiane Socialiste të Gadafit për të shkuar në Oksident, për shkak se në vendin e tyre trajtohen si kafshë. Si të mos mjaftonte ky trajtim, ai (Koloneli G) e shton dozën e cinizmit, duke u marrë fatkeqëve edhe përqindjen e kalimit tranzit, për t’i shtyrë më pas drejt vdekjes së sigurt në detin Mesdhe.

Por edhe kur ia dalin të mbërrijnë matanë, në brigjet e Italisë, të shkretët janë subjekte të keqpërdorimit në konferencat islamike, ku Koloneli G rreh gjoksin duke thënë se po e marrim Oksidentin nga brenda.

Një njeri qesharak, shumë i rrezikshëm për ekuilibrat e Mesdheut.

            Mirëpo kolonel Gedafi duhet të dijë se në politikë simboli i veshjes së tij me të bardhë, në Oksident do të thotë se i përket demokracisë kristiane. Veç koloneli eshte krejt i shperndare, edhe pse e ka fort për qejf të thërritet lider më shumë se president, sepse ashtu i kanë thënë se vetëquhen edhe shumë të rëndësishëm të tjerë në botë. Narcizismi i tij konfirmon personalitetin e tij të shumëfishtë: njëherë tregohet si kampion i panarabizmit, e më pas vetë këtë botë e quan kimerw. Më pas, s’vonon të shfaqet si kampion i panafrikanizmit, njëherë tjetër si njeri i paqes e shumë herë të tjera edhe si njeri i terrorit. Të gjithë (në Perëndim të paktën), i kanë ende në mendje atentatet e ardhura me urdhrat e drejtpërdrejta të Kolonelit G. Kujtojmë përshembull atentatet ndaj linjave ajrore si ajo e 1988-s në Lokerbie, Skoci, Itali apo Francë. Kujtojmë kur forcat inteligjente amerikane gjetën materialet që e implikonin drejtpërdrejt kolonel Gedafin në operacionet e atentateve në Evropë, por ai u shmang nga profili i tij fshehtë (por ishte vonë). Materialet u paraqitën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila më pas provoi implikimin dhe i kërkoi Libisë të arrestonte dy qytetarët e saj të dyshuar si ekzekutorët materialë të atentateve. Kërkesa u refuzua katekorikisht nga Koloneli berber, e ateherë nuk ngeli gjë tjetër përpos rrugës legjitime ndërkombëtare. Me rezolutën 748, OKB i vendosi sanksione ekonomike të rënda Libisë, sanksione që rënduan edhe më tepër ekonominë e lodhur libiane.

Gjatë kohës kur president i SHBA-së ishte presidenti Regan, pati edhe inkursione aviatore ndaj pozicioneve libiane. Presidenti amerikan vendosi të ushtronte forcën, pas ngjarjeve dramatike në një diskotekë të Berlinit, ku teksa disa ushtarakë amerikanë po festonin, plasi një bombë e fuqishme, e cila la të vdekur disa efektiva ushtarake të SHBA-së dhe plagosi 250 të tjerë. Dyshimet e para ranë direkt mbi Libinë, dyshime që u pasuan më pas me inkursionin ushtarak të urdhëruar nga Pentagoni. Në natën e 14-15 prillit të 1986-s, avionët amerikanë bombarduan disa pika nevralgjike të Libisë, midis të tjerave edhe shtepinë e kolonel Gedafit. Nga ky inkursion, mbeti e e vrarë e bija e adoptuar e tij.

Kolonel G. shpetoi falë një alarmimi të papritur - siç u tha - nga kryeministri italian i atëhershëm, sockomunisti Betino Kraksi.

Duke u kthyer tek “takimi” i djeshëm me Italinë, gjatë fjalimit të tij përpara senatorëve, “Koloneli G” e kujtoi këtë bombardim, duke lëshur akuza krahasimi midis këtij inkursioni ushtarak dhe atentateve të Osama Bin Ladenit ne Amerikë. Ai i cilësoi të dyja ngjarjet, si dy anë të së njëjtës medalje. Koloneli G u përpoq shumë dje t’u hidhte hi syve italianëve, duke e revizionuar historinë e fakteve me historinë e llogjeve beduine.

Kulti i personalitetit që ky bajraktar berber ka ngritur tek njerëzit e Libisë është i krahasueshëm me diktatorin tonë të vdekur ose me Kim Jongun e II, ende të gjallë, të Koresë së Veriut.

Si gjithmonë e keqja ka të njejtën fytyrë të shformuar nga koha dhe rrudhat e fytyrës mbulohen vështirë nga grotesku i ecjes si në një paradë ushtarake.

Autori i shkrimit është i lauruar rishtas në Universitetin “La Sapienza” të Romës

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›