Sondazhi/PD fiton në Fier 8 deputetë, PS 7 dhe një deputet i shkon LSI-së
TIRANE - Partia Demokratike rezulton forca fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit në Qarkun e Fierit. Instituti “Gani Bobi” ka publikuar dje rezultatet e sondazhit të përjavshëm për këtë qark nga i cili rezulton se 37,2 për qind e mbi 2 mijë të pyeturve do të votonin për Partinë Demokratike dhe 36,6 për qind për Partinë Socialiste. Në vend të tretë renditej Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës me 4.7 për qind të konsensusit dhe “G 99” me 2.6 për qind. Për persona që e deklaronin votën e tyre, mësohej se fitorja e PD arrinte në kufirin e 44 për qind, kundrejt 43,2 për qind të votave të PS-së.
Të konvertuara në mandate deputetësh, mësohet se PD-ja merr 8 deputetët në Fier, 7 i merr PS-ja dhe një deputet e fiton LSI-ja.
Ndërkohë, sipas këtij sondazhi, pjesa dërrmuese e të anketuarve në Qarkun e Fierit mendojnë së gjërat në Shqipëri në 4 vitet e fundit po shkojnë në drejtimin e duhur, konkretisht 51 për qind e të pyeturve. Ndërkaq 23.8 për qind mendonin se punët ne vend po shkojnë në drejtim të gabuar, 20.4 për qind janë përgjigjur se nuk e dinë, ndërsa vetëm 4.5 për qind nuk kanë pranuar që ti përgjigjen kësaj pyetjeje.
Në raport me këtë perceptim, 49 për qind e qytetarëve të këtij qarku rezulton se nuk kanë ndërmend që të largohen nga Shqipëria për shkak se gjykojnë se në vend mund të realizojnë aspiratat e tyre. 5.7 për qind e tyre kanë deklaruar me siguri se do largohen por pa specifikuar kohën, në një kohë që 37.7 për qind e tyre thonë se kanë ndërmend që të emigrojnë jashtë vendit.
Mes mbështetësve të Partisë Demokratike, 64 për qind e tyre beson se standardi i jetësës është më i mirë se në vitin 2005, në një kohë që vetëm 17.8 për qind e simpatizantëve të PS-së mendon kështu.
...