E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina e KFOR-it aksidenton me vdekje një 12-vjeçare

13/02/2005  KUKËS – Dëbora e ngrica i ka kushtuar jetën një vajze të mitur. Një aksident tragjik ka ndodhur dje në qytetin e Kukësit, ku një 12-vjeçare, ka vdekur dje në mesditë, pasi është zënë poshtë nga një makinë e KFOR-it. Mjeti i KFOR-it i përfshirë në aksidentin fatal ishte angazhuar me shpërndarjen e ndihmave në rrethin e Kukësit. Rreth orës 15 të ditës së djeshme, Sonila Kamber Terziu, po luante me disa fëmijë të tjerë në një rrugë në afërsi të spitalit të qytetit, në momentin kur kamionët e KFOR-it, po kalonin aty, pas një misioni në një zonë të thellë. Si pasojë e terrenit të ngrirë në rrugë, fëmija ka rrëshqitur, ndërkohë që kamioni është spostuar në anën e kundërt të rrugës, duke e zënë fëmijën poshtë. Çdo ndihmë për vajzën e vogël, që dje ishte në ditën e saj të pushimit nga shkolla, ka qenë e kotë, pasi përplasja me makinën ushtarake të forcave ndërkombëtare në Kosovë ka qenë fatale. Mjekëve të spitalit civil të Kukësit nuk iu kishte mbetur gjë tjetër veçse të konstatonin vdekjen e 12- vjeçares. Pas ngjarjes, një grup hetimor nga uniformat blu të Kukësit ka kryer veprimet procedurile dhe ka filluar punën për të zbardhur të vërtetën. Ky është aksidenti i parë i rëndë ku mbetet e përfshirë një makinë ushtarake e huaj në zonën e Kukësit. Ndërkohë që gjatë ditëve të emergjencës së krijuar për shkak të dëborës dhe ngricës, që izoloi pjesën veriore dhe verilindore të vendit, pati dhe aksidente të tjera, ku u përfshinë dhe mjete të ushtrisë shqiptare. Gjithsesi këto aksidente ishin pa pasoja për jetën dhe aksidenti i djeshëm është i pari i rëndë i regjistruar gjatë këtyre ditëve me mjete ushtarake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›