E Diel, 1 Nëntor 2026

"Trafiku i fëmijëve", strukturë në çdo prefekturë

13/02/2005  Do të krijohet një strukture të veçantë në nivel prefekture për të koordinuar dhe monitoruar parandalimin e trafikut të fëmijëve, mbrojtjen dhe rehabilitimin, arsimimin, shërbimin mjekësor dhe social, punën policore, ndjekjen penale të rasteve. Këshilli i Ministrave ka miratuar “Strategjinë Kombëtare kundër trafikimit të fëmijëve" dhe mbrojtjen e fëmijëve viktima të trafikimit dhe për një shtesë në vendimin nr.8, datë 5.1.2002 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Komitetit shtetëror të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore”. Në kuadër të angazhimit dhe përgjegjësisë së plotë të qeverisë shqiptare për të luftuar dhe zhdukur këtë fenomen, strategjia ka si qëllim përshpejtimin e iniciativave të ndërmarra për të ulur dhe ndaluar fenomenin e trafikut të fëmijëve, duke intensifikuar dhe koordinuar aktivitetet e të gjitha institucioneve qeveritare, partnerëve ndërkombëtarë dhe OJQ-ve vendase dhe të huaja. Në këtë Strategji prioritet ka identifikimi dhe ndjekja penale e trafikantëve dhe organizatorëve, përmes rritjes së përpjekjeve të forcave policore në vend dhe përgjatë kufijve, si dhe masa që do të merren për fëmijët që janë në rrezik, ose që janë trafikuar, për t’u ofruar atyre ndihmë mjekësore, psikologjike, sociale dhe ekonomike. Strategjia parashikon jo vetëm strehimin e përkohshëm, por edhe rehabilitimin afatgjatë dhe integrimin, si ndihmë familjare, zhvillimi i shërbimeve të përkujdesjes dhe adoptimit, të bazuar në të drejtën që çdo fëmijë ka për t’u rritur në familje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›