E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina godet shtyllën, dëmtohet furgoni i parkuar

 TIRANE - Një autoveturë që lëvizte me shpejtësi në zonën e Shkozës në kryeqytet, është përplasur mëngjesin e djeshëm me një shtyllë tensioni, e cila fatmirësisht nuk kishte tela korrenti dhe ishte gati për t’u hequr nga aty. Përplasja e fortë ka bërë që shtylla të rrëzohet dhe ka rënë mbi një furgon mallrash që ndodhej i parkuar poshtë saj. Megjithëse autovetura është dëmtuar nga përplasja me një shtyllë, drejtuesi ka mundur që të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes (tek ish-autotraktori), duke mos lënë asnjë gjurmë që policia të identifikonte mjetin dhe drejtuesin. Ndërsa shtylla që ka përfunduar sipër furgonit të parkuar, fatmirësisht nuk ka shkaktuar viktima apo të plagosur. Edhe pse drejtuesi i mjetit të parkuar, sapo kishte hipur në makinë për të lëvizur nga aty, sapo ka parë përplasjen ka dalë me shpejtësi dhe ka parë nga larg dëmtimin e furgonit të tij. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka pyetur drejtuesin e furgonit, i cili nuk ka mundur të japë shumë shpjegime, duke qenë se është shpërqendruar nga ngjarja.   e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›