Grabitet me thyerje banesa në Paskuqan
TIRANE - Policia e Komisariatit nr.3 është njoftuar në orët e vona pas mesnatës duke gdhirë dita e diele, se një person është futur për të vjedhur në një banesë në Paskuqan të Tiranës. Autori apo autorët e ngjarjes pasi ende nuk është e qartë nëse ka qenë një i vetëm apo disa, kanë mundur të thyejnë derën e jashtme të banesës private në lagjen periferike dhe kanë marrë një aparaturë televizive digjitale dhe një shumë të konsiderueshme parash, që ishin lënë në tavolinën e kuzhinës. Familjarët kanë dëgjuar zhurma brenda banesës, por fillimisht nuk kanë dyshuar se mund të ishte futur njeri për të vjedhur. Në kohën kur hajdutët kanë mbaruar “punë”, duke marrë ato çfarë kanë parë të arsyeshme dhe u është dukur me vlerë, janë larguar duke përplasur derën, zhurma e saj ka zgjuar banorët e shtëpisë. Pronari i banesës ka përshkruar në denoncim se kishte parë dikë që po dilte nga banesa ndërsa ka gjetur bravën e derës së jashtme të prishur. Menjëherë ai ka nisur të vëzhgojë për sendet që mungonin në shtëpi. Sapo ka vënë re që personat që ishin futur brenda në banesë kishin mundur të vidhnin aparaturën dixhitalb dhe një shumë parash që ata kishin lënë mbi tavolinë në mbrëmje, ka njoftuar menjëherë shërbimet e policisë. Efektivat e policisë që kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë bërë këqyrjen e vendit të grabitjes, kanë pyetur banorët e shtëpisë, pa mundur të fiksojnë ndonjë gjurmë apo shenjë të vlefshme për hetimin. Policia dyshon se autorët kanë përdorur doreza dhe kanë qenë të kujdesshëm gjatë krimit pasi brenda banesës kanë kryer një sërë veprimesh pa lënë asnjë gjurmë. Burime nga policia thanë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe paraprakisht dyshohet se vjedhja mund të jetë vazhdim i serialit të vjedhjeve nga grupi i shkatërruar gjatë operacionit “Mesnata”. Hetimet për këtë ngjarje po zhvillohen me dyshimin se grabitja është kryer nga personi i gjashtë i grupit të arrestuar dy ditë më parë. e.d