E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat e zyrtarëve, Kushtetuesja rrëzon Qeverinë

07/04/2010 Gjykata shpall antikushtetuese disa nene të ligjit të miratuar në 2009-ën

“Dispozitat cenojnë parimin e ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve”

Ligji për heqjen e makinave nuk do të funksionojë për të gjithë zyrtarët njëlloj . Gjyqtarët e Kushtetueses, asaj të Lartë si dhe kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe ai i Apelit, ndryshe nga deputetët e Kuvendit, do të mbajnë makinën e tyre personale në dispozicion. Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë për shfuqizimin si antikushtetues të pikës 1 dhe 2 të nenit 2, nenit 3, 4 dhe 6 të ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”. Pas shqyrtimit një më një të pretendimeve të secilës palë, gjykata vlerësoi se aspekte të tilla, si: përcaktimi i numrit të automjeteve dhe shoferëve, targimi i posaçëm e i dallueshëm (targat “Z”), statusi protokollar, pasaportat diplomatike dhe të tjera elemente garantuese, janë në funksion të respektimit të standardeve kushtetuese të pavarësisë institucionale, të paprekshmërisë së strukturës dhe të mënyrës së administrimit të buxhetit të këtyre institucioneve të pavarura kushtetuese. Kushtetuesja ka arritur në përfundimin se dispozitat ligjore, objekt shqyrtimi, kanë cenuar parimin e ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve, e në veçanti parimin e pavarësisë së gjyqësorit, parashikuar nga nenet 7, 144 dhe 145 të Kushtetutës, duke pranuar ankesën e kërkuesit. Për këtë qëllim, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin si antikushtetuese të pikës 1 dhe 2 të nenit 2, nenin 3, nenin 4 dhe nenin 6 të ligjit nr. 10160, “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, dhe të VKV-së nr. 1139, datë 24.11.2009, “Për caktimin e numrit të automjeteve dhe të shoferëve në dispozicion të ministrive dhe të institucioneve qendrore,” për sa përfshin në fushën e zbatimit të tij Gjykatën Kushtetuese dhe Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë, dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin e publikuar dje në faqen zyrtare të këtij institucioni. Ligji në fjalë, i miratuar nga Kuvendi në fund të vitit që shkoi, iu ka ndërprerë këtyre funksionarëve të lartë shërbimin e transportit me automjete, shërbim që përballohej nga të ardhurat publike përmes buxheteve të institucioneve përkatëse dhe iu ka caktuar një përfitim financiar mujor në shumën 35.000 lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›