E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Elton Lulos, Policia: Kemi një person të dyshuar

07/04/2010 Hetohet shitja e drogës

TIRANE- Policia e Tiranës ka ngritur dyshimet e para për një person që mendohet se është autori i vrasjes së 29-vjeçarit Elton Lulo. Një gjë e tillë vjen pas shoqërimit të rreth 35 personave, të cilët kanë dhënë deklarimet në polici dhe më pas janë lënë sërish të lirë. Mbi bazën e këtyre deklarimeve, policia ka ngritur dyshimet e para për një person konkret, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, deri në momentin e arrestimit. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë policisë së kryeqytetit, të cilat thanë se aktualisht kanë një person të dyshuar, por që punojnë për të mbledhur provat bindëse ndaj tij. Pista kryesore ku hetuesit e çështjes janë përqendruar ka të bëjë me trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Sipas policisë, viktima njihej si shitës heroine në kryeqytet dhe prishja e pazareve të drogës apo influenca për shpërndarjen e drogës në disa zona mund të kenë sjellë, eliminimin e 29-vjeçarit që i përket komunitetit rom. Për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe 28-vjeçarin e plagosur Bledar Caca, i cili është shprehur para grupit të hetimit se në momentin e ngjarjes ai ishte kthyer me kurriz dhe nuk ka mundur të shohë personin që ka qëlluar. Sipas deklarimeve të tij, autori ka hyrë në ambientet e lokalit “Cozmos” dhe pasi i është afruar tavolinës ku ishin duke pirë kafe viktima dhe i plagosuri, ai ka hapur zjarr me pistoletë duke qëlluar plot 5 herë. Katër nga plumbat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme Elton Lilos, ndërkohë që një plumb e ka marrë nga krahët Cacën. Veç pistës së drogës, policia e Tiranës është duke kaluar në skaner edhe të kaluarën e viktimës, i cili prej disa vitesh ka punuar si bodigart në disa lokale nate të kryeqytetit. Mendohet se gjatë kësaj kohe 29-vjeçari Lulo mund të jetë konfliktuar me ndonjë person konkret, i cili ka dashur të hakmerret. Lidhur me këtë vrasje, policia vazhdon hetimet edhe në disa pista të tjera, të cilat konsiderohen si dytësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›