E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat fond per kompensimin e demeve

Dëmet që kompanitë e sigurimeve paguajnë në rast aksidentesh në vendin tonë janë një nga problematikat më të mëdha të këtij tregu, që prej disa vitesh. Sipas statistikave, këto dëme janë shumë më të ulëta edhe se në vendet e rajonit. Për këtë qëllim, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur të krijojë një fond të përbashkët kompensimi për dëmet gjatë aksidenteve të makinave si dhe për të tjera arsye që kanë të bëjnë me sigurimin e shëndetit.
Kështu, nuk do të ketë tolerim për kompanitë që nuk derdhin sipas rregullores së AMF-së, shumën e detyrueshme për fondimin e kompensimit.
Kreu i AMF-së, Enkeleda Shehi ka urdhëruar kompanitë e sigurimit që brenda dhjetë ditëve të derdhin detyrimet e përllogaritura nga Byroja Shqiptare e Sigurimit. Urdhri i kryetares së AMF-së u dha në një takim me drejtorët e shoqërive të sigurimit , ku u diskutua mbi problematikën e administrimit të fondit të kompensimit.
Rregullorja
Në bazë të rregullores së pagesës së dëmeve, çdo shoqëri sigurimi brenda datës 15 të çdo tremujori duhet të ketë depozituar në llogarinë e saj të Fondit të Kompensimit, shumën e kontributit të vet në fondin e kompensimit. Pavarësisht llogaritjes së rezervës mbi fondin e kompensimit, në asnjë rast kjo rezervë nuk mund të jetë më e vogël se 100 milionë lekë, e ndarë kjo ndërmjet shoqerive të sigurimit, që janë anëtarë të Fondit..
Në këtë mënyrë, të gjitha kompanitë në fillim të janarit duhet të kishin derdhur detyrimet e reja, por vetë përfaqësues të AMF-së kanë pranuar, se kompanitë kanë vonesa në derdhjen e detyrimeve për vitin e kaluar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›