E Diel, 1 Nëntor 2026

Ben Blushi/ "Otello", më pak i zhurmshëm, por më i arrirë

Shkrimtari Ben Blushi vlerësohet si shkrimtari më i mirë i vitit në panairin mbarëkombëtar "Tirana 2009" me romanin e tij të dytë "Otello, Arapi i Vlorës", i cili erdhi pas suksesit të librit të tij të parë "Të jetosh në ishull". Thotë se këtë roman me të cilin fitoi këtë çmim të rëndësishëm e ka shkruar në një periudhë kur mbizotëronte ajo që u quajt Obama-mania. Otello, një personazh me ngjyrë, i paragjykuar nga shoqëria, por që ndryshe nga Presidenti amerikan, Barak Obama, nuk arriti dot të dominonte dizavantazhin që i jep lëkura. Otello i Blushit, me fatin e tij tragjik vjen si për të vënë në dukje diskriminim që shoqëria shqiptare tregon karshi të ndryshmëve, njerëzve me ngjyrë dhe mosintegrimin e këtij njeriu pikërisht si pasojë e ngjyrës së errët të lëkurës. Mbi këtë ngrihet pikërisht fatkeqësia, tragjedia e këtij njeriu të cilën e pëson edhe në dashuri. Shkrimtari Ben Blushi e vlerëson "Otello, Arapi i Vlorës", i cili artistikisht i ka falur më shumë emocione sesa "Të jetosh në ishull" që në të vërtetë ngjalli më shumë debate e reagime. Botuar nga shtëpia botuese "Toena" edhe në këtë roman të dytë, trilli i autorit e vërteta historike dhe aktualiteti janë të lidhura fort. "Është njësoj si të jesh në të sotmen duke parë nga dritarja të djeshmen, je prapë në të sotmen dhe e jeton atë", thotë Blushi.

Z. Blushi, ju u shpallët "Shkrimtari i Vitit" në këtë edicion të 12-të të panairit mbarëkombëtar të librit "Tirana 2009". Si e vlerësoni këtë çmim?

Është një ditë shumë e veçantë në tërësi. Këtë çmim e shikoj si një motiv për të vazhduar të shkruaj. Në fund të fundit, një çmim do të thotë që ajo çka ti bën, vlerësohet. Ndër të tjera e shikoj edhe si një mënyrë, si një mundësi për të komunikuar me njerëz, me lexues të cilët edhe ata janë të joshur nga çmimet. Mendojnë se kur merr një çmim je më i mirë nga sa ishe para se ta shkruaje. Kështu që ky çmim është një gjë e mirë, një shtysë për të vazhduar të krijuar më tej.

E prisnit interesin e lexuesit karshi romaneve tuaja në këto ditë që u zhvillua panairi i librit?

Prej gati dy vitesh, me botimin e dy librave të mi të parë unë jam mësuar pak a shumë më këtë interes. Kam pasur një sukses që më ka kënaqur. Pa dyshim dhe jam mësuar pak me interesin nga ana e lexuesit edhe për shkak se romanet ne i kemi promovuar në rrethe të vendit kemi dalë e kemi bërë promocione të librave. Por sigurisht që panairi është një mundësi shumë më e madhe. Këtu të jepet mundësia të komunikosh me më shumë njerëz sesa në një qytet të vogël. Ka më shumë fluks dhe më vjen mirë që njerëzit afrohen për të marrë një kujtim, një libër bashkë me një autograf të cilin do e çojnë në bibliotekën e tyre në shtëpi.

A do të donit që të njëjtin vlerësim të kishit edhe me romanin tuaj të parë "Të jetosh në ishull"?

Nuk do ishte keq, por "Otello, Arapi i Vlorës" me të cilin u vlerësova këtë vit, është një libër që artistikisht më ka dhënë shumë emocione dhe kënaqësi. Besoj që edhe fakti që ai u vlerësua është një tregues i kësaj nuance, pra ai është vlerësuar edhe për arsye artistike jo vetëm për shkak të debatit që krijoi. Ky është një libër relativisht më pak i zhurmshëm, nuk ka ngjallur polemikat e librit të parë, por artistikisht është cilësor. Është një libër që flet edhe me heshtjen e vet.

Ju thatë që ky çmim është një shtysë për të shkruar më tej. Keni në dorë një libër të ri?

Unë nuk e kam zakon të flas për gjëra që akoma nuk i kam bërë, kështu që besoj se është e hershme kjo pyetje.

Ju preferoni t‘i ktheheni të shkuarës, ose të sillni në kohë e ta zhvendosni gjeografikisht një personazh të njohur më parë, si ndodh në rastin e Otellos. Përse nuk preferoni të sillni para lexuesit një ngjarje më aktuale?

Letërsia në përgjithësi është një metaforë në vetvete pavarësisht nga konteksti ku i vë ngjarjet. Sigurisht që edhe aktualiteti flet edhe përmes historisë dhe unë përpiqem që ngjarjet apo personazhet e ditëve tona t‘i zhvendos, në të shkuarën apo në histori e në këtë mënyrë njerëzit duke lexuar historinë lexojnë edhe Shqipërinë e sotme. Besoj që kështu më ka ndodhur edhe në rastin e "Të jetosh në ishull", por edhe në rastin e "Otello, Arapi i Vlorës:. Të dy përshkruajnë në kontekstin historik, por me nuanca të forta nga Shqipëria dhe nga bota e ditëve tona. Është si një urë komunikimi mes të tashmes dhe të shkuarës, njësoj si të jesh në të sotmen duke parë nga dritarja të djeshmen, je prapë në të sotmen dhe e jeton atë.

Përse sollët një personazh si Otelloja në vëmendje të lexuesit shqiptar?

Otello, në fakt përpiqet të tregojë dy gjëra: e para është raporti i shoqërisë me racizmin, duke qenë se është një personazh me ngjyrë. Kur unë e kam shkruar, kam menduar se si reagon Shqipëria e sotme, ndryshe nga Europa, karshi të ndryshmit, njeriut me ngjyrë. E dyta, Otello, pavarësisht se është marrë nga Shekspiri, ka një fat të ndryshëm nga ai i Shekspirit për arsyet që u thashë. Pavarësisht se si një njeri me ngjyrë që vjen të emigrojë për arsye ekonomike në këtë pjesë të botës që jemi ne, ai nuk arrin dot të integrohet për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe kjo e çon edhe në një fat tragjik për një dashuri të pamundur, e cila është e pamundur edhe për shkak të lëkurës. Besoj që ky Otello nuk është shumë i ndryshëm nga shumë njerëz me ngjyrë apo nga njerëz që vijnë nga zona të prapambetura të botës të cilët nuk arrijnë të integrohen qoftë në Shqipëri, qoftë në Europë. Ata i kanë fatet e tyre tragjike, sepse shoqëritë ku ata kërkojnë të integrohen nuk ua lejojnë këtë gjë.

Tanimë një pjesë e mirë e lexuesit e kanë lexuar Otellon tuaj. Në fakt, a i qëndrojnë idesë fillestare kur libri doli në qarkullim se ka një paralele mes Otellos dhe Obamës?

Nuk ma ka thënë njeri këtë gjë, por mund t‘ju them që Otellon kam vendosur ta shkruaj, me sa duket edhe në kontekstin e shpërthimit të Obama-manisë. I gjithë viti 2008 kur ky libër është shkruar dhe fillimi i vitit 2009 kur mbaroi, ishte i dominuar nga Obama. Obama si fenomen të cilin bota kishte ndoshta qindra vjet që e priste, si një fenomen që rrëzoi shumë paragjykime politike, shoqërore e racore. Kështu që besoj se ndoshta edhe unë jam influencuar nga kjo Obama-mani dhe kam ndërtuar një personazh, Otellon, i cili nuk ka fatin e Presidentit amerikan, por sidoqoftë ka një fat të cilin nuk e ndërton dot vetë, sepse ai varet nga ngjyra e lëkurës së tij. Në këtë pikë ai është i pafuqishëm dhe nuk arrin dot të dominojë dizavantazhin që i jep ngjyra e lëkurës, ndërkohë që Obama e bën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›