E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat me targa të huaja, qeveria shkurton kohëqëndrimin brenda vendit



Ndryshojnë procedurat e përdorimit të automjeteve me targa të huaja brenda territorit të vendit. Sipas një udhëzimi të firmosur nga Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, dhe ai Financave, Ridvan Bode, dërguar më pas pikave doganore, të gjithë automjetet që do të hyjnë në Shqipëri nuk do të lejohen të qëndrojnë në territorin e vendit më shumë se gjashtë muaj brenda një viti. Menjëherë sa paraqitet në kufi autoritete doganore bëjnë verifikimin e të dhënave të saj, pastaj e pajisin atë me një lejë të posaçme për periudhën që do të qëndrojë në vend. Në rastet kur automjetet mbërrijnë të pashoqëruara në pikat doganore, nëpërmjet formave të tjera të transportit, si me traget apo kontejnerë, pronari duhet të paraqitet pranë autoriteteve të policisë kufitare për të bërë regjistrimin e saj. Në rastet kur automjeti është në pronësi të një shoqërie tregtare, shoqëruesi duhet të jetë pajisur me një autorizim nga kompania. Ajo që ka më shumë rëndësi dhe që prek personat që importojnë automjete nga vende të Europës Perëndimore për t'i shitur ato në vend ka të bëjë me kufizimet që ky udhëzim vë mbi këtë aktivitet. Sipas rregullave të reja që sapo kanë hyrë në fuqi, nuk do të përfitojnë regjim lejimi të përkohshëm ato automjete të cilat nuk janë të shoqëruara nga pronari. Po ashtu, autoritetet doganore nuk do të lejojnë që një person të importojë njëkohësisht më shumë se një automjet. Nëse ato do të konstatojnë se brenda një periudhe gjashtë mujore, i njëjti person ka një automjet të cilit nuk i ka përfunduar afati i lejes së përkohshme, ata nuk do të lejojnë importimin e një autoveture të dytë deri në përmbushjen e këtij afati. E njëjta situatë ndodh edhe me autoveturat të cilat janë të çregjistruara në autoritetet e vendit të origjinës. Procedurat e parashikuara në udhëzimet e dy ministrave pritet të ndikojnë së tepërmi në tregun e makinave të përdorura në vend. Me hyrjen e tyre në fuqi tregtarët e këtyre makinave do të jenë të detyruar që të kryejnë procedurat e zhdoganimit menjëherë pasi janë paraqitur në kufi. Deri më tani, blerësit kanë preferuar ta mbajnë autoveturën me targa të huaja, duke kryer zhdoganimin e saj në një periudhë të mëvonshme, e cila lehtësonte edhe kryerjen e pagesës. Por referuar asaj çka vërehet në terren, importuesit e autoveturave të përdorura kanë kryer procedurat e zhdoganimit edhe para hyrjes në fuqi të këtyre rregullave. Pjesa më e madhe e makinave që presin të bëhen me pronar nëpër pikat e shitjeve janë me doganë të paguar. Vendosja e një regjimi të pajisjes me leje qëndrimi pritet të ndikojë edhe në uljen e fluksit të futjes së makinave tw vjedhura në territorin e vendit. Në rastet kur kërkohet pajisja e një autoveture me leje qëndrimi të përkohshme, fillimisht autoritetet doganore nëpërmjet një sistemi të posaçëm verifikojnë të gjitha të dhënat e saj nëse është e vjedhur apo është përdorur për kryerjen e veprave penale. Të dhënat e autoveturës do të kontrollohen përsëri kur ajo të dalë nga territori i vendit. Kësaj radhe autoritete do të verifikojnë qëndrimin e saj brenda territorit të vendit, përfshirë edhe rastet kur kanë detyrime financiare të pashlyera. Në këtë rast, punonjësi duhet të arkëtojë shumën sipas rregullave në fuqi.

Berisha: “Inspektorat i përgjithshëm që mbikëqyr rregullat dhe jo bizneset”

Kryeministri Sali Berisha ka hedhur idenë e krijimit të një inspektorati të përgjithshëm për të kontrolluar inspektoratet e tjera që zbatojnë ligjin për bizneset. Ky model i ri është mbështetur nga kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Task Force-s për Reformën Rregullatore. Sipas njoftimit të kryeministrisë ky takim u ndal në reformën e thellë në sistemin e Inspektorateve në Shqipëri dhe prioritetin që kjo reformë ka për qeverinë shqiptare. Kryeministri Berisha nënvizoi se, vendet e zhvilluara përdorin kryesisht grupimin maksimal të mundshëm të inspektorateve në ministri dhe ngritjen e një autoriteti qendror për inspektoratet apo një inspektorat i përgjithshëm. Sipas tij ky autoritet mbikëqyr jo tregun, por rregullat e inspektorateve dhe ka autoritet të qartë mbi to. “Kjo formë inspektorati,- theksoi Kryeministri Berisha, - është më e zakonshme në vendet e rajonit, si në Slloveni, Rumani, Kroaci, vende, të cilat nuk kanë krijuar në mënyrë përfundimtare, ose janë në konsolidim e sipër, të një forme inspektorati që nuk intimidon bizneset, në të kundërt, garanton ndershmërinë në treg, vendos standarde që ndihmojnë konkurrencën e ndershme dhe të lirë. Modeli ka një synim: të ketë sa më pak korrupsion dhe kjo është e domosdoshme”.

KESH: Kemi fituar 22 milionë euro nga shitja e energjisë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare deklaroi dje se ka një bilanc pozitiv për muajt e parë të këtij viti si pasojë e eksportit të energjisë që i sollën 22 milionë euro në arkën e saj. Megjithatë mbetet fakt se kjo kompani mbahet ende me financimet e buxhetit të shtetit. Sipas drejtorit të KESH-it, kjo pranverë do të jetë e lagësht çka do të thotë se të ardhurat nga eksporti do të rriten edhe më tej. Aktualisht niveli Fierzës është në kuotën e 287 metrave dhe sipas drejtorit të Përgjithshëm Muharem Stojku, kjo situatë është normale për sezonin. Që nga fillimi i janarit KESH është në një regjim të lartë eksporti, i cili realizohet nëpërmjet tre kompanive, EGL, EFT nga Zvicra, dhe Rudnap, nga Serbia. Çmimet e energjisë së shitur mbi 200 milionë kilovat orë në muaj janë 45 euro për megavat.

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›