E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet arsenali i armëve, në kërkim Sulejman Hoxha



KRUJË – Sekuestrohet një arsenal armësh, në kërkim poseduesi. Uniformat blu të këtij qyteti, në kuadër të operacionit “Brava”, ka ushtruar një kontroll në banesën e 52-vjeçarit Sulejman Hoxha. Gjatë këtij kontrolli, sipas burimeve zyrtare të Policisë, u gjet dhe u sekuestrua një sasi armësh dhe municioni, të cilat ky shtetas i mbante pa leje. Të njëjtat burime shprehën se gjatë këtij kontrolli janë sekuestruar dy automatikë model 56 të kalibrit 7.62 mm, një armë zjarri pushkë 10–she model 56 e kalibrit 7.62 mm, një armë zjarri pushkë 20–ëshe model 63 e kalibrit 7.62 mm , 490 copë fishekë pistolete TT model 54 të kalibrit 7.62 mm, 32 copë fishekë model 56 të kalibrit 7.62 mm dhe 4 krehra fishekësh. Ndërsa ka shpallur në kërkim 52-vjeçarin, i cili nuk ndodhej në banese në momentin e operacionit të policisë.

Pranga gardistit, iu kapën 10 gramë hashash

KORÇË – Vihet në pranga gardiani i burgut, iu gjetën 10 gramë hashash. Policia e qytetit juglindor njofton se gardiani i Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë të Korçës, Denis Ismailiani, është kapur paraditen e djeshme në flagrancë me 10 gramë lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa. 24-vjeçari Ismailiani punonte prej disa muajsh në Burgun e Drenovës, në pozicionin e gardianit. Mësohet se arrestimi i tij është bërë në momentin e marrjes së turnit. Pas shoqërimit të tij policia po heton në dy pista; atë të përdorimit vetjak të drogës nga 24-vjeçari ose shitjen e saj për personat që ndodhen në këtë burg. Por, sipas të dhënave paraprake, bëhet e ditur se hetimet janë fokusuar më shumë në pistën e shitjes së drogës brenda në burg. Gardisti tashmë është duke u marrë në pyetje nga kolegët e tij për të zbardhur arsyen se pse 24-vjeçari e kishte këtë sasi droge gjatë hyrjes së tij në ambientet e burgut të sigurisë së lartë. Pak muaj më parë u morën masa për 3 policë të këtij burgu, të cilët po ashtu u kapën në flagrancë me drogë.

Vodhi 5 dyqane në Tiranë, pranga 25-vjeçarit

TIRANË - Policia e kryeqytetit arrestoi autorin e dyshuar të pesë vjedhjeve të ndodhura gjatë vitit 2009 në Tiranë. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë se shërbimet e hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Tiranë realizuan ndalimin e Fatjon Ajet Osmeni, 25 vjeç, banues në Durrës. Sipas policisë, ndaj këtij personi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 29 maj 2009, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “vjedhjes” e realizuar në bashkëpunim. Burimet zyrtare sqarojnë se nga veprimet hetimore të realizuara u dokumentua se shtetasi i sipërcituar dyshohet të jetë autor i këtyre vjedhjeve: më datë 31 mars 2009, në rrugën “Mine Peza” dyshohet se ka realizuar vjedhjen e një dyqani në pronësi të një shtetasi; më datë 23 prill 2009, në lagjen ish-Nish Tulla 3, në bashkëpunim edhe me një bashkëmoshatarin e tij, dyshohet se kanë vjedhur një lokal; më datë 27 qershor 2009, në rrugën “Don Bosko”, në bashkëpunim me një shtetas, kanë vjedhur një lokal; në Babrru dyshohet se ka vjedhur dyqanin gjithashtu dhe në Unazën e Re gjatë vitit 2009, së bashku me një bashkëmoshatarin e tij, dyshohet se kanë vjedhur dyqanin ushqimor. Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.

a

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›