E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset gruaja që ndihmoi vrasësin e Librazhdit



LIBRAZHD – Vihet në pranga bashkëpunëtorja e vrasësit serial, Haki Miska. 51-vjeçarja Lefterie Alla kishte mbajtur të fshehur për rreth 10 ditë në banesën e saj në Prevall të Lunikut në Librazhd, 50-vjeçarin Haki Miska, i cili që nga 4 shkurti i këtij viti kërkohej nga policia për vrasjen e nënës së tij, plagosjen e së bijës, si dhe dyshimet e lindura për vrasje të mëparshme në seri.

Hetimet
Burime nga Policia e Elbasanit bëjnë të ditur se Lefteri Alla, 51 vjeçe, ka mbajtur me ushqime dhe veshje vrasësin serial në një kohë kur ai kërkohej nga policia. Policia po ashtu bën të ditur se Lefteri Alla ka qenë bashkëpunëtore edhe në krimet e mëparshme të kryera nga Haki Miska. Vetëm një ditë më parë u gjetën, pas rrëfimit të 50-vjeçarit, eshtrat e të shoqes së tij, Mimoza Miska, e vrarë nga ai në vitin 1994. Lefteri Alla mësohet se ka bashkëpunuar me Haki Miskën në vrasjen e gruas së tij në vitin 1994, në vrasjet e njerkut Gani Fejzulla Bruku në korrik 1995, të mësuesit të fshatit, Qamil Din Luka, në gusht të vitit 1995 dhe ajo e fundit, në shkurt 2010, të 70-vjeçares Dije Miska. Policia e Elbasanit tashmë është duke verifikuar të gjitha të dhënat për të përcaktuar saktë rolin e Lefteri Allës në 4 vrasjet e kryera nga Haki Miska.

Monstra e Librazhdit
Haki Miska tashmë ndodhet në ambientet e paraburgimit, ku është në pritje të përballjes së tij me gjykatën për krimet monstruoze që ka kryer gjatë 16 viteve. Pas arrestimit të tij disa ditë më parë ai ka treguar përpara policisë për katër vrasjet e kryera prej tij, mes tyre një prej viktimave ishte dhe bashkëshortja e tij, Mimoza Miska, të cilën ai i kishte varrosur në oborrin e shtëpisë. Pas deklarimeve të tij se bashkëshorten e kishte varrosur në oborrin e shtëpisë, forca të shumta policie shkuan në vendngjarje, ku zbuluan eshtrat e Mimoza Miskës. Emri i Haki Miskës doli në skenë vetëm disa ditë më parë, kur ky i fundit u shpall në kërkim nga ana e policisë pasi masakroi më sëpatë nënën e tij dhe plagosi rëndë vajzën. Prej gati një jave Haki Miska ka qëndruar në arrati, por dy ditë më parë është vënë në pranga nga ana e policisë, e cila kishte lokalizuar vendndodhjen e tij.

Ndërron jetë polici i aksidentuar

Ndërron jetë në Spitalin Ushtarak të Tiranës polici rrugor i Durrësit, Kastriot Aliaj, i cili u përplas para pak ditësh nga një fuoristradë ndërsa kryente shërbimin në rrugë. Lajmi është komunikuar nga Policia e Durrësit, sipas së cilës, Aliaj u plagos në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, në vendin e quajtur “Koxhas”, në kohën kur ishte në shërbim patrulle policie së bashku me kolegun e tij Q. B., nga automjeti fuoristradë me targa TR 2609 S, i cili drejtohej nga 36-vjeçari Afrim Byberi, i dënuar më parë për vrasje nga pakujdesia. Mësohet se gjendja e tij shëndetësore ishte tepër e rëndë dhe me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë, ai nuk mundi të mbijetonte. Nga kryerja e hetimeve të para rezultoi se në momentin e aksidentit ky punonjës policie ishte duke kontrolluar dokumentacionin e një automjeti në bankinën e krahut të djathtë të rrugës. Nga ana e policisë u bë arrestimi në flagrancë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim të mjetit në gjendje të dehur i Afrim Byberit. Varrimi i policit të rënë në detyrë do të shoqërohet me homazhe për nder të tij te Pallati i Kulturës në Durrës, të cilat do të jenë të hapura edhe për publikun.

17 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›