Britani, burg përjetë për dy shqiptarët që vranë biznesmenin qipriot
Thimi Samarxhiu
ANGLI – Burg përjetë dy vrasësve shqiptarë me pagesë, të cilët në vitin 2000 torturuan deri në vdekje Charalambos Christodoulides. Bëhet fjalë për Robert Baxhijan dhe Ylli Xhelon, të cilët u punësuan nga manjati grek me banim në Angli për të vrarë 55-vjeçarin, pas dështimit të një marrëveshjeje që ata të dy kishin planifikuar. Gjykata londineze dha dy ditë më parë vendimin për dy shqiptarët, duke i shpallur ata fajtorë për vrasjen e ndodhur 10 vite më parë në veriperëndim të Londrës. Ndërsa për porositësin e vrasjes, Thanos Papalexis, gjykata vendosi një vit më parë dënimin me 20 vite burg.
Ngjarja
Charalambos Christodoulides, i njohur ndryshe dhe si Charles, ishte një 55-vjeçar, i cili kishte jetuar për shumë vite në një banesë pranë një magazine të braktisur në Kensal Rise, në veriperëndim të Londrës. Por rutina e qetë e jetës së tij pa dashur e ka vënë në një kurs përplasjesh me një sipërmarrës, i cili e vrau atë për të arritur qëllimin e tij. Thanos Papalexis, një djalë simpatik e i pasur, manjatin e anijeve greke është përpjekur disa herë për ta detyruar që të firmoste një marrëveshje për të blerë magazinën ku Christodoulides jetonte dhe më pas për ta rishitur atë për një fitim të shpejtë. Ai shpresonte se me paratë do të mbështeste një tjetër zhvillim të pronës në Holloway, e cila i kishte shkaktuar shumë probleme, deri në prag shkatërrimi të kompanisë së tij.
Në vitin 2000, Papalexis punësoi dy shqiptarët, Robert Baxhija dhe Ylli Xhelo, të cilët u torturuan dhe e vranë pastaj në magazinë.
Procesi
Në gjyqin ndaj tij në shtator të vitit të kaluar, Papalexis pohoi se ka i urdhëruar dy shqiptarët që të vrasin Christodoulides-in dhe i ka detyruar ata që ta fshehin trupin e tij në një gropë automjetesh në bodrumin e magazinës. Papalexis u dënua me 20 vite burg, por gjykata ishte bllokuar për dy shqiptarët. Pas një rigjykimi, të hënën Gjykata londineze vendosi deklarimin fajtor të Baxhijës dhe Xhelos dhe dënimin e tyre me burgim të përjetshëm.
Gjykatësi Jeremy Roberts tha gjatë procesit: "Unë jam i sigurt se pa ndihmën tuaj, Thanos Papalexis nuk do të kishte qenë në gjendje për të kryer vrasjen". Nga ana tjetër, hetuesit besojnë se Christodoulides mund të kenë vdekur pasi u torturua për një kohë të gjatë nga dy shqiptarët.
Roli i shqiptarëve
Duke parë problemet e shumta që Christodoulides po i sillte, Thanos Papalexis vendosi t’i punësonte dy shqiptarët, të cilët do ta torturonin dhe më pas do ta vrisnin viktimën.
Në vitin 2000, Robert Baxhija dhe Ylli Xhelo shkuan në banesën e 55-vjeçarit dhe e torturuan atë deri në vdekje. Sipas udhëzimeve të dhëna nga “porositësi”, dy shqiptarët e fshehën trupin e viktimës në garazhin e magazinës ku ai jetonte. Vetëm në 2008-n, Policia dhe hetuesit britanikë arritën të zbardhnin të gjithë ngjarjen, duke vënë në pranga 2 shqiptarët dhe “porositësin” e kësaj vrasjeje.
Jeta e re në Florida
Pas vrasjes, Papalexis u martua me të dashurën e tij, Karina, më të cilën kishte një fëmijë dhe filloi një jetë të re si një sipërmarrës ndërtimi. Në janar 2008 ai organizoi një mbledhje fondesh për fushatën presidenciale të Hillari Klintonit në një rezidencë në Manalapan, Florida, e cila u ndoq dhe nga Bill Klinton. Por në Londër hetuesit vazhdonin punën. Ata kishin shpenzuar vite me radhë për të mbledhur dëshmi kundër tij dhe në verën e vitit 2008 ata kërkuan ekstradimin e tij.
Papalexis, i cili u përshkrua në gjykatë si një grabitqar "seksual", u arrestua në një piceri ndërsa ishte duke drekuar me një mikeshën tij, Marie-Helene Jarry, e cila më vonë vdiq pasi zbuloi të vërtetën rreth të dashurit të saj.
Një tjetër ish-e dashur, Rebecca de Falco, kujtoi emrin e tij kur zbuloi se ai ishte i dyshuar për një vrasje. De Falco shkoi në polici dhe u tha atyre për një bisedë që ajo kishte pasur me atë në qershor të vitit 2004. Papalexis i kishte thënë një mal me gënjeshtra, duke i thënë asaj se ai ishte një agjent i CIA-s dhe MI6-s dhe do të dalë në pension pas një misioni të fundit në Irak. Në një deklaratë të motrës së viktimës, Annina Lanitis, tha: "Unë vërtet besoj se ai është si një djall për atë që ka bërë. Pavarësisht nga dënimi i dhënë për Papalexis, ai kurrë nuk do të justifikonte jetën e vëllait tim të pafajshëm dhe të padëmshëm. Pa qenë hakmarrës, i uroj atij sa më shumë dhimbje dhe vuajtje të cilat unë i kam vuajtur dhe do të vazhdoj t’i vuaj gjatë gjithë jetës sime", – tha ajo.
Pranga kosovarit, i kërkuar prej 5 vitesh për trafik
GJERMANI – Pranga një kosovari të shpallur në kërkim që në vitin 2005. Policia gjermane bën të ditur se 36-vjeçari me origjinë kosovare kërkohej prej 5 vitesh nga prokuroria, pasi dyshohej se ky i fundit fuste në mënyrë të paligjshme klandestinë në shtetin gjerman. Arrestimi i tij është bërë pas një kontrolli rutinë në autostradat gjermane. Deri tani nuk bëhet i ditur identiteti i të arrestuarit, por e vetmja e dhënë ka të bëjë me kombësinë e tij. Tashmë 36-vjeçari pritet të përballet me Drejtësinë gjermane, e cila prej 5 vitesh është vënë në ndjekje të tij.
Grabiste varret, pranga Çlirim Gjonit
LEZHË - Policia e Lezhës arrestoi dje në flagrancë një person të akuzuar për vjedhje varresh. Burime zyrtare të Policisë së Lezhës thanë se në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë bërë arrestimin e Çlirim Gjonit. Ai ishte kthyer në një shqetësim për banorët e zonës për shkak se ka vjedhur në mënyrë të përsëritur ikonat dhe materialet zbukuruese në varret e fshatit Rrilë, komuna Shënkoll, Lezhë. Policia tha se pas arrestimit të dyshuarit i është bllokuar një sasi sendesh e konsiderueshme që ishin vjedhur në vazhdimësi nëpër varre. Ndërkohë hetuesit bëjnë me dije se i ndaluari është person me precedentë penalë për shkak se më parë është dënuar për akuzën e plagosjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje. Akuzat e ngritura ndaj të arrestuarit është “dhunim varresh” dhe “vjedhje”.
Vritet i riu shqiptar, në kërkim autori
ATHINË – Një emigrant shqiptar është vrarë të dielën në afërsi të Athinës në Greqi, ndërsa policia ende nuk ka arritur të zbulojë autorët e krimit. Sipas mediave greke, viktima është një 27-vjeçar nga Shqipëria, i cili është qëlluar me armë në afërsi të sheshit popullor “Negri Fokionos”, qarku Kypseli pranë Athinës qendrore. Policia nuk ishte në gjendje të tregojë ndonjë motiv për vrasjen të paktën deri dje vonë. Kathemirini e lidh ngjarjen me ndonjë incident të mundshëm mes emigrantësh duke thënë se në të njëjtën ditë, në një incident të dhunshëm pak pas mesnatës pranë sheshit “Omonia”, u plagosën rëndë tre emigrantë me origjinë aziatike. Sipas policisë, viktimat u plagosën në përleshjen që shpërtheu mes tre emigrantëve në një apartament në katin e tretë pranë sheshit “Omonia”.
17 Shkurt 2010