E Diel, 1 Nëntor 2026

Dypartizimi, një tezë që mund të sjellë vota të ndërsjella

Në një nga vizitat e shpeshta të tij në zonën e Dropullit, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, zoti Edi Rama, u pyet për dypartizimin. Në vizitën e parë, iu shmang me finesë pyetjes nga socialistët grekë të Shqipërisë. Po çfarë është dypartizimi? Sipas tezës që hodhi F. Nano, para 5 vitesh, socialistët grekë në Shqipëri, domethënë qytetarët shqiptarë me kombësi greke të anëtarësuar në PSSH, të ishin njëkohësisht edhe anëtarë të PASOK-ut, dhe emigrantët shqiptarë që banonin përkohësisht në Greqi, të anëtarësuar në PSSH, të ishin njëkohësisht edhe anëtarë të PASOK-ut.

Vitet kaluan. PSSH-ja kaloi në opozitë (në pushtet erdhi Saliu), u reformua dhe po përgatitet të rivijë në pushtet, nën drejtimin e Edi Ramës. PASOK-u kaloi në opozitë, (në pushtet erdhi Karamanlis), u reformua dhe kërkon të rivijë në pushtet, nën drejtimin e Jorgos Papandreus.

Pas 5 vitesh, po përjetojmë rrethana të reja. Kryetari i PASOK-ut, J. Papandreu, është edhe Presidenti i Internacionales Socialiste. Kryetari i PSSH-së, zoti Edi Rama, është edhe Kryetari i Komisionit për Evropën Juglindore në Internacionalen Socialiste.

Socialistët shqiptarë kërkojnë të fitojnë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe me votën e emigrantëve. Edhe PASOK-u, për herë të parë është në krye të sondazheve në Greqi, ku shumë nënshtetas shqiptarë kanë fituar dyshtetësinë dhe kanë të drejtë vote në shtetin helen. Shumë shqiptarë me kombësi greke janë anëtarë të Partisë Socialiste të Shqipërisë, ndërkohë që edhe Asambleja Kombëtare e kësaj force politike, ka anëtarë me origjinë greke. Nga ana tjetër, shqiptarë me banim në Greqi, janë anëtarësuar të PASOK-u, madje Komiteti Qendror i kësaj force politike, ka anëtarë me origjinë shqiptare.

Me një fjalë, interesi është i ndërsjellë. Presidenti i Internacionales është i destinuar të bashkëpunojë me kryetarin e saj në Komisionin për Evropën Juglindore. Kryetari i PASOK-ut është i destinuar të bashkëpunojë me kryetarin e PSSH-së. Dypartizimi është kthyer në realitet. Edi Rama, ka se çfarë të deklarojë në Dropull dhe në Athinë, duke u kërkuar votën socialistëve grekë në Shqipëri, dhe emigrantëve shqiptarë me bindje të majta në Greqi. Po ashtu, edhe kryetari i PASOK-ut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›