Makinat qeveritare, ankandi i ri fut 9.2 milionë lekë në buxhet
Vazhdon ankandi i shitjes së makinave shtetërore. Pavarësisht se afati i fundit ishte parashikuar deri në fundin e muajit maj, Ministria e Financave ka zhvilluar gjatë muajit korrik ankandin për shitjen e 10 automjeteve të përdorura, që më parë i mbante nën administrimin e saj. Disa këshilltarë të Kryeministrit Berisha nuk kanë arritur dot të blejnë automjetet e dala në ankand, pasi kanë paraqitur çmime më të ulëta se konkurrentët e tyre. Këshilli i Ministrave, nga 16 makina të nxjerra në ankand në maj 2010, ka përfituar gjithsej 6.2 milionë lekë. Ministria e Financave ankandin e fundit për makinat shtetërore e ka zhvilluar më 13 korrik, duke përfituar gjithsej për 10 automjete shumën prej 1.4 milionë lekësh. Ndërsa Ministria e Transportit ka përfituar shumën prej 1.9 milionë lekësh për të gjitha makinat e nxjerra në ankand. Për këto tri institucione që kanë përfunduar tashmë ankandin e makinave shtetërore, vlera totale e grumbulluar është 9.2 milionë lekë. Një shifër relativisht e vogël në krahasim me 15 milionë euro, shifër kjo e cila pritej në fakt të përftohej nga ky proces. Të dhënat janë të pasqyruara në faqen zyrtare të tri dikastereve të sipërpërmendura. Nga këto tri dikastere priteshin të përftoheshin edhe vlerat më të mëdha të të ardhurave nga ky proces. Por nga vlerësimi i mjeteve, kushtet e shfrytëzimit, gjendja teknike aktuale, komisionet e vlerësimit për secilën nga këto dikastere kanë vendosur, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1242, datë 16.12.2010, pika nr. 2 te kapitulli metoda e përdorur për nxjerrjen e vleftës fillestare dhe shkresës së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave nr. 74/4 datë 11.03.2010 “Në lidhje me vlerësimin e automjeteve të transportit që do t’u nënshtrohen procedurave të ankandit” çmimet fillestare të ankandit. Ndërsa ministritë e tjera nuk kanë bërë publike në faqen zyrtare atë që është propaganduar shpesh kohët e fundit nga qeveria shqiptare për prokurimet apo ankandet publike në formë elektronike.
Llojet e makinaveAutomjeti me vlerën më të lartë të shitur në ankandin e zhvilluar prej Këshillit të Ministrave është e tipit “Opel omega”, e cila vlerën fillestare në ankand e ka pasur 125 mijë lekë, ndërkohë që është shitur me vlerën 1.5 milionë lekë. Makina më e lirë e shitur në ankand është sërish e tipit “Opel” me vlerë 100 mijë lekë. “Mercedez Benz” e tipit ML320, e cila administrohej nga punonjësit e Kryeministrisë, është shitur në ankand me vlerën 520 mijë lekë, një “Land Rover” është shitur me 690 mijë lekë dhe një “Volksvagen passat” është shitur me vlerën 400 mijë lekë. Ministria e Financave dhe Ministria e Transporteve i kanë pasur më të ulëta çmimet e ankandeve, kjo për pasojë edhe të automjeteve të vjetra. Një automjet tip “Fiat” apo “Suzuki”, që më parë ka qenë në administrim të Ministrisë së Financave, është shitur me 75 mijë lekë. Vlera më e lartë e makinave të nxjerra në ankand nga Ministria e Financave është ajo e një “Land RoverI” me çmim 390 mijë lekë. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit vlerën më të madhe në ankand e ka pasur për automjetin tip KIA Sorento LX, prodhim i vitit 2002 me vlerë 405 mijë lekë. Makina më e lirë është “Opel Astra” dhe “Opel Vektra” me çmim 75 mijë lekë.
#