E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Distancohem nga sulmet ndaj Topit

Kreu i LSI-së shprehet pro ligjit organik për Presidentin, por kritikon PD-në

Pararoja e fortë politike e Partisë Demokratike ndaj institucionit të Presidencës duket se do të mbetet lojë politike pa aleatë. Partneri i saj në qeveri, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje gatishmërinë për të konkretizuar nismën për hartimin e një ligji organik për kreun e shtetit, por u distancua nga sulmet politike dhe personale ndaj tij. Duke folur në një konferencë për shtyp dje, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, është shprehur posaçërisht për situatën e krijuar, rreth së cilës ai ka rikonfirmuar edhe një qëndrim autonom të partisë së tij. “Janë të gjitha instrumentet për të vërtetuar kushtetutshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve. Mes institucioneve duhet të ekzistojë bashkëpunimi dhe jo fryma e konfliktit. LSI do të ketë veprime parimore ndaj institucioneve dhe nuk do të ketë palë me askënd. Në bazë të Kushtetutës, çdo institucion kushtetues duhet të ketë ligjin përkatës organik”, tha numri dy i qeverisë. Kështu ai ka pranuar nevojën e ndërhyrjeve të posaçme ligjore në adresë të institucionit që drejtohet nga Bamir Topi, ndaj të cilit së fundmi PD ka ndërmarrë një seri sulmesh të rënda. Referenca ndaj kuadrit kushtetues dhe theksimi i qëndrimit politik dëshmojnë se funksionimi i koalicionit qeverisës nga pikëpamja institucionale është i plotë. Ky është edhe mesazhi i parë kryesor që duket se ka përcjellë aleati i Sali Berishës në ekzekutiv, i cili nuk ka harruar që të bëjë të qartë se mbështetja e dhënë për hartimin e një ligi organik nuk duhet kuptuar si përfshirje e LSI në betejën e hapur nga PD kundër Presidentit të Republikës. Situata vjen në një ngjashmëri relative me atë të krijuar me projektligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili u pezullua për shkak të ndërhyrjes së fortë të ndërkombëtarëve dhe jo tërheqjes ndaj nevojave për ndryshim. Në këtë kuadër, diferenca e qëndrimeve të LSI me ato të PD është nënvizuar edhe një herë dje në një përpjekje që kërkon të shmangë implikimet e konfliktit politik të tanishëm, i cili po udhëhiqet nga Kryeministri Sali Berisha. Një sinjal që mund të paralajmërojë fërkime serioze në fakt është dhënë dje nga ministri i Jashtëm për sa i përket frymës së ligjit organik që pritet të hartohet, ndaj të cilit që tani kanë lindur dyshime. “Nuk mund të shënohet një ligj organik për të cenuar kompetencat kushtetuese të një institucioni tjetër, pra nga ana e Kuvendit, por çdo ligj organik duhet bërë në frymën e bashkëpunimit dhe të synojë respektimin e Kushtetutës”, ka deklaruar dje numri dy i qeverisë. Kjo gjendje paralelizon deri diku me atë të krijuar nga ligji i SHISH-it, për të cilin mazhoranca ndërmori një nismë të njëanshme. Jashtë këtij kuadri që po qarkullon prononcimet e koalicionit qeverisës, mbetet ende i pazyrtarizuar qëndrimi i opozitës që, sipas Kushtetutës, kontrollon në praktikë miratimin ose jo të një ligji organik për Presidencën. Duke qenë se për këto kategori ligjesh kërkohet një shumicë e cilësuar, atëherë është e qarte se konsensusi i Partisë Socialiste është kusht i domosdoshëm, kur dihet se kjo e fundit refuzon votimin edhe për kode të tjera të rëndësishme. “Një opozitë që punon për integrimin europian të vendit nuk mund të bëhet pengesë për miratimin e ligjeve që janë kërkesë e BE-së dhe janë në përputhje edhe me legjislacionin e BE-së”, është shprehur lidhur me këtë fakt Meta.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›