E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çaushi: Presim vizitën e Tadiçit në Tiranë

Intervista Flet ambasadori shqiptar në Beograd: Presidenti e ka cilësuar si historike

“është e rëndësishme që të konstatojmë me kënaqësi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë aktualisht përbëjnë një shembull të zhvillimit intensiv të marrëdhënieve dypalëshe mes të dyja vendeve tona, që ndikon pozitivisht në marrëdhëniet në të gjithë rajonin tonë. Dhjetëra e qindra qytetarë të Serbisë kontaktojnë çdo ditë me Ambasadën e Shqipërisë në Beograd dhe pyesin për kushtet e udhëtimit në këtë vend. Më vjen mirë që t’ju them se Shqipëria tanimë i ka hequr vizat për shtetasit serbë dhe u bëj thirrje atyre që të shfrytëzojnë rastin dhe të provojnë mikpritjen dhe respektin e shqiptarëve”, theksoi midis të tjerave ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim çaushi, në intervistën që i dha gazetës së përditshme serbe, “Danas”, të cilën kjo e fundit e boton sot nën titullin e mësipërm. Më poshtë po ju sjellim tekstin integral të intervistës në fjalë:

Që nga vizita e zëvendëskryeministrit Ilir Meta, në mars të këtij viti dhe deri më sot, çfarë ka ndryshuar në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë?

Vizita e zëvendëskryeministrit dhe e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, në Beograd, ishte një tregues politik me rëndësi historike, që padyshim luan një rol të caktuar në zhvillimin e ri të marrëdhënieve mes dy vendeve. Megjithatë, kjo vizitë e rëndësishme nuk ishte e papritur. Ajo gjithashtu ishte rezultat i zhvillimeve gjeopolitike në rajonin tonë, si dhe i orientimit të përbashkët të të dy vendeve tona në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit europian. Nga ana tjetër, klimën e re politike e kanë favorizuar edhe mesazhet inkurajues të ndërsjellë të liderëve të shquar të Tiranës dhe të Beogradit. Kryetari i qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha, e ka ftuar për vizitë zyrtare Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, në Tiranë. Në të njëjtën kohë, Presidenti i Serbisë ka deklaruar publikisht nevojën e bashkëpunimit mes dy vendeve, jo vetëm si reflektim të interesave politike, ekonomike dhe njerëzore tona, por edhe si një faktor pozitiv të rëndësishëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Vendimi që Shqipëria mori në prill të vitit 2010 për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit serbë, a ka sjellë një interesim më të madh të qytetarëve të Serbisë për të vizituar vendin tuaj?

Shqipëria ndërmori një gjest pozitiv, duke iu ofruar një lëvizje të lirë pa viza qytetarëve të Republikës së Serbisë, gjë që ka rezultuar te rritja e numrit të vizitorëve nga Serbia në vendin tonë, i cili ofron mundësi reale për biznes, kulturë dhe sidomos për turizëm. çdo ditë kemi dhjetëra e qindra thirrje në ambasadën tonë në Beograd nga ana e qytetarëve tuaj, që pyesin nëse heqja e vizave është e vërtetë. Kam kënaqësinë e madhe që ta konfirmoj edhe një herë tjetër faktin se qytetarët e Serbisë mund të udhëtojnë në Shqipëri vetëm me pasaportat e tyre.

A mund ta rekomandoni Shqipërinë si një destinacion turistik edhe për ata qytetarë të Serbisë që nuk janë të kombësisë shqiptare?

Shqipëria tanimë është shënuar si një destinacion turistik atraktiv jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në të gjithë Mesdheun. Vitet e fundit është punuar mjaft për ngritjen e një infrastrukture turistike moderne dhe në këtë kuadër janë bërë rikonstruktime, janë ndërtuar rrugë të reja gjatë bregdetit tonë, si edhe kudo në vendin tonë, janë krijuar kushte moderne në hoteleri dhe në shërbimet përkatëse, që mund të krahasohen me ato në vendet europiane të zhvilluara. Ju bëj thirrje turistëve tuaj që të shfrytëzojnë rastin e të provojnë mikpritjen dhe respektin e shqiptarëve, garancinë dhe sigurinë e një udhëtimi të qetë e plot me kureshtje.

A mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën Serbia dhe Shqipëria në procesin e integrimeve europiane?

Fusha e integrimeve europiane është bazë dhe qëllim i të dyja vendeve tona. Ne tanimë e kemi filluar bashkëpunimin në këtë fushë. Së shpejti, një delegacion ekspertësh tanë të kësaj fushe do të vijë në Beograd për shkëmbimin e përvojës me kolegët e tyre serbë.

A prisni vizita të reja të zyrtarëve të lartë në vendet e njëri-tjetrit?

Priten vizita mjaft të rëndësishme të zyrtarëve të lartë mes të dy vendeve, përfshi edhe vizitën e Presidentit tuaj të nderuar, Boris Tadiç, për të cilën ai vetë ka thënë se do të jetë historike, duke pasur parasysh se ajo do të jetë vizita e parë zyrtare e një presidenti serb në historinë më të re të dy vendeve tona. Gjatë muajit qershor të këtij viti, ndihmësministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Zdravko Ponosh, zhvilloi konsultime politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, me ftesë të zëvendësministres së Jashtme të Shqipërisë, Edit Harxhi. Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh faktin se në dhjetëvjeçarët e kaluar nuk ka pasur bisedime politike të tilla. Gjithashtu, pak kohë më parë në Shqipëri qëndroi për një vizitë zyrtare ministri i Energjetikës së Serbisë, Petar Shkundriç, që nënshkroi me kolegun e tij shqiptar, Dritan Prifti, një numër marrëveshjesh të rëndësishme në fushën e energjetikës. Ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe do të intensifikohet më tej.

Serbia ende nuk i ka hequr vizat për shtetasit e Shqipërisë. Përse? çfarë ju kanë thënë lidhur me këtë zyrtarët serbë?

është e vërtetë se Serbia edhe më tej vazhdon ta ruajë regjimin e vizave me Shqipërinë. Kjo pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë që të vizitojnë vendin tuaj të bukur me vlera turistike dhe ekonomike. Pala jonë ka kërkuar nga organet e larta në Serbi që të aplikojnë të njëjtat standarde për qytetarët tanë, pra të heqin vizat, ashtu sikurse ka bërë Shqipëria për qytetarët e Serbisë. Shpresoj që Beogradi zyrtar t’i përgjigjet me të njëjtin gjest gjestit tonë pozitiv.

Përgatiti: Maksim Sinemati

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›