E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë në Drin, qeveria: Plan për evakuimin e banorëve

 Qeveria bën plan për evakuimin e banorëve në zonën poshtë Shkodrës dhe Lezhës nga frika e përmbytjeve. Ministri i Energjetikës paralajmëron se nga reshjet e shumta, lumi Drin mund të dalë nga shtrati. Vetëm dje, prurjet në hidrocentralet e kaskadës, sipas qeverisë, kanë arritur deri në 4 mijë metra kub në sekondë, dhe kanë mbushur deri në pikën e mbytjes liqenet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Ministri Prifti, në konferencën për shtyp, paralajmëroi më të keqen në rast se reshjet do të detyronin vënien në punë me kapacitet të plotë të hidrocentralit të Fierzës. “Janë njoftuar të gjitha institucionet për marrjen e masave nëse situata do sjellë fryrje të mëtejshme të lumit Drin, gjë që mund të sjellë edhe dalje të Drinit nga shtrati”. Berisha dje urdhëroi ministrin e Brendshëm, që të dërgojë drejt zonave të rrezikuara emergjencën civile, si dhe ministrin e Mbrojtjes për dërgimin në këto zona të reparteve të Xhenios. “Kryeministri ka kërkuar hartimin e evakuimit të banorëve në rast nevoje”.Situata në hidrocentraleMinistri Prifti theksoi se prurjet e ujërave në kaskadën e Drinit kanë pësuar rritje të jashtëzakonshme. Sipas shifrave të qeverisë ato kanë arritur edhe deri në 4 mijë metra/kub në sekondë. Kjo për shkak të shirave të vazhdueshme dhe shkrirjes së dëborës në zonat malore. “Të dhënat e fundit tregojnë se niveli në HEC Komanit ka arritur në 174.50m (niveli maksimal 175m), ndërkohë që prurjet në liqen janë 1220m3/s; në HEC Vau Dejës niveli ka arritur në 75.40m (niveli maksimal 76m) dhe prurjet anësore 150 m3/s. Të dy hidrocentralet punojnë në kapacitet të plotë, Komani me 4 agregate dhe Vau i Dejës me 5 agregate. Situata është vështirësuar edhe në HEC Fierzë, në të cilin niveli ka arritur në 289.34m (niveli i lejuar 290m për këtë muaj) dhe prurjet 1350 m3/s, ndërkohë që HEC Fierzë është në gatishmëri të plotë për prodhim”, theksoi dje ministri prifti. Sipas të dhënave, duket se liqenet e të tre hidrocentraleve janë vetëm gjysmë metri larg pikës maksimale të derdhjes. “Për shkak të rritjes së nivelit pranë kufijve të lejuar dhe shmangien e katastrofave, në përputhje me rregulloren mbi shkarkimin e plotave, në mëngjesin e datë 27.12.2009 në orën 9:10, janë hapur portat e shkarkimit në HEC Koman dhe më pas, në orën 11:20 janë hapur dhe portat e shkarkimit në HEC Vau i Dejës, prej të cilave po shkarkohen rreth 400m3/s. Frika nga FierzaDeri dje pasdite, hidrocentrali i Fierzës nuk ishte në punë. Kjo edhe për të ruajtur prurjet në hidrocentralet e tjera të kaskadës. Por sipas Priftit një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë për shumë kohë. “Për shkak të rritjes së nivelit në HEC Fierzë, gjatë orëve të ardhshme do të duhet të vihen në funksionim agregatet e tjerë në këtë hidrocentral, duke marrë kapacitetin e plotë prej tij”. Hapja e Fierzës me kapacitet të plotë do të rrezikonte ndjeshëm hidrocentralet poshtë saj, atë të Komanit dhe Vaut të Dejës. Prurjet e ujit nga Fierza do të rritnin menjëherë nivelin e hidrocentraleve dhe do të rrezikonin seriozisht mbytjen e tyre. “Në këto kushte, megjithëse shkarkimi i ujërave të tepërt është duke u kryer në mënyrën më graduale të mundshme duke përdorur në maksimum prodhimin vendas, ngritja e temperaturave, reshjet e shumta në rajon, parashikimi për vazhdim të tyre në ditët e ardhshme, dhe futja në punë e HEC Fierzë, mund të sjellin rritje të konsiderueshme të derdhjeve në pjesën fundore të kaskadës së Drinit”, theksoi dje Prifti. Kjo ishte edhe arsyeja pse në njoftimin e kryeministrisë, theksohej se po bëhet gati plani për evakuimin e banorëve në zonën fundore të kaskadës së Drinit. Ministri prifti shkon edhe më tej, kur thekson se “për përballimin e situatës janë njoftuar Kabineti i Kryeministrit, Ministria e Brendshme, e Punëve Publike, e Bujqësisë dhe organet e pushtetit vendor, për marrjen e masave nëse situata do sjellë fryrje të mëtejshme të lumit Drin, gjë që mund të sjellë edhe dalje të Drinit nga shtrati.”hidrocentraletFierza Prurjet                 1350 m3/sNiveli i Liqenit             289.34 metraNiveli maksimal            290 metraKomaniPrurjet                1220 m3/sNiveli i Liqenit            174.5 metraNiveli maksimal            175 metraVau i DejësPrurjet                150 m3/s (anësore)Niveli i Liqenit            75.6 metraNiveli Maksimal            76 metraUshtria kalon në gjendje emergjenteGrupi Ndërministror ka marrë vendimin që të vendosë në gjendje gatishmërie dhe emergjente trupat e policisë, ushtrisë për përballimin e çdo situate që mund të krijohet nga reshjet e shiut në veri të vendit. Në takim morën pjesë ministrat Basha, Prifti, Olldashi, Imami dhe zv.ministri i Bujqësisë, Fasllia, si dhe drejtuesit e Emergjencave Civile, të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura dhe të KESH-it. Nëpërmjet shtabeve të emergjencës janë njoftuar drejtuesit vendorë të të gjitha niveleve si dhe komuniteti i zonave që mund të rrezikohet nga prurjet e mëdha ujore për gatishmërinë e duhur dhe shmangien e çdo rreziku të mundshëm. Konkretisht në terren dhe në gatishmëri janë strukturat dhe mjetet e emergjencave civile, struktura dhe mjete të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Bordeve të Kullimit.Spitalet dhe qendrat shëndetësore janë njoftuar gjithashtu për të qenë të përgatitura për çdo situatë që mund të krijohet. Ministritë e linjës kanë vënë në gatishmëri të plotë të gjitha strukturat përkatëse me burimet njerëzore dhe bazën logjistike të nevojshme për përballimin e ndonjë situate emergjente që mund të krijohet. Hidrovoret janë në gatishmëri të plotë dhe punojnë pa ndërprerje. Strukturat e KESH-it po monitorojnë pa ndërprerje prurjen e ujërave në digat e të gjitha hidrocentraleve në kaskadën e Drinit duke ndërmarrë edhe veprimet e nevojshme për shkarkimin e tyre dhe njëkohësisht për furnizimin e popullatës me energji elektrike. Grupi Ndërministror i Emergjencave Civile vlerësoi masat e marra deri më tani si dhe miratoi plan veprimin për monitorimin dhe koordinimin e të gjitha strukturave për mbajtjen nën kontroll të situatës. Konkretisht, në qarqet Shkodër dhe Lezhë, shtabet e emergjencës funksionojnë në mënyrë permanente duke ndjekur situatën orë pas ore dhe duke verifikuar informacionin nga të gjitha hallkat e kontrollit.Imami: Ushtria nën komandën e policisëMinistria e Mbrojtjes merr vendimin për të vënë në gatishmëri Forcat e Armatosura për shkak të reshjeve të dendura të shiut. “Prurjet nga reshjet e mëdha të shiut të ditës së fundit po krijojnë një situatë emergjente në disa komuna në qarkun e Shkodrës. Për shkak të kësaj situate, me urdhër të kryeministrit, Sali Berisha, ministria e Mbrojtjes ka marrë të gjitha masat për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e Forcave të Armatosura”, thuhet në njoftimin për shtyp. Për çdo rast që mund të krijohet, ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion mjetet e saja ushtarake që policia ti përdorë në evakuimin e njerëzve. “Ushtria është në gjendje gatishmërie dhe ka vënë në dispozicion të autoriteteve të Ministrisë së Brendshme të gjitha mjetet për të ndihmuar popullsinë civile dhe për të kryer evakuimin e banorëve në rast nevoje. Ndërsa ministria e Bujqësisë bën të ditur se janë në funksion dhe punon në kapacitet të plotë të gjithë hidrovoret në zonat e ulëta të vendit. Bordet e kullimit janë në gatishmëri dhe monitorojnë nga situatën.KORçEPërmbytet fusha e MaliqitKORçE - Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme të tokave në fushën e Maliqit. Të paktën 300 hektarë tokë bujqësore llogaritet se janë nën ujë pas rënies së reshjeve të shumta të shiut këto dy ditët e fundit në rajonin e Korçës. Përmbytja e tokave është më problematike në komunën e Libonikut, ku sipërfaqe toke janë nën ujë dhe gruri i mbjellë në to gjatë vjeshtës duket se ka shkuar dëm për fermerët. Petrit Kupe, kryetar i komunës së Libonikut, thotë se nga rënia e reshjeve të shumta mund të jenë përmbytur të paktën 300 hektarë tokë. Zona më e përmbytur e tokës bujqësore në fushën e Maliqit ka qenë ajo e fshatrave të komunës Libonik, ku uji i rënë nga shirat nuk rrjedh normalisht në shtratin e lumit Devoll. Kupe thotë se këto përmbytje vijnë për faktin se nga vendi i quajtur “Pylli i fazanëve” dhe deri tek ura e Maliqit ka nevojë për thellimin e shtratit të lumit Devoll.      g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›