E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinë e pandalshme e golave

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, me dy golat që realizoi kundër Racing Santanderit të dielën, arriti në kuotën e 50 shënimeve këtë sezon. 30 prej tyre vijnë nga La Liga. Messi është bërë futbollisti i dytë pas Gerd Mullerit që shënoi 50 e më tepër gola në dy sezone të njëpasnjëshme. Atij i nevojiten edhe pesë gola për të barazuar rekordin e legjendës së Barcelonës, Cesar Rodriguez (235).

Lionel Messi të dielën shënoi golin e tij të 50-të për Barcelonën deri më tani gjatë këtij sezoni. Argjentinasi ishte realizues i dyfishtë në fitoren e Barcelonës me rezultat 2-0 në udhëtim ndaj Racing Santanderit. Tani pritet që gjeniu argjentinas të thyejë rekordin e tij personal prej 53 golash brenda një edicioni, të cilin e shënoi vitin e kaluar.

Messi realizon me lehtësi të jashtëzakonshme. Është vetëm 24 vjeç, por ka vetëm pesë gola më pak se realizuesi më i mirë në histori të klubit, Cesar Rodriguez (235). Messi arriti në kuotën e 50 shënimeve prej të cilave 30 janë gola që i realizoi pas 26 xhirosh në La Liga.

Messi ka realizuar (dhe asistuar) në të gjitha gjashtë garat që mori pjesë deri më tani gjatë këtij sezoni dhe përveç 30 golave në La Liga, ai realizoi 12 në Ligën e Kampionëve, tre në Superkupën e Spanjës, nga dy në Copa del Rey dhe Kampionatin botëror të klubeve dhe një në Superkupën e Evropës.

Futbollisti më i mirë në botë

Statistikat tregojnë më së miri pse Messi konsiderohet aktualisht futbollisti më i mirë në botë.

- Messi është futbollisti që pas më së paku ndeshjeve (202) arriti 150 fitore në La Liga. Mbrojtësit të Real Madridit, Jose Santamaria iu nevojitën 208.

- Messi është futbollisti i dytë që shënoi 50 e më tepër gola në dy sezone të njëpasnjëshme. Para tij këtë e kishte bërë legjenda e Bayern Munichut, Gerd Muller, i cili realizoi 50 më 1971/72 dhe 55 në edicionin e ardhshëm.

- Në pesë ligat kryesore evropiane, Messi është futbollisti i cili ka pasuar topin më së tepërmi në çerekun e fundit të fushës (911). Xavi është i dyti me 844.

- Messi ka shënuar 16 gola në 6 ndeshjet e fundit (përfshirë edhe duelin me Argjentinën kundër Zvicrës). Sezonin e kaluar ai kishte arritur të shënonte në 10 takime të njëpasnjëshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›