E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makolli: Kemi mbledhur nënshkrimet për rikandidimin e Pacollit

Nga Express më 30 mars 2011 në ora 19:55

(E plotësuar) Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë për Kosovapress se koalicioni qeverisës PDK-AKR dhe minoritetet kanë vendosur që sërish të dalin me Behxhet Pacollin si kandidat për president të Kosovës dhe se tashmë kanë mbledhur numrin e nënshkrimeve të nevojshme për një gjë të tillë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të mërkurën ka publikuar aktgjykimin lidhur me kërkesën e LDK-së rreth zgjedhjes së Behgjet Pacollit për president të Kosovës. Në aktgjykimin, i cili iu është dorëzuar Presidencës, LDK-së dhe Sekretarisë së Kuvendit të Kosovës thuhet se zgjedhja e presidentit nuk ishte kushtetuese.

Zyrtarë të AKR-së kanë deklaruar se pas gjendjes së krijuar janë siguruar nënshkrimet e nevojshme sipas Kushtetutës për kandidimin e Behgjet Pacollit për president dhe sipas tyre procedimi i zgjedhjes së presidentit do të bëhet së shpejti.

Sipas Makollit, çështja e nënshkrimeve nuk ka qenë asnjëherë problem dhe se tashmë janë siguruar nënshkrimet e nevojshme sipas Kushtetutës, ku parashihen që për nominim e një kandidati për president duhet të jenë më së paku 30 nënshkrime të deputetëve.

Makolli ka thënë se Kosova ka nevojë për një zgjidhje të shpejtë, pasi që afati kushtetues për një ushtrues detyre të presidentit ka kaluar para dy ditësh, kështu që sipas tij procedimi i zgjedhjes së presidentit do të bëhet së shpejti.

Pacolli rikandidon për president

Behgjet Pacolli është pajtuar dhe ka pranuar në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin konsiderohet se ai nuk është zgjedhur president i Kosovës sipas procedurave kushtetuese.

Njëherësh, Pacolli është rikandiduar për postin e presidentit, ka bërë të ditur këshilltari i tij, Ibrahim Gashi.

Sapo ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Pacolli përmes këshilltarit Gashi, është zotuar se e respekton dhe pranon aktgjykimin dhe njëherësh është përmbajtur nga çdo koment rreth këtij vendimi.

“Konsiderojmë që Kuvendi i Kosovës është i vetmi organ kompetent për të ndërmarrë sa më parë hapat e ardhshëm”, tha Gashi.

“Duke konsideruar se do të ketë përsëritje të procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se z.Behgjet Pacolli do të jetë kandidat nga radhët e koalicionit, meqenëse sipas vendimit që pranuam sot nga Gjykata Kushtetuese, z.Pacolli nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, theksoi Ibrahim Gashi.

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar sot se zgjedhja e presidentit pritet të procedohet në Kuvend qysh javën tjetër.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›