Makolli: Ruajtja e identitetit kombëtar me rëndësi të madhekombëtar

Ruajtja e identitetit kombëtar është interes edhe i vendeve ku jetojnë mërgimtarët, pasi ata pasurojnë diversitetin kulturor të asaj shoqërie, deklaroi ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli.
Këto vlerësime ai i bëri gjatë një takimi me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Ernst Reichel, me të cilin bisedoi për mundësinë e bashkëpunimit në fushat që kanë të bëjnë me mërgatën kosovare në Gjermani.
”Ne jemi shumë të interesuar që diaspora jonë të jetë e integruar mirë në vendet ku jeton”, tha ministri Makolli.
Sipas tij, Ministria që drejton, do të hartojë politika në përkrahje të investimeve të mërgimtarëve në Kosovë, pasi siç tha ai, hapja e bizneseve të mërgimtarëve jo vetëm që zhvillon ekonominë, por me hapjen e vendeve të reja të punës parandalon përpjekjet e shumë të rinjve për të ikur ilegalisht nga vendlindja.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, tha gjithashtu se mos përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit është një padrejtësi që po u bëhet qytetarëve të Kosovës dhe familjarëve të tyre në diasporë në pamundësi të lëvizjes së lirë të tyre dhe kësisoj forcimit të lidhjeve familjare, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Diasporës.
Ndërkaq ambasadori Ernst Reichel, tha se Ministria e Diasporës përbënë një dikaster të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Gjermanisë dhe Kosovës, duke theksuar se diaspora përbën një ndër elementet vendimtare për marrëdhëniet mes popujve.
Ai ofroi bashkëpunimin e ambasadës gjermane në projektet që kanë të bëjnë me diasporën kosovare në Gjermani. /rtk/