Valixhja me pistoletat e 21 Janarit, dy muaj rrugë drejt Amerikës
Pistoletat e gardistëve, të nisura drejt laboratorit të FBI-së në korrik për ekspertizë, u morën në dorëzim në shtator. Arsyet e vonesës, ende të paqarta. Ekspertiza e amerikanëve pritet të përfundojë me vonesë
Tiranë Udhëtim dy muaj drejt Amerikës. Bëhet fjalë për pistoletat e gardistëve të 21 Janarit, të mbërritura me dy muaj vonesë në laboratorët e FBI-së, në rrethana ende të pashpjegueshme. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme i thanë MAPO-s se ekspertiza që do të kryejë Byroja Federale e Hetimit (FBI) për zbardhjen e ngjarjeve të 21 Janarit pritet të përfundojë me disa muaj vonesë, për shkak të pistoletave, të dërguara atje në cilësinë e provës materiale. Mësohet se bashkë me serverin e Kryeministrisë dhe të paktën tetë predha, prokuroria dërgoi drejt SHBA-ve edhe disa pistoleta që u përkisnin gardistëve të planifikuar me shërbim pranë Kryeministrisë më 21 Janar. Për arsye ende të pa shpjegueshme, pistoletat, me të cilat dyshohet se mund të jetë qëlluar mbi turmën, kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara me dy muaj vonesë. Konfirmimi ka ardhur pak ditë më parë në Prokurorinë Shqiptare, e cila është informuar se armët kanë mbërritur në laboratorin e FBI-së vetëm në fund të muajit shtator të këtij viti. Edhe pse ato u dërguan në fund të korrikut për ekspertim, ekspertët amerikanë i kanë marrë ato në dorëzim në fund të muajit shtator, çka do të thotë se edhe ekzaminimi i tyre pritet të shtyhet me ditë, ndoshta dhe me muaj. Arsyet e kësaj vonese ende nuk janë bërë prezente për autoritetet shqiptare, të cilat janë në pritje të analizave dhe ekspertizave që do të kenë një rol kyç për hetimet e mëtejshme të ngjarjeve të 21 Janarit, ku humbën jetën katër persona dhe u plagosën 7 të tjerë. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se në fund të muajt korrik prokuroria, duke shfrytëzuar ndihmën e autoriteteve amerikane për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ka dërguar drejt SHBA-ve letër-porositë respektive dhe disa prova materiale. Serveri i kamerave të Kryeministrisë, tetë predha përfshi edhe ato të gjendura në trupin e Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, të cilët u shpallën pa vlera identifikueshmërie nga ekspertët vendas, u dërguan për ekspertim në SHBA. Po ashtu, prokuroria dërgoi edhe disa armë tip pistoletë për ekzaminim dhe krahasimin me predhat e gjendura, të cilat mësohet se janë nisur drejt SHBA-ve nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Tiranë. Armët janë futur në një valixhe, e cila më pas është vulosur dhe janë dërguar për ekspertim. Nuk dihet me saktësi rruga që ka ndjekur valixhja me pistoletat e gardistëve, por ajo që konfirmohet është se armët kanë mbërritur në SHBA vetëm në fund të muajt shtator. Prokuroria ende nuk ka informacion nëse ka përfunduar ekspertimi i serverit të Kryeministrisë, i cili rezultoi të ishte formatuar nga një ekspertim që u krye në Shqipëri. Por pjesa më e rëndësishme e ekspertizës së FBI-së mbetet krahasimi i predhave të gjendura në trupat e dy viktimave, dhe ato të sekuestruara në vendin e ngjarjes.
Krahasimi i predhave me armët e gardistëve
Të teta predhat, sipas ekspertëve shqiptarë, nuk mund të përcaktojnë armët nga të cilat kanë qëlluar. Për të arritur në këtë konkluzion, ekspertët i kanë krahasuar ato me armët e sekuestruara, por në asnjë rast nuk janë përputhur. Tashmë prokuroria synon që këto krahasime të bëhen nga një laborator i specializuar, siç është si i FBI-së, me shpresën se mund të përcaktohen armët që kanë qitur këto predha dhe të identifikohen përgjegjësit. Për këtë arsye, bashkë me predhat, prokuroria ka dërguar edhe armët e shërbimit të disa gardistëve që ndodheshin atë ditë brenda murit rrethues të Kryeministrisë.