E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klivland, O‘Nill përkrah LeBron Xhejms

Shakill O‘Nill dhe LeBron Xhejms së bashku, një dyshe fantastike, që të paktën në letër i shndërron Kavaljers në skuadrën më të fortë të NBA-së. Pavarësisht moshës, 37-vjeçari që në sezonin e fundit luajti me Feniks Sans, ka treguar se mund të luajë ende në nivele të larta. Afrimi i O‘Nill te Klivland ka ardhur pas zhgënjimit të këtyre të fundit: edhe pse në fund të sezonit kishin vendosur rekordin më të mirë, ata u dorëzuan në finalen e Konferencës së Lindjes përballë Orlandos. Zgjedhja e Shak u kushtëzua nga mungesa e një lojtari të fortë poshtë koshit dhe tashmë që skuadra duket e kompletuar, objektivi është titulli kampion i NBA. O‘Nill do të përfitojë 14 milionë euro në sezon dhe përkrah LeBron Xhejms, i cili u shpall basketbollisti më i mirë i kampionatit të kaluar dhe shihet si pasardhësi i Majkëll Xhordon, ai synon të fitojë titullin e pestë. Më parë ishte shpallur kampion tri herë radhazi me Los Anxhelos (nga viti 2000 deri më 2002), ndërsa në vitin 2006 triumfoi me Majamin. Në sezonin e fundit, Shakill O‘Nill ka shënuar mesatarisht 17.8 pikë dhe ka pritur 8.4 topa poshtë tabelës në ndeshje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›