E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, brenda 6 Shkurtit përfundon evidentimi i dëmeve

TIRANE-Brenda 6 shkurtit qeveria premton të mbledhë të gjitha të dhënat mbi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në 3 qarqet e Shkodrës, Durrësit dhe Lezhës. Në vendimin e 6 janarit, qeveria ka miratuar formularët që duhet të plotësohen nga grupi i evidentimit të dëmeve, duke përllogaritur dhe çmimet që do të përdoren për dëmshpërblimin e banorëve përmbytur për makineritë bujqësore, kafshëve bujqësore. E perditshmja "Gazeta Shqiptare" ben te ditur sot  cmimet e kompensimit per cdo objekt te demtuar. Gjithashtu, shton e perditshmja, pjesë e dëmshpërblimit do të jenë dëmet e shkaktuara për kulturat bujqësore të arave, të atyre të shkaktuara në pemë frutore, hardhi dhe ullinj, si dhe në bazën ushqimore të blegtorisë.

Qeveria premton të dëmshpërblejë banorët dhe për bimët dekorative dhe për rezervatet e peshkut. Gjithsej qeveria ka miratuar tetë formularë. Në dy formularë do të plotësohen dëmet në banesa, si dhe situacion vlerësimi (orendi e mobilie + pajisje elektro-shtëpiake). Ndërsa formularët e tjerë lidhen me dëmshpërblimet që bëhen për bagëti, kafshët bujqësore, të mbjella në ara. Në këto formularë jepen dhe çmimet që shteti do të përdorë për dëmshpërblimin e çdo familjari, të cilit iu janë dëmtuar të mbjellat, iu kanë ngordhur kafshët bujqësore, iu janë prishur makineritë bujqësore, apo dhe baza ushqimore e blegtorisë. Të gjitha këto përfshihen në vendim me termin "Kategoria II".

Llogaritja e dëmit të objekteve, shtëpive nga përmbytjet në 3 qarqet Shkodër, Lezhës dhe Durrës do të realizohet mbi bazën e çmimeve të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 2010. Për verifikimin e dëmeve qeveria ka ngritur 20 grupe pune. Në të bëjnë punonjës nga EKB, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, ALUIZNI, institucioneve në varësi të ministria e Punëve Publike, si dhe njësia përkatëse e qeverisjes vendore. "Pas vlerësimit të dëmeve për kategoritë I dhe II, në objektet e banimit, në objektet ndërtimore të biznesit, në ndërtimet me karakter bujqësor etj., llogaritja të bëhet me çmimet sipas zërave të punimeve të ndërtimit, miratuar për qytetet e Shkodrës, të Durrësit dhe të Lezhës, për vitin 2010, nga EKB", thuhet në vendimin e qeverisë. 

Qeveria parashikon të dëmshpërblejë edhe orenditë e shtëpisë banorëve. "Për grupin pajisje elektro-shtëpiake, vlerësimi të bëhet në bazë të çmimit aktual të tregut, përcaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, dërguar zyrtarisht EKB; - Për grupin orendi e mobilie, të bëhet dëmshpërblimi në lekë, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për frymë dhe jo më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë për familje", - thuhet në pikën 4/dh të këtij vendimi.

Përmbytje ne nentor-Dhjetor ndodhen ne gjithe vendin, por më të medha ndodhën në zonën e Shkodrës. Uji pushtoi dhe një pjesë të qytetit të Shkodrës, duke dëmtuar dhjetëra e qindra shtëpi e biznese u dëmtuan. Sipas burimeve nga Prefektura e Shkodrës, 12 njësi vendore u përfshinë në hartën e përmbytjeve të dhjetorit (2 bashki dhe 10 komuna). U evakuuan 14.210 banorë dhe 20.000 krerë bagëti. U përmbytën 11.420 ha tokë si dhe 4.660 shtëpi. Ndërsa 3.500 banesa u rrethuan nga uji.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›