“Mal i Zi, testi për Rumaninë”
Leonard Karaj
Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe ka publikuar dje gjatë një konference shtypi listën prej 26 lojtarësh të thirrur për dy ndeshjet miqësore ndaj Malit të Zi në Podgoricë, më 25 maj dhe Andorës, më 2 qershor. Bien në sy tre emra të rinj në vijën e sulmit: Bekim Bala (Vllaznia), Ahmed Jonuzi (Vorskla Poltava) dhe Parid Xhihani (Zorja). Dy prurje të reja janë dhe mbrojtësi i Tiranës, Ditmar Bicaj, e mesfushori i Laçit, Emiljano Veliaj. Ndërkohë ishte parashikuar që në skuadër të ishte edhe portieri, Arjan Beqaj, por ky i fundit nuk ka mundur t’i bashkohet grupit të lojtarëve, arsye të cilën e ka shpjeguar vetë trajneri Kuzhe. “Arjani më lajmëroi dje (pardje) në mbrëmje se nuk mund të vinte dot, pasi kishte probleme me veshkat. Kishte gurë dhe duhej t’i bombardonte ato në spital. Emrin e portierit të tretë për këto dy takime do ta bëjmë të njohur ditën e hënë”, ka pohuar tekniku kuqezi.
Mali i Zi
Ndonëse takimi ndaj Andorës nuk konsiderohet si shumë i dobishëm, ai ndaj Malit të Zi sipas trajnerit do ti vlejë për të parë më mirë skuadrën e tij. Ai e shikon skuadrën malazeze në një nivel me Rumaninë, skuadër kjo që do të jeta e para me të cilët do të ndeshemi në kualifikimet për Euro 2012 më datë 3 shtator të këtij viti. “Jam i kënaqur me zhvillimin e miqësoreve me këta dy kundërshtarë. Mali i Zi është i ngjashëm me Rumaninë dhe po kështu Andorra ka formatin e Luksemburgut. Do të përfitojmë shumë, pavarësisht se me çfarë gjendje do të vijnë lojtarët”, ka vazhduar Kuzhe. Shumica e futbollistëve të Kombëtares, të cilët luajnë jashtë Shqipërisë, kanë kaluar një sezon të vështirë, pasi janë aktivizuar shumë pak me skuadrat e tyre. Por, sa e alarmon kjo situatë trajnerin Kuzhe?
Legjionarët
“E di që shumë lojtarë nuk luajnë. Pa asnjë mëdyshje kjo nuk është një gjë që më pëlqen, por nga ana tjetër janë disa lojtarë si Lorik Cana, Debatik Curri, Armend Dallku e ndonjë tjetër luajnë rregullisht. “Në fakt, ky është një problem që e kanë shumë ekipe përfaqësuese. Gjithsesi, opinionin tim për lojtarët do ta krijoj gjatë seancave stërvitore. Dua të krijoj një atmosferë të mirë përpara ndeshjeve. Sigurisht që Shqipëria nuk e ka luksin që të lërë pa grumbulluar edhe lojtarë si Bogdani e Salihi, të cilët ndoshta nuk luajnë rregullisht me ekipet e tyre, pasi nuk ka në dispozicion aq shumë futbollistë me qëllim që t’i zëvendësojë. Skela për shembull është një lojtar me përvojë të madhe dhe na shërben shumë. Ai nuk ishte aktivizuar në katër muajt e fundit, por kundër Irlandës së Veriut ishte më i miri në fushë. Gjithsesi, me sa di unë janë disa ekipe që janë duke e kërkuar atë”, ka pohuar Kuzhe duke “blinduar” në një farë mënyre vendin e fantazistit në ekipin tonë përfaqësues.
“Ukrainasit”
Janë shtatë lojtarët shqiptarë që luajnë ose kanë luajtur në kampionatin ukrainas të grumbulluar për këto dy miqësore. Por ajo që bie në sy është fakti se portieri Isli Hidi si dhe dy mesfushorët Ansi Agolli dhe Ervin Bulku nuk luajnë prej një kohë të gjatë te skuadra e tyre, Krivbas. “Nuk mendoj se do të jetë një problem për këto dy ndeshje. Janë thjesht një test për të parë gjendjen e skuadrës. Unë jam në kërkim për të gjetur lojtarë të rinj për kualifikueset e Kampionatit Evropian. Qëllimi im në këto dy miqësore është më shumë stërvitja në grup e lojtarëve. Kam marrë informacione se, si Januzi ashtu dhe Xhihani, po luajnë mirë me ekipet e tyre në Ukrainë. Thirrja e tyre është një mundësi për t’i parë nga afër”, ka thënë trajneri.
Lista e Kombëtares
Portierë: Isli Hidi (Kryvbas, Ukrainë), Samir Ujkani (Novara, Itali)
Mbrojtës: Andi Lila (Tirana), Armend Dallku (Vorskla Poltava, Ukrainë), Kristi Vangjeli (Aris Selanik, Greqi), Ansi Agolli (Kryvbas, Ukrainë), Lorik Cana (Sunderland, Angli), Ditmar Bicaj (Tirana), Endri Vrapi (Besa), Debatik Curri (Vorskla Poltava, Ukrainë)
Mesfushorë: Ervin Bulku (pa ekip), Klodian Duro (Apollon Limasol, Qipro), Ervin Skela (Tus Koblenz, Gjermani), Jahmir Hyka (Mainz 05, Gjermani), Gilman Lika (Boluspor, Turqi), Emilian Vila (Dinamo), Emiljano Veliaj (Laçi), Gjergj Muzaka (Tirana)
Sulmues: Erjon Bogdani (Kievo, Itali), Hamdi Salihi (Rapid Vjenë, Austri), Edmond Kapllani (Augsburg, Gjermani), Elis Bakaj (Dinamo), Bekim Bala (Vllaznia), Ahmed Jonuzi (Vorskla Poltava, Ukrainë), Parid Xhihani (Zorja Lugansk, Ukrainë).