Tolerimet shpërfytyrojnë Kategorinë 1
Ashtu siç pritej Bylis dhe Elbasani u ngjitën direkt në Kategorinë Superiore ndërsa Kamza dhe Lushnja do të luajnë ndeshje “play-off” me ekipet që do të renditen në vendin e 9-të dhe 10-të pas javës së fundit të Superligës. Ndërsa në fund të tabelës, Sopoti dhe Turbina ranë direkt në Kategorinë e Dytë ndërsa Skrapari dhe Memeliaj do të luajnë ndeshje “play-out”-i. Kaq përsa i përket asaj që na dhuroi si verdikte një sezon në Kategorinë e Parë. Përpos kësaj, ajo që ndodhi dje në disa fusha të kësaj kategorie vetëm me futbollin nuk ka lidhje. Rezultate marramendëse, jo që nuk kanë ndodhur kurrë më parë por që nuk kanë bërë vaki kurrë që në harkun e 10 minutave të fundit të shënohen plot 7 gola (kjo edhe sepse nuk të del as koha që të nxjerrësh topin nga rrejta dhe ta vendosësh në mesin e fushës). Por çfarë ndodhi realisht? Teksa po i afroheshim fundit të lojës, në Elbasan rezultati ishte 4-2 ndërsa në Kamëz 3-0 për vendasit. Këta të fundit, me një skenar të parapërgatituar u lëshuan në gola pafund me qëllim që të mund të arrinit të shënonin aq gola ndaj Turbinës, tashmë e pashpresë sa golavarazhi t’u lejonte atyre ngjitjen direkt në Superiore. Porta cërrikase u hap fare dhe seria e golave nuk kishte të mbaruar. Por një gjë të tillë, me të marrë vesh e nisën ta bëjnë edhe në Elbasan ku në harkun e pak minutave u shënuan plot 6 gola të tjerë. Tragji-komedia vazhdonte deri në minutat shtesë aq sa edhe vetë tifozët e pranishëm dhe mediat nuk po arrinin më të shënonin autorët e këtyre golave fals. Kjo ishte Kategoria e Parë dje, ky ishte sezoni 2009-2010.