Malaj: “Akti normativ i qeverisë në buxhet rrit korrupsionin”
Partia Socialiste akuzon qeverinë se me ndryshimet në buxhetin e shtetit me aktin normativ po keqpërdor të ardhurat që sigurohen nga taksapaguesit. Në pamundësi për t’u shprehur në seancën parlamentare, të shqetësuar për keqmenaxhimin e buxhetit, PS-ja ka bërë publik shqetësimin e saj lidhur me abuzimet që janë bërë me anë të aktit normativ të nxjerrë nga qeveria. Deputeti socialist Arben Malaj tha se përsa i përket implementimit dhe hartimit të buxhetit të shtetit, “qeveria gënjen kur thekson se ky akt normativ është i domosdoshëm për të shpërblyer pensionistët dhe administratën, praktikë që ka nisur që në vitin 2004. Ndryshimi i buxhetit të shtetit me akt normativ është antikushtetues, cenon rëndë menaxhimin e financave publike, cenon transparencën, rrit abuzivitetin dhe korrupsionin. Miratimi i një akti normativ vetëm 6 ditë përpara fundit të vitit është një dështim i përsëritur i qeverisë në hartimin dhe implementimin e buxhetit të shtetit, është keqpërdorim i taksave të shqiptarëve. Për rreth 11 muaj, qeveria ka shpenzuar rreth 25 miliardë lekë në muaj, ndërsa vetëm muajin dhjetor qeveria parashikon të harxhojë rreth 70 miliardë lekë ose 280% më shumë. Për 11 muaj, qeveria ka investuar rreth 6 miliardë lekë në muaj, ndërsa për muajin dhjetor qeveria pretendon të përdorë 22 miliardë lekë ose 370%. Kjo vërteton se investimet e muajit të fundit kanë një rrisk të lartë të cilësisë, eficencës dhe korrupsionit të tyre”, - tha Malaj.
25 Dhjetor 2008