E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Nëse PS-ja pranon ftesën tonë për bashkëpunim, opozita fiton zgjedhjet”



Shaban Sulçe

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se ftesa e LSI-së drejtuar lidershipit të Partisë Socialiste është bërë me qëllimin e vetëm arritjen e një bashkëpunimi, i cili do të garantonte integritetin e zgjedhjeve dhe fitoren e opozitës në to. Meta tha se edhe pse ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga kreu i PS-së Edi Rama, shpresonte në reflektimin e tij. Ai theksoi se LSI-ja mbetet e hapur për arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Partinë Socialiste, në rast se kjo marrëveshje garanton partneritet.
“Përsa i takon kryetarit të PS-së, unë i kam dërguar një ftesë konkrete, një ftesë zyrtare. Nuk kam marrë asnjë përgjigje prej tij. Është një çështje e tij. Unë prapë shpresoj që ai do të mund të reflektojë. Për ne nuk është më e rëndësishme se cila do të jetë forma e bashkëpunimit, sepse format janë nga më të ndryshmet, por për ne mbetet e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim, ku secila forcë prej nesh i shërben integritetit të procesit të ardhshëm zgjedhor, që është shumë i rëndësishëm, dhe njëkohësisht që i shërben rritjes së garancive të opozitës për t’i fituar këto zgjedhje”, - tha Meta.

Negociatat
Kreu i LSI-së tregoi edhe arsyen e lindjes dhe zhvillimit të negociatave për bashkëpunimin e së majtës, të cilat po zhvillohen nga katër personalitete historike të së majtës, përkatësisht Dritëro Agolli, Rexhep Meidani dhe Servet Pëllumbi nga PS-ja dhe Zabit Brokaj i LSI-së. ”Këto ditë, unë kam mandatuar profesor Sabit Brokaj, një bashkëpunëtor timin dikur në PS dhe sot në LSI, për të diskutuar me disa nga figurat më me përvojë të PS, siç janë zoti Meidani, zoti Agolli apo zoti Pëllumbi. Kam dëgjuar gjatë këtyre javëve disa thirrje për bashkëpunim. Dakord, unë nuk kam asnjë problem, hajt të bashkëpunojmë. Në fund të fundit, marrëveshjes së bashkëpunimit që ne bëmë LSI-ja i qëndroi në të gjitha pikat, ndërsa kryetari i PS-së, sapo u zgjodh kryetar bashkie, e shkeli këtë marrëveshje dhe nxitoi të merrej vesh me të gjitha çështjet. Problemi i tij. Megjithatë, ne përsëri jemi të hapur, por jemi të hapur për një marrëveshje të garanton partneritet, që qëndron në disa principe që janë publike e jo marrëveshje kulisash, por një marrëveshje që garantohet dhe nga njerëz me përvojë e që nuk kanë interesa imediate apo të nesërme të pushtetit për t’u bërë kryeministër apo ministër”, - tha kreu i LSI-së Ilir Meta.

Dosjet
Kreu i LSI-së foli gjithashtu për çështjen e ligjit të dosjeve. Meta theksoi se qëndrimi i LSI-së është për hapjen e të gjitha dosjeve, por nga ana tjetër ai kundërshtoi këtë ligj të miratuar nga maxhoranca. Meta përgënjeshtroi spekulimet mediatike, sipas të cilave deputetët e LSI-së kishin bashkuar votat me deputetët e maxhorancës për të miratuar ligjin në fjalë. Përsa i përket votës pro, të Kodit Ajror, kreu i LSI-së tha se ky Kod është shumë i rëndësishëm, i standardeve ndërkombëtare dhe nuk ka lidhje me forcat politike. “Nuk është faji im që këto lloj mediash vuajnë nga vesi i mashtrimit dhe manipulimit të opinionit publik. E vërteta është që kryetari i grupit tonë parlamentar ka mbajtur një fjalë publike, duke treguar arsyet pse ne jemi në parim për hapjen e dosjeve, por pse nuk ishim për miratimin e një ligji konkret, i cili pritet të ketë spekulime të karakterit politik dhe t’i bëjë fushatë elektorale zotit Berisha. Së dyti, mund të them se deputetët e LSI-së nuk kanë qenë prezent kur është votuar ky ligj, ashtu sikurse kanë qenë prezent pas votimit të këtij ligji vetëm nga ana e mazhorancës së djathtë, për të proceduar me axhendën e Parlamentit, sepse ne nuk kemi vendosur të bojkotojmë Parlamentin, sepse bojkoti nuk është një zgjidhje. Është votuar Kodi Ajror, që mendoj se është një element shumë pozitiv, sepse nuk ka lidhje as me PD-në, as me PS-në dhe as me LSI-në. Është një dokument shumë i rëndësishëm dhe i standardeve ndërkombëtarëve e kjo mesa duket ka krijuar shqetësime, por nuk janë shqetësime për ne”, - tha kreu i LSI-së Ilir Meta.

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›