E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Akti normativ për buxhetin, antikushtetues

Socialistët e cilësuan antikushtetues aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, tha se qeveria gënjen ku thekson se ky akt normativ është i domosdoshëm për të shpërblyer pensionistët dhe administratën, praktikë që ka nisur që në vitin 2004. "Ndryshimi i buxhetit të shtetit me akt normativ është antikushtetues, cenon rëndë menaxhimin e financave publike, cenon transparencën, rrit abuzivitetin dhe korrupsionin", theksoi Malaj. Sipas tij, miratimi vetëm 6 ditë përpara fundit të vitit është një dështim i përsëritur i qeverisë në hartimin dhe implementimin e buxhetit të shtetit, është keqpërdorim i taksave të shqiptarëve. Malaj konstatoi se për rreth 11 muaj qeveria ka shpenzuar rreth 25 miliardë lekë në muaj, ndërsa vetëm në muajin dhjetor qeveria parashikon të harxhojë rreth 70 miliardë lekë ose 280% më shumë. Për 11 muaj, vijoi ai, qeveria ka investuar rreth 6 miliardë lekë në muaj, ndërsa për muajin dhjetor qeveria pretendon të përdorë 22 miliardë lekë ose 370%. "Kjo vërteton se investimet e muajit të fundit kanë një risk të lartë të cilësisë, eficensës dhe korrupsionit të tyre", u shpreh Malaj. PS vlerëson se nxjerrja jashtë llogarive bankare e qindra miliona dollarë si investime të pakryera apo të ardhura nga privatizimi, cenon rëndë transparencën dhe efikasitetin e taksave dhe tatimeve dhe rrit abuzimin dhe korrupsionin e qeverisë. "Me këtë akt vërtetohet se disa nga të ardhurat kryesore në buxhet po përkeqësohen, qeveria tenton t‘i fshehë këto dështime, duke aplikuar çmime dhe paga reference abuzuese që e godasin rëndë biznesin edhe në këtë situatë jo të lehtë ekonomike", u shpreh Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›